NP Interview: Milica Andrić Rakić, NSI

0
80

“Ekziston një mungesë e të kuptuarit të situatës në Veri nga mediat kosovare që raportojnë në gjuhën shqipe dhe nga Organizatat e Shoqërisë Civile,” thotë Milica Andrić Rakić e Nismës së Re Sociale (New Social Initiative), me seli në Mitrovicë të Veriut. Ajo shton se kjo ishte e dukshme së fundi gjatë krizës dhjetëditore në lidhje me vendosjen e masave të reciprocitetit në përdorimin e targave nga ana e Kosovës.

Në një bisedë për New Perspektivën, Andrić Rakić flet rreth përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe për ankesat se qëndrimet e serbëve të Kosovës nuk respektohen nga Beogradi dhe as nuk arrijnë deri te qeveria e Kosovës. Fillimisht ajo bën një vlerësim të marrëdhënieve midis komunitetit serb dhe atij shqiptar të Kosovës para krizës rreth rregullave të reja për targat. A ishin duke u përmirësuar apo përkeqësuar ato?

Milica Andrić Rakić:
Marrëdhëniet ishin duke u përkeqësuar që nga fillimi i këtij viti dhe ajo që ndodhi pas 20 shtatorit nuk ishte surprizuese. Në fakt organizata ime bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe retorikës jo të dobishme edhe para gjithë kësaj, në qershor, kur kishte shumë shtyp negativ në lidhje me rastin e Dragica Gašićit, të kthyerës serbe, kur kishte shumë marrëdhënie problematike mes Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë. Situata vetëm se po përkeqësohej dhe ne u bëmë thirrje të gjithëve që të ulin tensionet sepse ishim të vetëdijshëm se pritej nga të gjithë se kjo situate do të përkeqësohej drejt zgjedhjeve, por filloi para tyre, shoqëruar me shtyp negativ që nga fillimi i vjeshtës dhe zgjati me javë të tëra. Pra, nuk ishte mirë dhe më vjen shumë keq që ndodhi dhe askush nuk i mori seriozisht thirrjet e OShC-ve për të ndaluar këtë praktikë.

NP: Çfarë ndikimi mendoni se ka pasur kjo krizë dhe zgjidhja e negociuar në Bruksel në këto marrëdhënie ndër-komunitare në Kosovë?

Milica Andrić Rakić: Epo, nuk ishte e dobishme për këto marrëdhënie, mund të shihni ndarje të opinioneve në të dy anët. Shihen njerëz nga njëra anë që justifikojnë nevojën për veprim dhe njerëz nga ana tjetër që protestojnë për demonstrimin e forcës. Është e qartë se dy komunitetet kanë pikëpamje shumë të kundërta lidhur me nevojën e vendosjes së Forcave Speciale të Policisë dhe me të vërtetë debati publik nuk ndihmon për t’i sjellë njerëzit më afër këtyre dy bindjeve shumë të kundërta, kështu që marrëveshja nuk ishte e dobishme këtu. Ndoshta tani rezoluta do të qetsojë pak situatën, në fakt, patjetër që do të sjellë qetsi, por opozita në Kosovë është shumë kritike dhe nuk do të isha e befasuar nëse qeveria e Kosovës do të përpiqej të largohet nga kritikat duke bërë diçka që nuk është plotësisht e justifikuar dhe e nevojshme. Shpresoj që ata të mos e bëjnë këtë, por nuk do të isha e befasuar.

NP: Tashmë kanë kaluar mbi 20 vjet që nga përfundimi i luftes në 1998 dhe 1999. A shihni ju ndonjë ndryshim brezash në qëndrimin midis dy komuniteteve?

Milica Andrić Rakić:
Ka pasur disa përmirësime pas Marrëveshjes së vitit 2013, marrëveshja e parë e normalizimit. Lidhja mes komuniteteve vërtet u rrit, numri i ndërveprimeve u rrit sepse kishim integrim të sistemit gjyqësor dhe policor. Rregullisht kishte njerëz që shkonin në Mitrovicën Jugore për të punuar në Gjykatën për Kundërvajtje dhe pastaj njerëz nga Mitrovica e Jugut që vinin në Mitrovicën Veriore për të punuar në Prokurori, për shembull. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit në Forcat e Policisë. Administrata është disi e integruar. Administratat lokale kanë serbë dhe shqiptarë të Kosovës që punojnë së bashku. Janë shtuar aktivitetet e OJQ-ve, të cilat janë mediumi i vetëm ku ndodhin shkëmbimet e të rinjve. Pra, ka pasur mjaft përmirësime në numrin dhe cilësinë e ndërveprimit midis serbëve dhe shqiptarëve, kështu që unë do të thoja që nuk ishte gjithçka keq, por që nga fillimi i këtij viti, ato [marrëdhëniet] filluan të përkeqësohen me shpejtësi. Situata kohët e fundit, me Forcat Speciale të Policisë, madje kërcënoi të sillte njëfarë shpërbërjeje, e cila do të ishte e para që kur filloi integrimi dhe gjërat filluan të ktheheshin prapa. Pra, është një pjerrësi shumë e rrëshqitshme në të cilën jemi në këtë pikë dhe nëse tensionet nuk bien, shpërbërja do të përparojë.

NP: Në New Perspektiva dëgjojmë zëra që ankohen se pikëpamjet dhe opinionet e serbëve që jetojnë në Kosovë nuk respektohen nga Beogradi dhe as nuk arrijnë qeverinë e Kosovës. A jeni dakord, dhe nëse po, si mendoni se kjo mund të përmirësohet?

Milica Andrić Rakić:
Po, jam plotësisht dakord, nuk mund të përmirësohet. Rasti i serbëve të Kosovës i nënshtrohet një çështjeje gjeopolitike të madhe, jo të madhe por të rëndësishme, në këtë rast. Kur filluan negociatat, u vendos, nga aktorët e tjerë, jo komuniteti këtu, që komuniteti të integrohet në sistemin e Kosovës. Kjo duhej bërë me forcë sepse komuniteti nuk është i hapur ndaj kësaj ideje dhe duke pasur parasysh se duhej bërë me forcë, do të thotë që komuniteti duhet të kontrollohet nga afër, në këtë rast, nga Beogradi sepse Kosova nuk mund të ushtrojë atë lloj kontrolli mbi komunitetin serb të Kosovës. Pra, në këtë pikë, për shembull, votat tona nuk janë një vendim lokal, por një vendim gjeopolitik, prandaj kjo është arsyeja pse do të duhet të ketë një opsion shumë të fortë politik serbo-kosovar që do të jetë në gjendje të zbatojë dhe garantojë zbatimin e çdo gjëje, derisa të arrijmë në një marrëveshje përfundimtare. Kështu që derisa të zgjidhet e gjithë kjo, unë nuk shoh që interesat e komunitetit serb të Kosovës të merren parasysh nga Beogradi apo Prishtina.

NP: A ka ndonjë shqetësim tjetër përveç këtyre pyetjeve që do të donit ta vihni në pah dhe që nuk është mbuluar nga mediat shqiptare të Kosovës?

Milica Andrić Rakić:
Në përgjithësi, ekziston një mungesë e të kuptuarit të situatës në Veri nga mediat kosovare që raportojnë në gjuhën shqipe dhe nga OShC -të. Kjo ishte e dukshme me krizën që ndodhi dhe që zgjati dy javë dhe nuk mendoj se askush në Prishtinë deri dje e kuptoi qëllimin e problemit. Se problemi ishin targat e KM që nuk u lejuan të merrnin prova dhe u shpallën të konfiskuara, jo targat e KS. Ato mezi ekzistojnë dhe nuk janë targa të Serbisë qëndrore. Pra, kjo ishte vërtet shkatërruese për mua. Për dy javë u përpoqa ta shpjegoj këtë në Twitter, thjesht nuk ishte askush, jo askush, por shumica e njerëzve nuk ishin në gjendje ta kuptonin. Shkoi aq larg sa që në një bisedë, një person mendoi se do të thoja që ata nuk mund të heqin fizikisht dhe të marrin targa prova dhe më sugjeroi që ato kishin vida mbi to. Thjesht nuk mund ta kuptoja se si askush nuk ishte i gatshëm për të lexuar atë që po përpiqesha të shpjegoja. Është shkatërruese për mua që populli i Kosovës e kuptoi këtë çështje vetëm dje dhe që bashkësia ndërkombëtare ka ditur më mirë se si ta vlerësojë situatën këtu sesa qeveria e Kosovës. Pra, padyshim që diçka nuk po funksionon mirë, as në sektorin e OShC-ve, as në media sepse ne nuk mund të komunikojmë dhe shpjegojmë çështjet e vërteta. Pra, kjo ishte shumë zhgënjyese për mua këtë javë dhe këto dy javët e fundit.

NP: A ju është ofruar hapësirë në mediat shqiptare të Kosovës për të shprehur këndvështrimin tuaj apo mezi e keni gjetur atë?

Milica Andrić Rakić:
Jo, jam ftuar të jap një deklaratë për Klan Kosovën, por ata hoqën dorë nga deklarata. Të premten unë do të jepja një deklaratë për ta, por ata e anuluan atë. Kjo ishte hera e vetme që dikush u përpoq të kontaktonte nga publiku i Kosovës për të pyetur për situatën.

SHARE