Njeri apo numër 

Disa vite më parë, Kosova filloi negociatat për statusin e saj final me dëshirën për të zgjidhur pavarësinë dhe sovranitetin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme ndonëse nuk i ka zgjidhur çështjet thelbësore në planin e brendshëm.

0
417

Kur para ca kohe shkrova një blog në lidhje me përvojat e mia gjatë procesit të marrjes së letërnjoftimit të Kosovës, as që më kishte shkuar mendja se deri në atë kohë unë i përkisja numrit prej rreth 200,000 njerëzve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë pa pasur dokumente personale të atij vendi. Megjithatë, informacioni tek i cili ka arritur një organizatë joqeveritare është, thënë më së buti, shkatërrues. E ky është numri prej rreth 200,000 njerëzve në Kosovë që nuk kanë ndonjë dokument dhe kështu janë jashtë të gjitha rrjedhave shoqërore. Sendërtimi i të gjitha të drejtave që kanë të bëjnë me karakterin social, ose përfundimisht edhe politik, lidhet me posedimin e dokumenteve personale. Në bazë të gjithë kësaj arrihet tek përfundimi se dikush me vetëdije ose në mënyrë të pavetëdijshme po i shkel të drejtat themelore të njeriut me faktin që këtij numri personash dhe, lirisht mund te themi, banorësh të Kosovës nuk u lëshon dokumente personale.

Por që kjo e keqe të jetë edhe më e madhe, institucionet zyrtare u referohen ligjeve që nuk ua lejojnë këtyre njerëzve lëshimin e dokumenteve personale sepse nuk psedojnë një nga dëshmitë e shumta se ata vetë ose njëri prej prindërve të tyre ka lindur në Kosovë. Duke vepruar kështu, edhe institucionet zyrtare po i shkelin ligjet e veta dhe, në fund të fundit, edhe vetë Kushtetutën. Ka shumë raste që, në pamundësi për të ushtruar të drejtën për mbrojtje sociale dhe politike në sistemin shtetëror të Kosovës, njerëzit po largohen dhe po kërkojnë mbrojtje të tillë në vendet që janë shumë më fleksibile dhe më liberale në këtë drejtim. Natyrisht, nuk dua ta paraqes si të keq ligjin mbi shtetësinë e Kosovës, por është e qartë se disa institucione nuk po e respektojnë këtë ligj dhe kështu i shkelin drejtpërsëdrejti të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, të garantuara me sistemin ligjor ndërkombëtar.

Por që turpi të jetë edhe më i madh, kjo çështje u shtrua si një nga çështjet gjatë procesit negociator në Bruksel, kështu që me këtë është hedhur një njollë në sistemin ligjor të Kosovës, dhe me këtë ai është paraqitur si sistem që nuk funksionon dhe që nuk është i aftë që me mjetet e tij juridike të zgjidhë këtë çështje në mënyrë adekuate. Natyrisht, procesi i negociatave në Bruksel e solli zgjidhjen dhe u dha rekomandimi që të nisë evidentimi i këtyre qytetarëve në sistemin e shtetasve të Kosovës dhe që me këtë qytetarët të fillojnë t’i sendërtojnë të drejtat e tyre dche obligimet në sistemin shoqëroro-politik të Kosovës si qytetarë të barabartë. 

Atë që po ashtu duhet ta vëmë në dukje, e që me këmbëngulje po e drejton gishtin tregues, është edhe ajo se institucionet e Kosovës, në masë të madhe nuk i njohin librat amë të Serbisë që kanë të bëjnë me popullatën nga territori i Kosovës pas vitit 1999. Kështu që një numër i madh i të rinjve tani gjendet jashtë të gjitha rrjedhave shoqërore vetëm sepse dikush po dyshon në vërtetësinë e librave amë të lartëpërmendur, të cilët, po ashtu sipas marrëveshjes në Bruksel, i janë dorëzuar Kosovës me qëllim që me ndihmën e atyre të dhënave të zgjidhet statusi i këtyre qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme. Mirëpo, siç edhe pritej, kjo nuk ndodhi, e pse jo, këtë sipas të gjitha gjasave ende askush nuk është i gatshëm ta shpjegojë. 

Disa vite më parë, Kosova filloi negociatat për statusin e saj final me dëshirën për të zgjidhur pavarësinë dhe sovranitetin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme ndonëse nuk i ka zgjidhur çështjet thelbësore në planin e brendshëm. Mes tjerash, 200,000 persona janë dëshmitarë për këtë; 200,000 vetë nuk votojnë e me këtë edhe vendimet politike në parim i bëjnë menjëherë jolegjitime. Me këtë të dhënë, Kosova e ka sjellur veten në situatë në të cilën as numri i banorëve që jepet në evidencat zyrtare në të vërtetë nuk është i saktë, e për këtë kam shkruar në blogun Numërimi. Përfaqësuesit politik i përfaqësojnë edhe ata 200,000 persona, po i quaj persona, sepse ata njerëz ende nuk e kanë statusin e qytetarit e as nuk kanë votuar, jo pse nuk duan por sepse nuk u është lejuar një gjë e tillë dhe kjo vetëm për arsye se dikush nuk e zbaton ligjin apo thjesht nuk do që ata njerëz t’i shohë në sistemin e tyre shoqëroro-politik. Për këtë duhet të mendojmë mirë nëse të gjithë duam të jemi një shoqëri demokratike dhe e hapur, me të drejta të barabarta për të gjithë.

SHARE