Normalizimi dhe zhvillimi i biznesit

(Vizita në Kosovë e ish-kryetares së Odës Ekonomike Britanike)

0
1160

(Vizita në Kosovë e ish-kryetares së Odës Ekonomike Britanike)

“Duhet të kuptoni se ne nuk mund t’u besojmë as familjeve tona sot.” “Secili mendon vetëm për strategji dalëse.” Këto ishin dy komentet që më kane mbetur në kujtesën time pas një varg prezantimesh nga Znj, Isabella Moore në nëntor të 2015-ës. Fjalimet e saj ishin për reformën ekonomike dhe normalizmin si një mundësi biznesi dhe karriere. Komenti i parë u bë në Zveçan ndërsa i dyti në Graçanicë.

Znj. Moore ështe ish-kryetare e Odës Ekonomike Britanike dhe zëvendës kryetare e Eurochambers (Asociacion i Odave Ekonomike Evropiane). Ajo ka eksperiencë shumë të madhe me biznese të vogla dhe të mesme, dhe në veçanti me zhvillimin e grave në biznes. Ajo vetë është një person që e ka lënë Poloninë në vitet “70 për të filluar një jetë të re nga zeroja në Britani; një refugjate. Ajo arriti këtë në mënyrë tepër të suksesshme përmes përkushtimit dhe gatishmërisë për të filluar me biznes të vogël, duke punuar nga tavolina e kuzhinës.

Thelbi i prezantimit të saj ishte se bizneset e vogla mund të themelohen edhe pa shuma të mëdha të mikro kredive, pa kapital të madh fillestar, përderisa kanë një plan të qëndrueshëm biznesi. Ajo vazhdimisht e theksoi rëndësinë e nevojës për ta bërë të qartë modelin e biznesit, rëndësinë e vendosjes së objektivave. Ajo në veçanti e përmendi faktin se gratë që nisin biznese të reja, për dallim prej burrave, shumë më shpesh fondet fillestare i marrin nga familjet e tyre. Ishte ky koment në Zveçan që provokoi përgjigjen se si besimi në familje është dëmtuar së tepërmi.

Isabella Moore foli edhe për një model specifik biznesi në një pjesë të Skocisë që është shumë bujqësore dhe nuk ka asnjë perspektivë për investime industriale. Pronëret e bizneseve të vogla dhe të mesme atje, tërësisht me iniciativën e tyre, e kanë formuar një grup biznesi, Grow Biz, që fillimisht mblidhej jo zyrtarisht në një kafiteri për të këmbyerë pa pagesë dijen dhe aftësitë e tyre mes vete në mënyrë që të ndihmojnë njëri-tjetrin të zhvillohen. Kjo është një organizatë e bazuar në komunitet, nga poshtë lartë, në të cilën bizneset këmbejnë e nuk i mbajnë të fshehta shkathtësitë e tyre. Secili është i përkushtuar të japë këshilla falas për të paktën 2 orë në javë, p.sh kushdo që kishte dije specifike rreth taksave për bizneset e ndante me ata që nuk kishin, dikush me njohuri në IT e ndante atë. Asnjëra nga këto nuk kushtonin asgjë dhe i ndihmonte bizneseve të kursenin në shpenzime dhe kosto. Bizneset e përfshira në këtë grup ishin restorante, sallone flokësh, qendra të kopshteve, një kompani e vogël që shiste pajisje bujqësore, një fermer që rriste derra të egër për mish të cilësisë së lartë. Kjo skemë e vetëiniciuar ishte aq e suksesshme saqë bankat filluan të japin financime shtesë për të dhe qeveria skoceze e ka adoptuar atë si kornizë për t’u implementuar më gjërë.

Përshtypja ishte se ky model mund të merrej në shqyrtim nga njerëzit në Kosovë të cilët provojnë të themelojnë biznese të vogla, në veçanti nga njerëzit që mund të humbin vendet e tyre të punës si rezultat i procesit të normalizmit. Kosova është një ekonomi kryesisht bujqësore me pak industri të prodhimit dhe me një mungesë të aftësive të fituara për biznes. Sigurisht që kishte interes por edhe komente të tilla se njerëzit në Kosovë fatkeqësisht kurrë nuk do të punonin bashkë në një mënyrë të tillë.

Do të doja të kthehesha te komentet e para e në veçanti te ato që thonë se njerëzit fokusohen më parë në strategji dalëse sesa të fokusohen në një investim për të qëndruar statik dhe për të vazhduar jetën e tyre në Kosovë. Këto komente u bënë në Graçanicë kështu që kishin të bënin me komunitetin serb. Ndonëse disponime të tilla mund të jenë të kuptueshme, mund të themi se ato nuk mund të mbulojnë opsionet ose mundësitë tjera. Opsioni i daljes ndoshta nuk do të përdoret kurrë e rrjedhimisht ndoshta një bazë tjetër ekonomike që i shtyn njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre duhet të merret në shqyrtim dhe në mënyrë që njerëzit t’i kuptojnë më mirë këto opsione New Perspektiva i organizoi këto prezantime në Kosovë.

Prezantimet dhe diskutimet u mbajtën në të njëjtin muaj në të cilin OJQ Aktiv dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë publikuan raportin “Pikëpamjet e Qytetarëve në Veri të Kosovës”. Raporti tregoi të dhëna interesante mbi vetëdijësimin e njerëzve se si pasojë e normalizimit ata do të duhet të ndërrojnë vendet e tyre të punës dhe të shikojnë mundësi të tjera për punësim dhe karrierë. Mbi 30% thanë se ata janë duke shikuar mundësitë për të filluar biznese të reja private. Pengesa më e madhe për këtë nga 60% e respondentëve u pa se ishte mungesa e burimeve financiare për fillimin e një biznesi. Është ky model i vetë-ndihmesës te komunitetet lokale i cili do të mund të ishte i dobishëm në përpjekjet e tyre për të hapur biznese të reja.

Znj. Moore është drejtoreshë e njërës prej kompanive më të mëdha të përkthimeve në Britani, Comtec Translations. Ajo jo vetëm që ofron një numër të madh të produkteve të përkthimit por edhe i këshillon bizneset mbi përdorimin e gjuhës dhe përkthimeve në punën e tyre. Një këshillë e saj e fuqishme kishte të bënte me nevojën që njerëzit që duan të zhvillojnë ndërmarrjet e tyre të investojnë në shkathtësitë e tyre gjuhësore. Ajo vetë ka parë se si bizneset kanë përfituar duke pasur punonjës që flasin shumë gjuhë madje edhe në tregjet e brendshme.

New Perspektiva beson se tema e ndikimit që ka procesi i normalizmit në zhvillimin e biznesit në Kosovë nuk kuptohet vërtetë dhe nuk hulumtohet. Ne do t’i kushtojmë më shumë kohë dhe hapësirë raportimit mbi këto çështje. Vizita e znj. Moore sigurisht që na ndihmoi të vetëdijësohemi. Ne sigurisht që jemi të interesuar të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë lexuesit tanë, t’i dëgjojmë përvojat e tyre.
(Nëse dëshironi të lexoni më shumë mbi përmbajtjen e këtyre prezantimeve, ju lutem kontaktoni New Perpektiva-n në info@new-perspektiva.com
Kjo është web faqja e programit Grow Biz growbiz.co.uk)