Pasojat politike dhe praktike të dështimit në Interpol

Refuzimi i Kosovës është një goditje jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Interpolin dhe përpjekjet e tij për të rritur nivelin e sigurisë botërore. Sa më shumë anëtarë që ka Interpoli, aq më efikas në punën e tij është. Sa më shumë shtete jashtë Interpolit, aq më shumë “vrima të zeza” që gëlltisin gjurmë të krimit dhe në të cilat Interpoli nuk ka qasje.

0
114

Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol.

Pas vitit 2015 dhe 2016, ky është dështimi i tretë i Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Vitin e kaluar Kosova u tërhoq nga kërkesa për anëtarësim, duke e pranuar në mënyrë implicite dështimin.

Anëtarësimi i Kosovës do të ishte i rëndësishëm jo vetëm për të, por edhe për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Pasojat janë edhe politike, edhe praktike.

Në rrafshin politik, Kosova do të bënte një hap tjetër drejt konsolidimit të shtetit të saj në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia do të pësonte një tjetër disfatë.

Në rast të dështimit, Kosova do të zhytej edhe më tej në margjinat e politikës ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia do të shënonte një fitore diplomatike në luftën e saj kundër afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

Por efektet politike të kësaj ngjarjeje nuk kufizohen vetëm në raportet Kosovë-Serbi. Kina është njëri nga proponentët kryesorë në ofensivën diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Edhe vitin e kaluar në takimin e Asamblesë së Interpolit të mbajtur në Kinë, ishte pikërisht nikoqiri ai që ishte më aktivi në fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Arsyeja kryesore për këtë qëndrim të Kinës është kontesti i saj me Tajvanin, që e konsideron pjesë të veten.

Kina është duke e bllokuar edhe afrimin e Tajvanit me Interpolin. Kina ka arritur që të pengojë hedhjen në votim të kandidaturës së Tajvanit për statusin e vëzhguesit në punimet e Asamblesë së Përgjithshmë në Dubai.

Gjatë muajit të kaluar Interpoli refuzoi pa ekuivoke kërkesën e Tajvanit duke thënë që Kina është i vetmi shtet përgjegjës për territorin e Kinës, ku juridikisht bën pjesë edhe Tajvani.

Me arsyetimin se nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, Kina ka orkestruar një kampanjë të ashpër edhe kundër pranimit të Kosovës në Interpol.

Në rrafshin praktik, anëtarësimi i Kosovës do të ishte i mirëseardhur për sigurinë (ndër)kombëtare. Interpoli është formuar për të rritur bashkëpunimin mes policive të shteteve, diçka shumë e nevojshme në këto kohë.

Interpoli edhe tani mundëson ndihmë të ndërsjellë mes shteteve të ndryshme duke përshkuar kufij dhe sisteme të ndryshme ligjore. Ka një ndërlidhje administrative mes agjencive që vendosin rend dhe ligj, mban mostra të ADN-së, lista të kërkimit dhe databazë të dokumenteve të vjedhura.

Kombëtarisht, Kosova do të bëhej pjesë e një institucioni që do të rriste kapacitetet për siguri dhe mbrojtje nga rreziqe të ndryshme. Do të rriste bashkëpunimin me policitë rajonale dhe më gjërë për të bërë Kosovën vend më stabil. Do ta dobësonte rolin e Kosovës si konsumuese e sigurisë dhe do t’ia forconte rolin si një prodhuese e rendit dhe ligjit.

Anëtarësimi do t’i mundësonte Kosovës që të lëshonte fletarreste edhe për personat që janë jashtë Kosovës. Këtë Kosova do të mund ta përdorte si instrument për t’iu kundërpërgjigjur Serbisë që ende lëshon fletarreste ndërkombëtare për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se Kosova ka një listë të emrave për të cilët do të lëshojë fletarrest, por pa dhënë informacion shtesë për shkak se kjo do të ndikonte negativisht në procesin e anëtarësimit. Është gati e sigurt se shumë emra në këtë listë janë pjesëmarrës serbë në luftën e Kosovës.

Ndërkombëtarisht, kompasi i policisë vazhdon të jetë lokal dhe i kurthuar në limitet burokratike brenda kufijve shtetërorë. Ndërkohë kriminaliteti gjithnjë e më shumë po deterritorializohet. Trafikimi me njerëz dhe narkotikë, terrorizmi dhe krimi kibernetik tani operojnë në rrjete transnacionale.

Kjo e bën të domosdoshëm thellimin e bashkëpunimit policor për t’iu përgjigjur trendeve kriminale. Për këtë është i nevojshëm një mekanizëm i madh ndërkombëtar që është inkluziv në përfshirje dhe efektiv në funksionim.

Nën dritën e këtyre nevojave, refuzimi i Kosovës është një goditje jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Interpolin dhe përpjekjet e tij për të rritur nivelin e sigurisë botërore. Sa më shumë anëtarë që ka Interpoli, aq më efikas në punën e tij është.

Sa më shumë shtete jashtë Interpolit, aq më shumë “vrima të zeza” që gëlltisin gjurmë të krimit dhe në të cilat Interpoli nuk ka qasje. Për shembull, në rast se një terrorist futet në Kosovë, vendet tjera e kanë më të vështirë të shtyjnë Kosovën që t’ua dorëzojë atyre atë.

Kosova, së bashku me Qipron Veriore, Tajvanin, Korenë e Veriut, Maltën dhe disa ishuj në Paqësor janë shtetet e vetme jashtë çadrës së Interpolit. Fatkeqësia qëndron në faktin se Interpoli injoron pasojat praktike për shkak të interesave strategjike të anëtarëve të tij.

Nuk ka asnjë arsye të fortë praktike dhe profesionale e cila flet kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova ka një forcë solide policore me 8 mijë anëtarë, me 12% serbë dhe operon nën një komandë kompakte të Ministrisë së Brendshme.

Nuk ekziston ndonjë argument valid që vë në dyshim gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar në nivel ndërkombëtar. Interpoli tani ka në radhët e tij shtete anëtare që kanë abuzuar sistemet e tyre policore për të ndjekur qëllime politike, si Rusia, Irani e Turqia.

Ka shtete që përdorin aparatet policore kundër të drejtave të njeriut, si në Birmani, Siri dhe Arabi Saudite dhe shtete me qeveri gati krejtësisht jofunksionale, si Somalia, Sudani Jugor dhe Jemeni.

Pas anëtarësimit të Palestinës në Interpol vitin e kaluar, nuk ka më asnjë arsye serioze për mospranimin e shteteve të kontestuara ndërkombëtarisht. Për më tepër, në secilin segment të sigurisë, Kosova qëndron më mirë se Palestina.

Fatkeqësisht, të gjitha këto argumente iu nënshtruan kalkulimeve strategjike të shteteve anëtare të cilat injoruan nevojat praktike të një bote gjithnjë e më komplekse dhe vendosën të votojnë në bazë të aleancave politike që mbrojnë interesat e tyre nacionale.

Gjithsesi, kjo e bën të qartë atë që po kristalizohet çdo ditë e më shumë: që afirmimi i mëtutjeshëm ndërkombëtar i Kosovës varet më shumë nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë e më pak nga cilësia e fushatave lobuese në favor të Kosovës.

Nuk ka lob që mund t’ia ndërrojë mendjen Kinës dhe Rusisë pa një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Me një ShBA gjithnjë e më pak dominante në institucionet ndërkombëtare, këto dy vende me satelitët e tyre do të vazhdojnë të mbajnë Kosovën edhe më tej në skajet e politikës ndërkombëtare.

comments

SHARE