(Pa)kultura politike 

Prej kur kështu është bërë normale të pyesësh njerëzit që në takimin e parë nëse e flasin këtë apo atë gjuhë? Si është e mundur që u bë e pranueshme të pyesësh përfaqësuesin e qeverisë me të cilin negocioni për të ardhmen e Serbisë, Kosovës por edhe të regjionit se a e flet gjuhën tuaj? Në veçanti nëse i kemi parasysh marrëdhëniet serbo-shqiptare në Kosovë.

0
623

Përveç pandemisë së koronës të cilën tashmë me muaj po e jetojmë, javët e fundit tema kryesore në hapësirat tona është takimi i sërishëm i liderëve serbë dhe kosovarë në Bruksel. Pas njëzet muajsh pauze të takimeve në Bruksel dhe stopimit të procesit të negociimit midis Beogradit dhe Prishtinës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takuan më 17 korrik në Bruksel, në prani të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që takimi i parë pas një ndërprerjeje kaq të gjatë të mbahej në Uashington, duket që Bashkimi Evropian ia doli që të rikthejë rolin udhëheqës në këtë proces. Përveç kësaj, që mbledhja nuk ka qenë e lehtë, si dhe që është folur për personat e pagjetur, personat e zhvendosur dhe ekonominë, e sqaruan edhe përfaqësuesit serbë dhe ata kosovar, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Shumë çështje për të ardhmen e negociatave, ekipet negociatore, dhe nëse marrëveshja e Serbisë dhe Kosovës do të jetë përfundimtare – na mbetet t’i shohim.

Përveç të gjitha këtyre çështjeve, mbetën edhe mjaft komente të cilat me ditë po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale. Komente që para së gjithash fokusohen në njoftimin e Aleksandar Vučić-it dhe Avdullah Hotit.

Në fakt, derisa presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës po bëheshin gati për t’u fotografuar së bashku me Josep Borrellin, ata përshëndetën njëri-tjetrin me bërryla. Respektim i masave parandaluese në kohë të pandemisë. Mirëpo, ajo që e preokupoi vëmendjen e opinionit publik ishte mënyra se si Aleksandar Vučić iu drejtua Avdullah Hotit në gjuhën serbe. “A flet serbisht  Avdullah? A i kupton të gjitha”, pyeti presidenti serb, ndërsa kryeministri i Kosovës iu përgjigj “kuptoj”.

Shumëkush e përqeshi një situatë të tillë, kërkuan anë të mira dhe të këqija, e gjykuan atë… ajo që mbetet si përshtypje definitive, nëse e shikojmë këtë situatë nga niveli politik por edhe nga niveli i kulturës elementare: sa arrogancë dhe pakulturë në një vend! 

Derisa shumëkush këtë veprim të presidentit serb do ta komentonte si argëtues, unë do ta karakterizoja si veprim që tregon mangësi si të kulutrës politike ashtu edhe të asaj personale. Prej kur kështu është bërë normale të pyesësh njerëzit që në takimin e parë nëse e flasin këtë apo atë gjuhë? Si është e mundur që u bë e pranueshme të pyesësh përfaqësuesin e qeverisë me të cilin negocioni për të ardhmen e Serbisë, Kosovës por edhe të regjionit se a e flet gjuhën tuaj? Në veçanti nëse i kemi parasysh marrëdhëniet serbo-shqiptare në Kosovë.

Sado që ndoshta ka qenë e pritur që Avdullah Hoti me të vërtetë e flet gjuhën serbe, përse presidenti serb edhe një herë pati dëshirë të tregojë superioritet, nëse për asgjë tjetër atëherë të paktën në atë nëse negociuesi nga ana tjetër e flet gjuhën serbe? 

Dersia Serbia, me ditë të tëra që po i lëmë pas, duroi dhunë nga ana e policisë dhe shprehjen e superioritetit të një njeriu, duket që ajo dëshirë për të treguar superioritet u përhap edhe në Bruksel dhe në takimin me Hotin.   

Dikush shkroi në rrjetet sociale se ky veprim i Aleksandar Vučić-it është vetëm një pasqyrë e të gjitha tragjedive nga këto hapësira dhe arsyeja përse shqiptarët nuk duan të jetojnë me serbët. Pothuajse do të pajtohesha me këtë deklaratë. Përveç kësaj, do të shtoja edhe që kjo është një imazh dhe shprehje e qartë e pakulturës, asaj politike dhe asaj individuale. Tregues i një mosrespekti dhe matjes së pastër të forcave, pas së cilës më duket nuk do të pasojë asgjë e mirë. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.