Parimet e Kurtit për mbylljen e “plagës” që hapi ideja për shkëmbim territoresh

0
46

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme të mbajtura muajin e kaluar, thotë se për të përgatitur dialogun e ardhshëm me Serbinë duhet mbyllur “një plagë e hapur nga dy vitet e fundit të bisedimeve”, që ai i cilëson sekrete, midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vučić, sa i përket shkëmbimit të territoreve.

Në një intervistë për New Perspektivën, zoti Kurti thotë se do t’i propozoi tri parime për ta mbyllur këtë plagë: nuk ka marrëveshje pa dialog, nuk ka dialog me harta, dhe nuk ka harta me presidentët rreth tyre. Projekti i tyre për këmbimin e territoreve dështoi, shton ai, por ideja ende nuk ka vdekur.

Zoti Kurti thotë se pret me padurim ta diskutojë këtë çështje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili ka thënë se vizitën e tij të parë në detyrë do ta bëjë në Kosovë. Në intervistën për New Perspektivën, zoti Kurti thotë se dëshiron të shohë nëse zoti Borrell do të bëjë shkëputje nga pararendësja e tij në këtë post, Federica Mogherini, e cila i ka lehtësuar bisedimet mes dy presidentëve.

SHARE