Pagat e dyfishta shkaktojnë pakënaqësi në Ranillug 

0
115

Kohë parë, në Prokurorinë Themelore në Gjilan është ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari të komunës së Ranillugut për ‘mospërfillje të gjykatës’’. Sipas aktakuzës, Davor Petković, aktualisht nënkryetar i Komunës, nuk i është përmbajtur vendimeve të dy gjykatave, duke dëmtuar kështu 18 punëtorë arsimit në këtë komunë. Sipas njoftimit të prokurorisë, “të dëmtuarit kishin fituar kontestin, që vazhdonin të jenë marrëdhënie pune si punëtorë arsimit, mirëpo i pandehuri duke mos ekzekutuar këtë aktvendim, i kishte dëmtuar të njëjtit, pasi që ata nuk i gëzonin të drejtat e tyre, të cilat u ishin vërtetuar nga kjo gjykatë. New Perspektiva bisedoi me zotin Petković për të mësuar më shumë lidhje me rastin.

Tetëmbëdhjetë mësimdhënës serbë kishin paditur Drejtorin e Drejtorisë Arsimit, Davor Petković, në Gjykatën e Gjilanit, në vitin 2016, pasi mbetën jashtë listës së pagave të kësaj drejtorie e cila funksionon nën ligjet e Republikës së Kosovës.

Petković, tani nënkryetar i komunës së Ranillugut, rrëfen për New Perspektivën se sistemi arsimor i Kosovës, në kornizat e tij përfshin vetëm 110 vende të punës me paga të rregullta në buxhetin e ndarë nga Ministria e Financave për Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Ranillugut.

“Sistemi që është duke punuar aktualisht ka 257 punonjës. Kur po them sistemi, po i referohem sistemit paralel serb që aktualisht vepron në komunën tonë. Kështu, sado që i ndajmë pozitat, gjithmonë do të ketë disa njerëz që fizikisht s’do të kenë mjaftueshëm vend për t’u futur nën sistemin kosovar”, shton ai.

Nënkryetari i Ranillugut thekson se si komunë nuk kanë pozita me orar të plotë, dhe kështu çdo gusht detyrohen t’u japin pushim punonjësve, ngase, sipas tij, në këtë formë po mundohen që t’i pozicionojnë njerëzit në vende të punës, në mënyrë ata të ndihen të kënaqur. Ai thotë se kështu, të paktën për një vit, ata marrin rrogë, e tjetrin vit pauzojnë, por disa janë decidivisht të pakënaqur me këtë formë menaxhimit, andaj edhe kanë vendosur që ta padisin atë.

Ajo çfarë e brenë nënkryetarin Petković është fakti se anipse për çdo vit 110 persona marrin rrogë dyfishtë duke qenë punësuar edhe nën sistemin e Kosovës e edhe nën atë paralel të Serbisë, prapë ka persona të pakënaqur me këtë mënyrë menaxhimit.

Pas padisë ngritur, Gjykata e Gjilanit ka kërkuar nga Petković t’i kthejë në listën e pagave kosovare këta 18 persona, bazuar, siç thotë ai, në kontratën që ata kishin me sistemin serb, pa dëgjuar fare sqarimet e ofruara prej tij.

“Bazuar në këtë kërkesë, unë iu drejtova Ministrisë Financave dhe Ministrisë Arsimit, nga të cilët kërkova të ngrisin buxhetin, me ç’kusht do të mund të përfillja detyrimin që del nga Gjykata e Kosovës. Nuk mora asnjë përgjigje”, thotë Petković.

Ministri aktual i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqiri Bytyqi ka deklaruar se kërkesat e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) për buxhet shtesë nga MASHT-i janë joligjore, meqë secila komunë e ka të përcaktuar grantin qeveritar për arsim, të ndarë nga Ministria e Financave.

Por ish-drejtori i arsimit në Ranillug thotë se, këtë vit, buxheti i ndarë për sistemin e edukimit për këtë komunë është për 100.000 euro më i ulët sesa ai i vitit të kaluar, gjë kjo e cila i pamundëson atij të kthejë në sistemin e pagave këta 18 punonjës të pakënaqur nga 147 gjithsejt që marrin vetëm një pagë nga sistemi paralel serb.

“Edhe unë do të dëshiroja të merrja dy paga për punën që bëj. Ky është një sistem unik, ku për një punë dikush merr dy paga”, tha ai.

Sipas z. Petković, problemi më i madh i personave të pakënaqur është se ai po e mbron sistemin nën të cilin është duke punuar, atë Kosovës, për këtë ata edhe e kanë akuzuar atë edhe si kriminel dhe keqpërdorues të detyrës zyrtare.

“Unë nuk kam të bëjë fare me sistemin serb, unë punoj me ligjet e Kosovës. Nuk më intereson fare sistemi paralel,” shprehet Petković.

Edhe pse kanë kaluar dy vite nga koha kur është ngritur padia kundër tij, Petković thotë se ende nuk është mbajtur as seanca e parë gjykuese, e as nuk ka pranuar fare ndonjë ftesë zyrtare nga Gjykata për rastin në fjalë.

Qytetarët e Ranillugut kanë raporte të shkëlqyeshme ndër-etnike me njëri tjetrin, thotë nënkryetari i kësaj komune, i cili shton se 99 % prej tyre janë pajisur me letërnjoftim kosovar dhe janë integruar tërësisht.

Z. Petković mendon se kjo çështje e pagave të dyfishta do të duhej të shtrohej në bisedimet në Bruksel. Ai thekson se ka dëgjuar që ka premisa që diçka e tillë diskutohet dhe të ndiqet modeli të cilin e kanë ndjekur disa nga shtetet perëndimore, të cilat kanë pasur probleme të ngjajshme si kjo, me pakicat dhe sistemin arsimor për ta.

comments

SHARE