Paqartësia e qëllimshme në dialog lë në mjegull qytetarët e Kosovës

Prej kur ka filluar dialogu mes “Beogradit dhe Prishtinës” (kështu e quajnë në Bruksel për të mos lënë përshtypjen se Kosova po trajtohet si shtet) vazhdimisht dëgjojmë se qëllimi kryesor është zgjidhja e problemeve të përditshme të qytetarëve. Duke tentuar të lënë anash “çështjet politike” në Bruksel ata që quhen “lehtësues” na thonë se duan të zgjidhin problemet praktike duke respektuar në të njëjtën kohë qëndrimet e “të dyja palëve” rreth statusit të Kosovës.

0
552

Prej kur ka filluar dialogu mes “Beogradit dhe Prishtinës” (kështu e quajnë në Bruksel për të mos lënë përshtypjen se Kosova po trajtohet si shtet) vazhdimisht dëgjojmë se qëllimi kryesor është zgjidhja e problemeve të përditshme të qytetarëve. Duke tentuar të lënë anash “çështjet politike” në Bruksel ata që quhen “lehtësues” na thonë se duan të zgjidhin problemet praktike duke respektuar në të njëjtën kohë qëndrimet e “të dyja palëve” rreth statusit të Kosovës.

Por në këto përpjekje BE-ja ka lejuar qëllimisht që të krijohen shumë paqartësi për qytetarët rreth dialogut, qëllimeve dhe rezultateve të tij. Aq më tepër zyrtarët e BE-së në Bruksel e kanë zgjedhur pikërisht atë që e quajnë “ambiguitet konstruktiv” si një mënyrë veprimi e cila u mundëson të arrijnë qëllimin e tyre. Pra në këto rrethana, për BE-në jo vetëm se nuk është problem nëse Prishtina dhe Beogradi i kuptojnë ndryshe, i interpretojnë ndryshe dhe u thonë qytetarëve gjëra të ndryshme rreth dialogut por një gjë e tillë është edhe e mirëseardhur. Sepse, besojnë në Bruksel, vetëm kështu secila palë mund t’ia shesë opinionit të vet rezultatet e dialogut e të mos quhet tradhtare.

Kështu në dialog kemi pasur aq shumë shembuj të këtij “ambiguiteti” i cili shihet edhe në formulimin e fjalive në marrëveshje. Madje janë përdorur edhe mundësitë gjuhësore në gjuhë të ndryshme. Për shembull në asnjë dokument të shkruar nuk mund të gjeni se çfarë nënkuptohet me shkurtesën “IBM” në njërën prej Marrëveshjeve më të rëndësishme mes palëve. Kjo shkurtesë është marrë nga anglishtja e që për Kosovën do të thotë “Integrated Border Management” ndërsa për Serbinë “Integrated Boundary Management”. Në anglisht të dyja këto lënë mundësinë për akronimin “IBM” por njëra, për t’i bërë qejfin shqiptarëve, flet për menaxhimin e integruar të kufijve ndërsa tjetra për qejfin e serbëve për pikë-kalimet administrative por që nuk janë kufij shtetëror. E sa e qëllimshme është kjo dëshmon edhe fakti se edhe në dokumentet e përkthyera në shqip dhe serbisht, që të dyja gjuhë të barabarta zyrtare të Republikës së Kosovës, përdoret akronimi IBM që del nga anglishtja por jo e gjithë fjalia, e as nuk përshkruhet se për çfarë është fjala.

Shembull tjetër është edhe marrëveshja për krijimin e asaj që shqiptarët e quajnë “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe” ndërsa serbët “Bashkësi të Komunave me shumicë serbe”. Edhe në serbisht ekziston fjala “asocijacija” ose “udruženje” që do të ishte përkthim i saktë nga “asociacioni”. Por ky emërtim përdoret më shumë për organizata joqeveritare, shoqata të ndryshme, çfarë politikanët e Kosovës duan ta paraqesin se do të jetë ky “Asociacion”. Por Beogradi dhe serbët e Kosovës e shohin këtë si një “Zajednica”, pra “Bashkësi” që ka një kuptim krejt tjetër dhe shumë më të lartë. “Zajednica” (Bashkësia) nga serbët kuptohet si një entitet autonom brenda Kosovës.

Për BE-në kjo dykuptimësi është e mirëseardhur. Për të nuk është problem pse 5 shtete anëtare të saj nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në fakt është një gjë jashtëzakonisht e mirë sepse, siç e pranojnë vet “lehtësuesit”, u mundëson që shqiptarëve t’u thonë një gjë e serbëve një gjë tjetër. “Shqiptarëve u themi se 23 nga 28 shtete të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo është një gjë e kryer. Serbëve u themi se BE-ja në procesin e zgjerimit dhe të politikës së jashtme vepron me konsensus prandaj, derisa të gjitha shtetet nuk e njohin Kosovën, Kosova për ne nuk është shtet dhe ne jemi neutral ndaj statusit,” kishte thënë para disa vitesh një zyrtar i lartë i BE-së i angazhuar në lehtësimin e dialogut. Madje shpesh thonë se BE-ja respekton dhe Kushtetutën e Serbisë e cila thotë se “Kosova është pjesë e Serbisë” por edhe Kushtetutën e Kosovës e cila e thotë të kundërtën.

Krejt këto akrobacione të BE-së dhe të Prishtinës e Beogradit mund të kuptohen nga këndvështrimi i një menaxheri i cili do që të jetë praktik dhe pragmatik në zgjidhjen e problemeve. Por ku i lë qytetarët një qasje e tillë? I lë në mjegull, në iluzione dhe me pasoja për shkak të këtyre paqartësive. Sot në veri të Kosovës mund të takoni qytetarë të përkatësisë etnike serbe të cilët nuk e dinë a do t’u njihen nga autoritetet e Kosovës apo jo diplomat e Universitetit në këtë pjesë të Mitrovicës. Mund të gjeni njerëz që kanë humbur punën në Doganat e Serbisë por që nuk janë transferuar në Doganat e Kosovës dhe nuk dinë kujt mund t’i drejtohen. Nuk dinë as shqiptarët që janë shtetas të Serbisë nëse do t’u pranohen apo jo në Serbi diplomat nga Universiteti i Kosovës. Këta janë vetëm disa nga shembujt real se si paqartësia e dialogut nuk ndihmon qytetarët e në anën tjetër u krijon atyre iluzione edhe rreth realitetit politik.

Kur në Bruksel të mendojnë rreth udhëzimeve teorike për metodat e ndërmjetësimit të negociatave mes palëve të cilat kanë qëndrime diametralisht të kundërta, dhe kur në teori u duket vërtetë e domosdoshme që të jenë qëllimisht të paqartë, duhet ta dinë se pasojat e këtyre paqartësive do t’i ndiejnë qytetarët. E ata nuk po shohin aq shumë dobi nga dialogu, dhe realiteti në terren në Kosovë është shumë më i zymtë sesa që duket nga Brukseli. BE-ja do të duhej të shërbente edhe si lehtësuese ndaj qytetarëve dhe t’u sqarojë atyre se çka është e vërtetë e çka jo kur Beogradi dhe Prishtina japin interpretime të ndryshme rreth të njëjtës gjë.

SHARE