Pajtimi – rrugë apo qëllim 

Pajtimi është vërtet një proces, apo të themi rrugë, por në thelb është edhe qëllim, sepse procesi në të cilin do të duhej të shëroheshin plagët edhe të njërës edhe të palës tjetër nuk mund dhe nuk guxon të zgjasë shkurt sepse do të ishte sipërfaqësor e me këtë edhe do të linte shumë boshllëqe të cilat disa gjeneratave të ardhshme do të mund t’u shërbenin si bazë për krijimin e politikave të pakënaqësisë dhe revizionimit të të gjithë asaj që është dakorduar.

0
82

Gjatë tërë këtyre viteve pas luftës, pothuajse për të gjithë aktorët politik në Kosovë, por edhe për përfaqësuesit e sektorit joqeveritar, tema kryesore rreth së cilës janë mbledhur është pikërisht pajtimi i serbëve dhe shqiptarëve si zgjidhje e vetme e konflikteve dhe mospajtimeve.  Mirëpo, pajtimi është gjendje kur as njëra as tjetra palë nuk kanë çështje të hapura ndaj njëra-tjetrës as në planin politik e as në cilindo plan tjetër, gjë që në Kosovë gjithsesi nuk është ashtu dhe këtë duhet ta pranojmë si fakt i cili është aty dhe i cili kushtëzon gjithçka, madje edhe mbijetesën e të gjithë neve këtu ku jemi.   

Para disa vitesh u inicua i ashtuquajturi proces i negociatave i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të paraqesë pikën fillestare në procesin e pajtimit dhe i cili, me rezultatet e veta, do të duhej përfundimisht t’i kontribuojë pajtimit midis dy popujve. Mirëpo, siç po e shohim, procesi ka zgjatur, e nuk ka ndodhur gjë, edhe ajo që ka ndodhur dhe që është zbatuar në vepër po shkrihet ngadalë nën dritën e asaj që po ndodhë gjatë disa muajve të fundit në formën e ashpërsimit të marrëdhënieve në relacionin në të cilin vetëm disa muaj më parë janë zhvilluar negociata. 

Pajtimi është vërtet një proces, apo të themi rrugë, por në thelb është edhe qëllim, sepse procesi në të cilin do të duhej të shëroheshin plagët edhe të njërës edhe të palës tjetër nuk mund dhe nuk guxon të zgjasë shkurt sepse do të ishte sipërfaqësor e me këtë edhe do të linte shumë boshllëqe të cilat disa gjeneratave të ardhshme do të mund t’u shërbenin si bazë për krijimin e politikave të pakënaqësisë dhe revizionimit të të gjithë asaj që është dakorduar. Si të tillë, rrugën e pajtimit duhet filluar, por jo edhe përshpejtuar në mënyrë që të mos mbeten boshllëqe dhe ashtu që secila çështje e ngutshme të zgjidhet me kompromis dhe me zgjidhje që pranohen nga të dyja palët. Por, siç po e shohim, madje edhe procesi i përmendur i negociatave në Bruksel është ndalur, e gjithnjë e më pak është e sigurt se do të vazhdojë, qoftë edhe në ndonjë format tjetër. 

Personalisht mendoj që është për të ardhur keq dhe e mjerueshme që fati i njerëzve që jetojnë në Kosovë lidhet ngushtë me procesin i cili po zhvillohet larg syve të po atyre njerëzve dhe që procesin, i cili duhet t’i pajtojë ata njerëz dhe të krijojë gjendjen në të cilën njëri-tjetrit sinqerisht t’ia shtrijnë dorën, në të vërtetë po e udhëheqin ata që në njëfarë mënyre edhe kanë kontribuar që të vijë deri tek gjendja e grindjes dhe konfliktit. Por pjesa e dytë e shekullit të 20-të dhe fillimi i shekullit të 21-të janë shënuar me hipokrizi diplomatike të fuqive të mëdha ndaj popujve të vegjël dhe ky është fakt, deshëm ne ta pranonim këtë apo jo. Rruga e pajtimit është e tillë që zgjatë shumë dhe zhvillohet ashtu që njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin, nëse asgjë tjetër nuk është e mundur. Qëllimi është pajtimi si gjendje kur temat e bisedimeve midis njerëzve të mos jenë ngjarjet e vitit 1999 dhe kur problemet e vetme të jenë disa që nuk kanë të bëjnë me viktimat, dëmet apo ndonjë faj të njërit ndaj tjetrit. Thënë thjesht, pajtimi është gjendje kur dallimet në përkatësinë nacionale nuk do të jenë pengesë, kur gjuha nuk do të jetë arsye që të urreni dikë, kur religjioni të mos jetë pengesë porse pasuri si e njërit ashtu edhe e tjetrit, kur trashëgimia kulturore e një populli të respektohet si ajo e vetja, kur ardhmëria e një populli paraqet edhe ardhmërinë e popullit tjetër. Sa jemi larg nga kjo këtë askush nuk e di, ndoshta për shkak se ai kufi është larg përtej horizontit, me vullnetin e atyre që pas atij horizonti edhe jetojnë larg nga të gjithë ne. 

SHARE