Njohja e ndërsjellë

Derisa Serbia është një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe si e tillë anëtare e të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka një status të tillë dhe si e tillë nuk mund të jetë faktor që aktualisht duhet të njohë ndonjë territor si të pavarur, për arsyen e thjeshtë se nuk ka një kredibilitet të tillë ndërkombëtar.

0
65

Që nga fillimi i negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës gjithmonë kur shikohet raporti i cilësdo agjencie mediale nga Kosova haset termi apo më mirë të thuhet fraza boshe ‘njohje e ndërsjellë’ si një nga qëllimet pse pala e Prishtinës përgjithësisht po shkon në negociata. Si qëllim i vetëm i negociatave u imponua fraza boshe e cila realisht dhe në praktikë edhe nuk ka ndonjë rëndësi domethënëse. Natyrisht, nuk jam jurist që të interpretojë terminologjinë juridike edhe pse edhe ajo lëmi nuk është e panjohur për mua por nocioni i njohjes së ndërsjellë si një formë e shpjegimit të qëllimeve të negociatave juridikisht por edhe në sensin e mendjes së shëndoshë është plotësisht joadekuat. Duke e pasur parasysh këtë, çdo person normal do të pyeste se si do të dukej kjo në praktikë.   

Nocioni i njohjes së ndërsjellë midis dy shteteve do të ishte adekuat vetëm nëse ato shtete do të ishin me status të njëjtë politiko-juridik para bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të tyre juridike dhe politike. Mirëpo, kjo nuk është kështu në këtë rast. Një qasje e tillë dhe terminologji e tillë ishte e pranueshme dhe u zbatua në rastin e Çekisë dhe Sllovakisë kur të dy këto shtetet u dakorduan për ndarjen paqësore të shtetit të përbashkët. Në këtë rast të dy shtetet kanë pasur statusin e shteteve të reja dhe asnjëra prej tyre nuk është njohur ndërkombëtarisht para tjetrës, porse në të njëjtën moment patën një status të njëjtë politiko-juridik kështu që edhe ka qenë e nevojshme njohja e ndërsjellë si konfirmim i asaj që është dakorduar.  

Mirëpo, në rastin tonë i kemi dy palë që nuk e kanë statusin e njëjtë. Derisa Serbia është një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe si e tillë anëtare e të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka një status të tillë dhe si e tillë nuk mund të jetë faktor që aktualisht duhet të njohë ndonjë territor si të pavarur, për arsyen e thjeshtë se nuk ka një kredibilitet të tillë ndërkombëtar.  

Në mënyrë konstante po imponohet situata që në momentin e caktuar nëse vjen deri tek një marrëveshje e tillë Kosova do të duhej që të njihte Serbinë. Nuk dua që dikush të më kuptojë gabimisht dhe paraprakisht distancohem nga interpretime të tilla, por kjo në një mënyrë ironike do të mund të shpjegohej sikur kur djali apo vajza do të duhej t’u njihnin prindërve të tyre statusin prindor.   

Ndoshta në këtë qasje të gabuar dhe disi groteske fshehet edhe arsyeja e përparimit të dobët të negociatave. Ndërsa pala e Beogradit ngre pyetje reale të rëndësishme për funksionimin praktik të të gjitha sferave të marrëdhënieve socio-ekonomike midis dy palëve, pala kosovare vazhdimisht paraqet kërkesën për njohjen e famshme reciproke edhe pse, unë besoj, as zyrtarët që përherë përsërisin këtë nuk do të dinin ta shpjegonin në mënyrë adekuate se çfarë në të vërtetë nënkupton kjo në praktikë.

Për ta bërë më të qartë, duhet të përmendim një shembull klasik, e ky është Gjermania. Deri në rënien e Murit të Berlinit, Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore nuk kishin një dokument me të cilin njihnin njëra-tjetrën si subjekt politik dhe juridik, por kjo nuk i pengoi ato që të bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Megjithëse ai bashkëpunim nuk ishte në një nivel të lartë, por sigurisht që nuk ishte pasojë e mungesës së një dokumenti të tillë, por vetëm dhe ekskluzivisht sepse në kohën e të ashtuquajturës Luftë e Ftohtë ato u ndodhën në dy anë të ndryshme, dhe jo me vullnetin e tyre por me vullnetin e fitimtarëve në Luftën e Dytë Botërore.

Por të gjitha indikacionet janë se dikush në Prishtinë ka patut një këshilltar ligjor shumë të dobët kur krijoi agjendën për negociatat për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve, kështu që u shfaq një frazë boshe që shkakton dilema për çdo person normal dhe e sjell atë në një gjendje dyshimi për qasjen adekuate ndaj gjithë asaj që kemi parë në Bruksel tash e disa vite.

Sido që të jetë, shohim që secila qeveri e re në Prishtinë nuk ka as forcën dhe as vullnetin për të ndryshuar disa gjëra në qasjen ndaj negociatave, por mbi parimin copy-paste merr përsipër gjithçka që ka mbetur nga qeveria e mëparshme përfshirë edhe gabimet, prej atyre vendimtare e deri tek ato më banalet siç është kjo e njohjes së ndërsjellë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE