Një vit më vonë 

Pikërisht një vit më parë, në Forumin Alpbach në Austri, presidentët e Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandar Vučić dhe Hashim Thaçi, përmendën ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Një vit më vonë, duket se situata kurrë nuk ka qenë më e ndërlikuar se tani.

0
129

Qëkurse është përmendur ndryshimi i kufijve në diskutimin “Perspektivat evropiane të zgjerimit të Bashkimit Evropian” në forumin evropian në Alpbach, në të cilin morën pjesë të dy presidentët, kjo mundësi ka marrë disa forma. Prej asaj se kjo është marrëveshja përfundimtare e cila është arritur në mënyrë të fshehtë, pastaj se Bashkimi Evropian nuk lejon që kufijtë të caktohen në bazë të përkatësisë etnike, e deri tek vizatimi i hartave të ndryshme. Dëgjuam teori të ndryshme si dhe atë se cilat pjesë të Kosovës do t’i përkasin Serbisë dhe anasjelltas, cilat pjesë të Serbisë do t’i takojnë Kosovës. Tashmë qe një vit, kjo temë është bërë më e rëndësishmja si midis politikanëve ashtu edhe midis qytetarëve të thjeshtë. Derisa BE-ja në mënyrë konstante deklaronte se kjo mundësi kurrë nuk është shqyrtuar zyrtarisht, qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës gjithnjë e më shumë futeshin në diskutime se ku do të jetë kufiri i ri. Në fund, kaloi një vit e ne nuk morëm as edhe një përgjigjje nëse kjo temë kishte qenë vetëm për argëtim të publikut apo me të vërtetë ka ekzistuar si opsion.   

Ndërsa ne tashmë qe një vit pyesim se çka ndodhi me këtë propozim, çështja është se çfarë ka  ndodhur ndërkohë. Për dallim nga periudha e tanishme, vitin e kaluar Serbia dhe Kosova kanë pasur një lloj dialogu. Gushtin e kaluar nuk kishte taksë prej 100% për mallrat serbe nga ana e Kosovës. Vitin e kaluar çdo gjë dukej më optimiste se sa që duket sot.

Që nga 25 gushti, kur u përmend ideja për ndryshimin e kufijve, çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka lëvizur në një drejtim që është gjithëçka tjetër por jo i mirë. Ndërsa supozoheshin kufijtë e rinj, vizatoheshin harta, stabilizimi i marrëdhënieve doli jashtë kontrollit.

Që nga momenti kur janë përmendur marrëveshja e mundshme e paqes dhe ndryshimi i kufijve, gjithçka sikur ka marrë ekskluzivisht tatëpjetën. Procesi i negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës ka ngecur absolutisht, megjithë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndryshuar këtë. Pikërisht një vit më parë, presidentët e Serbisë dhe Kosovës kërkuan ndihmën e po asaj bashkësie ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e një problemi të përbashkët, ndërsa sot është e qartë se as kjo nuk u mjafton. 

Ndërsa të gjithë ne tashmë një vit merremi me kufij të rinj, jeta ka arritur të ndryshojë vetëm për të keq. Ne mund të mos jemi gëzuar të gjithë për korrigjim të kufijve, por i jemi gëzuar një marrëveshje paqeje. Në vend të kësaj, patëm një vit përplot histori boshe, përkeqësim dhe ndërprerje të marrëdhëniev, tensione, paralajmërime të reja për luftë… Na mbetet pyetja për çfarë arsye është hapur fare kjo çështje në Alpbach. Për të mbajtur vëmendjen tonë dhe për të shkaktuar intriga të reja, apo në të vërtetë ekzistoi si plan. Një vit më vonë, kjo gjë ende mbetet e panjohur.   

SHARE