Origjina e kishave dhe diversiteti

Le t’i japim fund përpjekjeve për të debatuar se çka i takon kujt e t'i shohim këto çështje më shumë si vazhdimësi e historisë, ndonëse me sfonde të ndryshme, shpesh lufta brutale, si një ndërlidhje mes popujve, si dëshmi edhe e shumë pikëpjekjeve të mira ashtu si edhe ndeshjeve brutale. Këto monumente duhet të kenë një kuptim të përbashkët të veçantë për komunitetet që kanë ndarë historinë e tyre bashkë.

0
693

Debatet për origjinën e kishave në Kosovë janë përdorur kohët e fundit si argumente politike që kanë mënjanuar historiografinë e vazhdimësisë së objekteve fetare në një mjedis kulturor dhe historik gjithnjë në ndryshim. Do të bënim mirë t’ia kujtojmë vetes se këto ndryshime janë të zakonshme për historinë botërore dhe nuk janë prej atyre që duhen gërmuar për objektiva politike ose nacionaliste. Debati rreth origjinalitetit dhe pronësisë është debat anakronik. Këto monumente kishtare janë dëshmitarë të vazhdimësisë dhe diversitetit të historisë; ato përfaqësojnë evolucionin dhe ecurinë e besimeve të ndryshme, kishave, tempujve dhe vendeve të adhurimit.

Siç është shkruar së fundmi në New Perspektiva, historia e Kosovës është sa e pasur aq edhe e larmishme. Trashëgimia kulturore e Republikës së Kosovës, e prekshme a e paprekshme, përbën një tërësi unike, të pandashme dhe të patjetërsueshme (si dhe historikisht të pashtrembërueshme), e cila me shekuj të tërë është përdorur nga banorët vendës shqiptarë dhe nga minoritetet. Ndaj, ajo duhet mbrojtur, ruajtur, përkujdesur dhe prezentuar ashtu siç është, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mësojnë për historinë dhe kulturën e pasur materiale të Kosovës. 

Nuk ka dyshim se monumente të jashtëzakonshme që i përkasin kishës ortodokse serbe janë ndërtuar në Kosovë dhe ato formonin një thelb të pranisë serbe. Kjo u shoqërua në të njëjtën kohë me konflikte brenda riteve të ndryshme të besimit të krishterë, latin dhe bizantin. Shumë prej tyre u ndërtuan mbi objekte të tjera të mëhershme fetare të ndërtuara nga njerëz me prejardhje të ndryshme. Më vonë u ndërtuan edhe xhami nën ndikimin osman, ashtu si edhe sinagoga nga hebrenj sefardikë të cilët erdhën nga perëndimi, megjithëse kjo ishte kryesisht më në jug.

Historia është plot me shembuj të rindërtimit të kishave. Unë jetoj jo shumë larg një kishe të vjetër e të bukur që ishte ndërtuar mbi një objekt pagan, brendia e së cilës kryesisht ishte shkatërruar  gjatë periudhës se Reformacionit anglez kur u ndryshua nga të qenit një vend adhurimi katolik në një vend adhurimi protestant.

Në lindje të Londrës, në Brick Lane ndodhet një xhami. Kjo xhami filloi jetën si një kishë e krishterë e ndërtuar nga themeli nga refugjatë protestantë hugenotë, të cilët erdhën në Angli në fillim të shekullit të 18-të nga Franca katolike për t’i shpëtuar persekutimit. Rreth dyqind vjet më vonë kisha u konvertua në sinagogë. Hugenotët ishin bërë të pasur nga puna e tyre në tregti tekstili dhe vendin e tyre e zunë refugjatët hebrenj që vinin nga Mbretëria ruse në fund të shekullit të 19-të për t’i shpëtuar persekutimit atje. Ata e shndërruan atë kishë në sinagogë por edhe hebrenjtë lëvizën pasi u pasuruan. Pas Luftës së Dytë Botërore, një komunitet bangladeshas filloi të mbërrinte në këtë pjesë të Londrës dhe, në vitet 1970, sinagoga u shndërrua në xhami. Të gjitha këto ndryshime ndodhën në mënyrë paqësore,  siç ndryshonin komunitetet, pa bërë askush pretendime mbi të kaluarën.

Në Spanjë, xhamitë e ndërtuara nën sundimin e maurëve islamik u konvertuan në kisha katolike pasi ai sistem u rrëzua nga mbreti Ferdinand në shekullin e 15-të me beteja dhe konflikte të tmerrshme. Disa nga ato kisha ende kanë minare p.sh. Alminar në Kordobë, sfondi historik dhe arkitektura e së cilës vlerësohet si pjesë e historisë kulturore dhe trashëgimisë së Spanjës, pavarësisht nga ngjarjet e vështira që i paraprinë kësaj. Xhamia e Madhe e re në Kordobë zëvendësoi kishën vizigote të Shën Vinsentit dhe sot ajo ende njihet si ‘Mezquita’, spanjisht për xhami. Minarja më vonë u konvertua në kambanore. Ajo pranohet gjerësisht si një shembull madhështor i arkitekturës islame, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Spanjës. Është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, siç janë edhe kishat ortodokse serbe në Kosovë.

Ishulli italian i Siçilisë ka gjithashtu shembuj të xhamive të adaptuara si kisha pas pushtimit norman.

Në Lindjen e Mesme, atdheu i Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit, ka kisha të cilat, me ndryshimin e historisë dhe besimeve të rajonit, janë konvertuar në xhami. Shembull konkret është Xhamia Umayyad, në Damask.

Polonisë, si rezultat i Luftës së Dytë Botërore, iu zhvendosën kufijtë drejt perëndimit në zonat që më parë ishin pjesë e Gjermanisë. Kishat atje që i përkisnin kryesisht besimeve protestante gjermane u konvertuan në vende adhurimi katolike romake. Polakët dhe gjermanët nuk luftuan rreth prejardhjes ose pronësisë, përkundër përvojave të hidhura dhe kujtimeve të Luftës së Dytë Botërore.

Le t’i japim fund përpjekjeve për të debatuar se çka i takon kujt e t’i shohim këto çështje më shumë si vazhdimësi e historisë (ndonëse me sfonde të ndryshme, shpesh lufta brutale), si një ndërlidhje mes popujve, si dëshmi edhe e shumë pikëpjekjeve të mira ashtu si edhe ndeshjeve brutale. Këto monumente duhet të kenë një kuptim të përbashkët të veçantë për komunitetet që kanë ndarë historinë e tyre bashkë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.