Njëzet vite më vonë

Derisa pala shqiptare atë ditë e feston si fillim të luftës për liri, pala serbe, me një mori ceremonish, këtë ditë e shënon si ditë të kujtimit të viktimave të luftës. Dhe kështu çdo vit në të njëjtën mënyrë. Derisa të parët këndojnë të dytët qajnë, dhe anasjelltas. Nganjëherë duhet të shtrojmë pyetjen se a mundemi ne, bile në diçka, të jemi në të njëjtën anë, sepse përvojat e deritanishme na shtyejnë të mendojmë se serbët dhe shqiptarët nuk mund të gjejnë vendin e vet në të njëjtën anë.

0
156

“Vitet kalojnë, ne rrimë, a jemi më të lumtur, a jemi më të mençur”- vargje të famshme nga fundi i viteve të tetëdhjeta, por edhe pyetje reale për të gjithë ne sot. Kah fundi i marsit u mbushën plot njëzet vite nga bombardimi i RFJ-së nga ana e NATO-s, apo, siç do ta quanin disa, agresioni, kurse ata që janë krejtësisht të prirur kah pacifizmi e karakterizojnë këtë si ndërhyrje ushtarake. Por t’i lëmë detajet të cilat nuk e ndryshojnë thelbin sepse pasojat e tërë kësaj janë ato që ne po i ndiejmë sot në lëkurën tonë. Dhe sikur atë vit relativisht të largët 1999 bombat e hedhura nga një lartësi prej 12000 metrash nuk zgjedhnin cakun e vet ashtu edhe pasojat që i lanë ato pas vetes sot nuk po na zgjedhin neve. 

Derisa pala shqiptare atë ditë e feston si fillim të luftës për liri, pala serbe, me një mori ceremonish, këtë ditë e shënon si ditë të kujtimit të viktimave të luftës. Dhe kështu çdo vit në të njëjtën mënyrë. Derisa të parët këndojnë të dytët qajnë, dhe anasjelltas. Nganjëherë duhet të shtrojmë pyetjen se a mundemi ne, bile në diçka, të jemi në të njëjtën anë, sepse përvojat e deritanishme na shtyejnë të mendojmë se serbët dhe shqiptarët nuk mund të gjejnë vendin e vet në të njëjtën anë. 

Gjatë shënimit të përvjetorit të ngjarjes së lartpërmendur, kur po e shikoja transmetimin e ceremonisë nga Nishi, ku është mbajtur sivjet, e pyeta veten a mos ndoshta aty ka përfaqësues të popullit shqiptar. Qoftë edhe të tillë që do të vinin aty për shkaqe personale, sepse është e sigurt që kurrë nuk do të ketë delegacione zyrtare. Pyetja është paksa absurde, por realisht e arsyeshme, sepse ka pasur viktima edhe nga ana shqiptare që kanë humbur jetën pikërisht nga ato bomba që kanë rënë nga 12000 metrat e përmendura. Mes tjerash, le ta kujtojmë kolonën e refugjatëve te Gjakova. Pikërisht ai krim është dëshmi që bomba nuk zgjedh, zgjedh ai që e dërgon bombën. Kështu që emërtimi bombë e mençur është tejet i marrë dhe ironik. A mos ndoshta dikush ua ka ndaluar familjeve të atyre viktimave që t’i vajtojnë të vrarët e tyre këtë ditë apo ata sipas shprehisë kanë hequr dorë nga kjo për t’iu përshtatur asaj që erdhi pas bombardimit? Por rreth 70 të vrarë dhe rreth 40 të plagosur (siç thuhet në Wikipedia për këtë krim) askush nuk guxon t’i harrojë. Me qëllim po flas në këtë tekst për viktimat shqiptare sepse për ato serbe është thënë shumë dhe është bërë pak.

Shpeshherë në media thuhet se ajo ishte ndërhyrje kundër regjimit të Slobodan Milošević-it, që është shumë qesharake, e mbi të gjitha një arsyetim i mjerë. Disa mijëra të vrarë, më tepër se 10000 të plagosur, qindra mijëra të zhvendosur gjatë dhe pas luftës, ndotje me uranium të varfëruar, shkatërrim i infrastukturës, spitaleve, shkollave, etj. dhe të gjitha këto për shkak të një njeriu. Në një arsyetim të tillë nuk besojnë as ata që e kanë shpikur. Në këta disa mijëra të vrarë gjatë dhe pas luftës janë numëruar të gjithë, edhe serbët edhe shqiptarët, por edhe romët, goranët, turqit, boshnjakët dhe të gjithë ata që gjatë atyre 78 ditëve kanë qenë në territorin e RFJ-së dhe të cilët kanë qenë shënjestër e arsyeshme e trimave  nga lartësia prej 12000 metrash. A do të thotë kjo që ne që jetojmë këtu vetëm vdekja mund të na vendos në një vend, dhe atë vetëm atëherë kur të bëhemi vetëm numër. E kjo është gjë  e mjerë. Dhe nuk kam harruar të them që midis këtyre disa mijëra të vrarëve janë numëruar edhe disa dhjetëra fëmijë. E ata as nuk janë fajtor, as nuk dinë për komb, besim, politikë. Për kë kanë qenë shënjestër ata fëmijë? Ata fëmijë kanë qenë ajo çka zëdhënësi i famshëm i NATO-s, Jamie Shea, atëherë, por edhe tani, e ka kategorizuar si dëm kolateral.

A jemi më të lumtur? Sigurisht që nuk jemi; po të ishim nuk do të na largoheshin çdo vit rreth 50000 njerëz nga Kosova. Norma e papunësisë nuk do të ishte zyrtarisht rreth 23%, kurse jozyrtarisht mbi 40%. Nuk do të lulëzonin krimi dhe korrupsioni. Nuk do të kishim shumë gjëra të cilat i kemi tani e të cilat nuk na duhen. A jemi më të mençur? Nuk jemi as më të mençur, sepse po të ishim, nuk do të na përsëriteshin gjërat, e disa të tjera as që do të ndodhnin. Po të ishim më të mençur disa gjëra do t’i bënim krejtësisht ndryshe. E vetmja gjë që mbetet nga vargjet e përmendura më lart e për çka jemi shumë të mirë është ajo se vitet po kalojnë e ne po rrimë në një vend. Po qëndrojmë më së shpeshti në rend, dhe atë para ambasadës së ndonjë vendi të suksesshëm perëndimor që është mike e popullit tonë apo thënë më mirë popujve tanë e në atë radhë po presim për një copë letre shumëngjyrëshe në të cilën me 4 shkronja është vendosur fati i atyre që presin. E pra, me fat le të na jetë pritja, sepse në këtë jemi bashkë, kurse përvjetoret vetëm po na ndajnë. Dhe e gjithë kjo po zgjat 20 vite. Gjenerata e cila u lind më 1999 tani i kanë fëmijët e vet. E në drejtimin në të cilin po ec politika, sipas të gjitha gjasave, edhe ata një ditë do të hyjnë në po atë radhë nëse dikush, mos e dhashtë Zoti, para kësaj nuk i karakterizon si dëm kolateral.

SHARE