‘Non-qëndrimi’ i Albin Kurtit

Asnjëherë deri tash, kryeministri Kurti nuk ka treguar se çka e shtyri ta ndërronte qëndrimin e tij të shprehur me fanatizëm kundër dialogut. Mos të harrojmë, ai lëre që ishte kundër dialogut politik, por ishte edhe kundër dialogut teknik me Republikën e Serbisë.

0
68

Dy non-papera që skiconin zgjidhjen për mos-marrëveshjen Serbi-Kosovë u paraqitën javët e kaluara. Dhe që të dy tmerrues për të ardhmen e Republikës së Kosovës. I pari e zhdukte krejtësisht shtetësinë dhe Pavarësinë duke e asimiluar me një narko-shtet si Shqipëria. Ndërsa i dyti i kontrabandonte në brendi një autonomi serbe që i lëkundte vazhdimisht themelet dhe funksionalitetin Kosovës.

Ani pse askush nuk mori përgjegjësinë për draftimin e teksteve, ajo që duket qartë është nevoja që Kosova të bëjë një kompromis të dhimbshëm për shtetësinë e saj. “Kushtetuta nuk është Bibël e Kuran,” kishte thënë para disa muajsh Miroslav Lajçak, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. E pikërisht, “Kushtetuta s’është Bibël e as Kuran” mund të ishte epigrafi i të dy non-paperave.

Por, ani që Kosova tashmë ka një kryeministër me legjitimitet më të madh se asnjëherë, gjërat sërish duket se po ecin tembrapsht. Legjitimiteti i këtij kryeministri mund të bëhet thjesht dhe vetëm një shprehje e vrazhdë numri, nëse nuk sqaron pozicionin e tij aktual për dialogun. Duket se kryeministri Kurti na konsideron të gjithëve budallë, secilin qytetar të vendit, pikësëpari nisur nga kryeparlamentari i tij, e vazhduar me presidenten dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë së tij. Asnjëherë deri tash, kryeministri nuk ka treguar se çka e shtyri ta ndërronte qëndrimin e tij të shprehur me fanatizëm kundër dialogut. Mos të harrojmë, ai lëre që ishte kundër dialogut politik, por ishte edhe kundër dialogut teknik me Republikën e Serbisë. Njohja nga Serbia, së cilës tashmë po i njeh edhe vetë rëndësinë, shpërfillej krejtësisht në të kaluarën. Askush nuk e di se çka e bindi, cilat argumente apo cilat ngjarje, kryeministrin e Kosovës që t’i ndryshonte aq radikalisht qëndrimet. Dhe, askush nuk e di se çfarë lloj shkarjesh logjike gjeti në qëndrimet e kaluara kundër dialogut që i mohoi ngadalë e tinëzisht në ndonjë pikë të papërcaktuar në kohë. Ta kemi parasysh që çështja është shumë më serioze se një deklaratë e nxjerrë nga konteksti, se ndonjë gabim në të shprehur, po flasim për qëndrime të shprehura me pasion për më shumë se një dekadë. Përsëri, e përsëri, e përsëri.

Dhe tash, çdo ditë që kalon dhe nuk ka një përgjigje për “pse?”-në e domosdoshme që i rri mbi krye është ditë që ia gërryen legjitimitetin. Budallenj e të padinjitet mund të jenë njerëzit që i shkojnë pas, a ata që i kundërvihen, por nuk jemi të gjithë.

Kjo mungesë e sqarimit për procesin e ndryshimit radikal të qëndrimeve radikale na çon në mungesën e vizionit për Kosovën. Derisa ai vazhdon që herë pas here t’i dalë kundër nenit 1.3. të Kushtetutës së Kosovës, njëkohshëm vazhdon të mbrojë themelet e asaj Kushtetute. Derisa ai vazhdon të njohë rëndësinë e dialogut përmes vizitave në Bruksel, ai në të njëjtën kohë vazhdon të mos ofrojë kurrfarë pozicioni para popullit që e votoi.

Ajo çka mund të nënkuptojmë është se Kurti kërkon vazhdim të “status quo”-së. Por, edhe këtu ka mungesë sqarimi. Ne e dimë që kjo “status quo” nuk është në favorin tonë, dhe nëse kryeministri mendon ndryshe, do të duhej të dilte e të na shpjegonte arsyet. Dhe të merrte përgjegjësi, ashtu siç i takon, për pozicionin që merr.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE