Partitë opozitare i shkruajnë letër Mogherinit, kundërshtojnë ndryshimin e kufijve

0
67

Partitë opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa, i janë drejtuar me një letër shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini.

Përmes një postimi i Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se përmes kësaj letre, partitë opozitare kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me idenë që po diskutohet për ndryshimin e kufijve, duke thënë se ide të tilla “nuk do të përkrahen”.

Opozita, sipas Hotit, ka kërkuar që faza finale e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, të bazohet “në parime të qarta dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës”, ka shkruar tutje Hoti në Facebook.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka nisur në vitin 2011. Sipas Bashkimit Evropian, që ndërmjetëson bisedimet, në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.

(evropaelire.org, 12/09/2018)

comments

SHARE