Pajtimi dhe e Vërteta nuk mbërrihen nga anonimë dhe analfabetë

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin nuk është një mision që duhet të mbahet i fshehur nga sytë e opinionit publik. Dhe nuk duhet të trajtohet si njëmijë-e-një telashet e tjera me të cilat merren organizatat e shoqërisë civile: si një kotësi tjetër. Është projekt serioz dhe meriton të çlirohet nga anonimiteti e analfabetizmi.

0
129

Disa OJQ (Organizata jo-qeveritare) i kishin ftuar 14 gra në një fokus-grup për të diskutuar mbi komisionin e themeluar nga presidenti, Hashim Thaçi, për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ato ishin viktima të krimeve të luftës.

Siç mund të shohim nga një artikull i paguar në  njërin prej mediumeve në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk ka as emër, as mbiemër, as iniciale dhe as ndonjë element tjetër identifikues. OJQ-të në fjalë bartin fjalët e tyre pa i përveçuar autoret dhe nuk tregojnë nëse anonimiteti ishte kërkesë e 14 individëve në fjalë apo thjesht vullnet i tyre.

Por, nëse këto gra deshën të mbesnin anonime, a s’mund të gjendeshin gra të tjera që të flisnin me emër e mbiemër, apo qoftë vetëm me iniciale, marrë parasysh rëndësinë e publicitetit të kësaj ngjarjeje?

Përgjigjja është JO. Gratë e këtij rasti konsiderohen në formë klasike thjesht si alete që flasin. Nuk është ky fokus-grup njëlloj si fokus-grupet e tjera. Nuk është kjo tematikë njësoj si të tjerat. Të krijohet përshtypja se ato merren si dhimbje që duhen eksploatuar. Si një hap i domosdoshëm drejt rrugës së vjeljes së fondeve. Kaq.

Artikulli i mësipërm është i botuar online por ndoshta edhe në version të shtypur. Dhe për këtë janë paguar para. Sidoqoftë, e dimë se qëllimi i donatorit ishte që puna e bërë në fokus-grup të plasohej në publik. Të kishte një impakt sa më të madh te opinioni publik. Që qytetarët e Kosovës të mendonin në lidhje me çështjen. Mirëpo, duket se qëllimi i disa ojq-istëve ashiqare dallon në rrënjë nga ai i donatorit/donatorëve: ata mësyjnë që thjesht ta plotësojnë kërkesën e vënë në kontratë, shkel-e-shko, përngutshëm, sepse s’i japin përgjegjësi askujt. S’i han palla këtij ojq-isti kosovar që artikulli është krejt i palexueshëm, i pastrukturë, me gabime drejtshkrimore, me sintaksë të çalë, që e ka ndarjen në paragrafe të palogjikshme, që nuk ka asnjë epigraf, e që e mban një titull që nuk ndjell dëshirën për lexim.

Por, nuk janë vetëm OJQ-të në fjalë pjesë e problemit. Këtu e kemi edhe mediumin që përkundër sponzorizimit as nuk është lodhur që të merrej me redaktimin dhe lekturimin e tekstit. Po aq sa për artikujt e tjerë të sponzorizuar ku reklamohen shërbime e mallra të ndryshme.

Shumica prej grave ishin të mendimit që duhet të ketë pajtim. Megjithatë, ato konsideronin se Serbia duhet të kërkoj falje paraprakisht për krimet që ka kryer gjatë luftës në Kosovë: Serbia duhet me na kërku neve falje edhe na duhet me u pajtu, për me na pranu si shtet, pa u bo nji pajtim, nji marrëveshje s’kem ku me shku, o kanë shka o kanë..” – thotë njëra nga fjalitë e këtij artikulli.

As pajtimi e as e vërteta nuk mund të bëhen në formë anonime e analfabete. Në fakt, asnjë problem shoqëror në Kosovë nuk do të zgjidhet nga OJQ të papërgjegjshme e mediokre që s’ia kanë haberin për asnjë punë veç vjeljes së fondeve.

Kjo është çështje serioze dhe meriton trajtim serioz!

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin nuk është një mision që duhet të mbahet i fshehur nga sytë e opinionit publik. Dhe nuk duhet të trajtohet si njëmijë-e-një telashet e tjera me të cilat merren organizatat e shoqërisë civile: si një kotësi tjetër. Është projekt serioz dhe meriton të çlirohet nga anonimiteti e analfabetizmi. Meriton diskutim tepër dinamik mbarëshoqëror.

SHARE