Opsionet në Dialog

Delegacioni shtetëror i Kosovës për Dialogun ka hartuar Platformën për bisedimet me Serbinë. Pas një takimi me kryeministrin, Ramush Haradinaj, presidentin, Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli, bashkëkryesuesi i delegacionit, Fatmir Limaj, tha se platforma kishte marrë mbështetjen e tyre dhe se së shpejti ajo do t’i dërgohej Kuvendit për miratim. Po cilat janë opsionet në Dialog deri tani? 

0
126

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë synohet të arrihet në pjesën e parë të 2019-ës. Derisa në Kosovë janë prezantuar disa dokumente, për rrugën dhe temat që do të tentohet të shtrohen deri te marrëveshja finale, në Serbi në publik nuk ka dalë deri tani ndonjë dokument. Kryefjalë e politikanëve në Beograd është kompromisi që duhet bërë dhe arritja e një ujdie ku fituese dalin të dyja palët. Por mbështetur në historikun e deritashëm të negociatave kjo vështirë të arrihet. Nga palët është kërkuar t’i kapërcejnë dallimet për t’i dhënë shans një marrëveshjeje të pranueshme. Një marrëveshje ‘të balancuar’ e kërkon edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë marrë rol në këtë proces.

Në BE deri më tani nuk kanë folur me një zë rreth dialogut. Derisa Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, nuk e përjashton korrigjimin e kufijve, por është kundër ndarjes në vija etnike, Gjermania i cilëson të rrezikshme idetë për ndryshim kufijsh. Ndërkaq SHBA ia ka lënë palëve të gjejnë zgjidhjen që duan, megjithëse kanë paralajmëruar se jo çfarëdo marrëveshje do të jetë e pranueshme.

Por dialogu Kosovë – Serbi është në bllokadë për shkak të taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Presioni në rritje nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara lëkundi qeverinë nga pozicioni betonues rreth kësaj mase, heqja e së cilës ishte kushtëzuar me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Nga Kosova dhe Serbia kërkohet të merren vesh për një “armëpushim”, me qëllimin që t’i jepet rast arritjes së marrëveshjes. Prishtina ta suspendojë taksën, ndërkaq Beogradi të ndalojë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës.

Por partnerët qeveritarë kanë mospajtime rreth kushteve në këmbim të heqjes së taksës për importet serbe. Kryeministri Haradinaj ka listuar pesë kushte, ku dy të parat lidhen me organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën, epilogu i së cilës do të ishte marrëveshja përfundimtare me Serbinë, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura. Qeveria po ashtu ka kërkuar prej SHBA-së dhe BE-së që të japin zotime publike dhe të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë: (i) Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre. (ii) Dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. (iii) Masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008.

Haradinaj ka listuar edhe kushte të tjera, që nuk ndërlidhen me dialogun.

Ai ka kërkuar zotimin e BE-së se do të hyjë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave përpara se të nisë konferenca.

Por Kryeministrit iu kundërvua me një dokument tjetër partneri i koalicionit, Kadri Veseli. Ai ka propozuar që taksa të pezullohet për 120 ditë, për t’i dhënë rast arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Kundër konferencës dhe kushteve të vëna nga qeveria është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo me arsyen se konferenca do t’i jepte mundësinë Serbisë të kërkoj përfshirjen e akterëve ndërkombëtarë që nuk janë miqësorë me Kosovën. Në letrën dërguar Presidentit amerikan Trump, presidenti i Kosovës e ka siguruar atë se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do t’i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë.

Propozimet e Kosovës

Mekanizmat shtetërore janë vënë në kërkim të zgjidhjes për fazën finale të dialogut me Serbinë, dhe përfundimisht kanë dalë me një Platformë zyrtare të Kosovë që pritet të paraqitet në parlament këtë javë. Presidenti Thaçi nuk e përjashton ndryshimin e kufijve ndërkaq qeveria dhe Delegacioni Shtetëror angazhohen për ruajtjen e kufijve mbi bazën e të cilëve Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Janë një varg temash që është paralajmëruar të jenë pjesë e pakos së marrëveshjes finale.

Nga katër raundet e fundit të takimeve në kuadër të dialogut për normalizim, janë 9 çështje specifike të cilat presidenti Thaçi i ka diskutuar me palën serbe dhe ndërmjetësuesen e dialogut, Mogherini. Kjo është evidentuar në Dokumentin Informues të Thaçit për Delegacionin Shtetëror.

Në asnjë paragraf të tij nuk përmendet korrigjimi i kufijve, të cilin Thaçi vazhdon ta promovojë në paraqitjet publike. Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit përmendet vetëm në kontekst të reciprocitetit me serbët e Kosovës.

Zyrtarisht e konfirmuar deri tani është se BE-ja dhe palët e përfshira në këtë proces nuk kanë prodhuar asnjë dokument të shkruar zyrtar i cili do të mund të konsiderohej si një draft fillestar për marrëveshje. Kësisoj, të gjitha çështjet e diskutuara deri më tani janë ende të hapura.

Prandaj, në proces të fazës përfundimtare vlen parimi i dakorduar ndërmjet palëve ‘asgjë nuk mund të konsiderohet si e pranuar, derisa marrëveshja në tërësi nuk është e pranueshme’. Ndonëse për temat e listuara është biseduar në të gjitha takimet, nuk është arritur pajtim mes Kosovës e BE-së, “pra nuk paraqet pozicion të finalizuar të Republikës së Kosovës apo të pranuar nga ana e BE-së”.

Pjesa e fundit e dokumentit flet për zbatimin dhe respektimin e Marrëveshjes eventuale me Serbinë. Kjo temë është iniciuar nga Zyra e Përfaqësues së Lartë për të inkurajuar identifikimin e modaliteteve për procedurën vendore dhe ndërkombëtare të Ratifikimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Për Kosovën është e domosdoshme që të zëvendësohet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me një Rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do ta fuqizonte Marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.  Kjo procedurë ndërkombëtare është parakusht që Kosova të aplikojë për anëtarësim në OKB.

Qasja e qeverisë – “Sui generis”

Qeveria nga ana e saj ka hartuar dokumentin të cilin e ka quajtur “Marrëveshja Gjithëpërfshirëse” mes Kosovës dhe Serbisë.  Kapitull i Parë i referohet Marrëveshjes Politike mes dy palëve. Ashtu siç Kosova trajtohet në të drejtën ndërkombëtare, qeveria të atillë e kërkon edhe marrëveshjen me Serbinë – “sui generis”.

Parakusht për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë është njohja e ndërsjellë dhe mosndryshimi i kufijve. Në Kapitullin 2, u bëhet përshkrim masave që duhet ndërmarrë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë mes dy popujve. Kjo synohet të arrihet nëpërmjet programeve që promovojnë shkëmbimet në arsim, edukim dhe promovim të të rinjve. Qeveria i siguron serbët se do të vazhdojnë t’i gëzojnë të drejta e tyre të garantuara me kushtetutë dhe ligje; të drejtën për punësim në administratën publike dhe ndërmarrje publike si dhe qasje në shërbimet publike dhe financim. Pjesë përbërëse e dokumentit është edhe krijimi i strukturave të përbashkëta për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që dalin nga lufta e viteve 1998-1999, përfshirë dëmshpërblimet, personat e zhdukur, krimet e dhunës seksuale dhe krimet e luftës. Në kuadër të marrëveshjes finale, qeveria ka propozuar të përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pikë kjo që ka shkaktuar përplasje mes Kosovës e Serbisë për shkak të kompetencave që do t’i ketë ky mekanizëm. Serbia ngul këmbë që udhërrëfyes për hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë, të jenë vetëm marrëveshjet e Brukselit, por jo edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka gjetur shkelje në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes së Parimeve të vitit 2015. Kapitull i veçantë në dokument është ai për implementimin e marrëveshjeve të dialogut teknik. Aty përmendet energjia, marrëveshja për targat, njohja e diplomave, menaxhimi i integruar i kufirit (IBM), zyra ndërlidhëse. Qeveria ka paraparë edhe Mekanizëm Mbikëqyrës për Implementim dhe Zbatim të marrëveshjes. Garantues të zbatimit të saj është propozuar të jenë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe Bashkimi Europian. Përveç këtyre dokumenteve, Delegacioni Shtetëror ka përgatitur Platformën për dialog, e cila së shpejti do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës.

Propozimet  e Serbisë

Në anën tjetër, Beogradi zyrtar deri tani nuk e ka bërë publik qëndrimin përkitazi me zgjidhjen finale. Udhëheqësit kryesorë atje vazhdojnë ta përmendin opsionin e ndarjes së Kosovës. Presidenti Vučić pati paralajmëruar se do ta bëjë publik propozimin e tij për zgjidhje fillimisht deri në prill 2018, e më pas në shtator, me rastin e vizitës në Kosovë, por deri më sot nuk ka dalë me propozim. Ai ka thënë se vendi i tij duhet t’i kuptojë edhe interesat e shqiptarëve dhe të bëjë përpjekje të arrijë marrëveshje kompromisi me Kosovën.

“E di se askush nuk dëshiron ta dëgjojë këtë fjali, por është thelbësore që t’i shohim edhe interesat e tjetrit dhe të bëjmë përpjekje të arrijmë kompromis”, tha Vučić në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me homologun slloven, Borut Pahor.

Në diskursin e politikanëve serb prej vitesh proklamohet ideja për ndarjen e Kosovës. Serbia synon që brenda sovranitetit të vet të përfshijë katër komunat e veriut, të banuara me popullatë shumicë serbe – Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin. Për nga madhësia, ky është një territor më i vogël se Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që Thaçi mendon t’ia bashkëngjisë Kosovës. Kërkesë tjetër e serbëve vazhdon të mbetet Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, me kompetenca ekzekutive.

comments

SHARE