Pastrim me themel 

Derisa serbëve të Kosovës u intereson para së gjithash nëse dikush do t’ua shtrojë rrugën apo do t’ua sigurojë kushtet themelore jetësore, politikanët janë të fokusuar në organizimin e pritjes për presidentin e Serbisë, i cili, sipas të gjitha gjasave, nuk do të zgjidhë asgjë kurse do të premtojë shumë. Si zakonisht.

0
356

Pas paralajmërimeve për luftë, ndarjes së kufirit, marrëveshjes finale rreth ndarjes së Kosovës, marrëveshjeve të reja në Brukselit, erdhi lajmi i ri i cili i preokupoi mendimet e banorëve të Kosovës. Sepse kështu shkon kjo, tema me “rëndësi të jashtëzakonshme” në mënyrë konstante qarkullojnë midis banorëve të Kosovës, e në veçanti midis serbëve. Kësaj here, as më pak as më shumë: për vizitë po vjen presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vučić. Siç po njoftohet nëpër media, do të shkojë dhe do të vizitojë disa vende në Kosovë në të cilat asnjë president i Serbisë nuk i ka vizituar. Natyrisht, siç ndodh zakonisht me presidentin e Serbisë, të gjitha këto janë “për të parën herë në histori.” 

Natyrisht, ky lajm krijoi edhe një rrëmujë të përgjithshme midis politikanëve lokalë, sepse çdo gjë duhet të jetë e gatshme dhe e rregulluar për ardhjen e presidentit. Menjëherë pas caktimit të datës, nisën njoftimet për praninë e obligueshme nëpër mitingje. Sepse, siç ndodh zakonisht, institucionet lokale i urdhërojnë të punësuarit e tyre që të marrin pjesë në mitingjet e politikanëve serbë, në të kundërtën vendet e tyre të punës mund të vihen në pikëpyetje. Se sa larg ka shkuar ky obligim i punës për këtë flet edhe fakti se është bërë diçka normale dhe që për këtë flitet publikisht. Por, po ashtu edhe shembulli i profesorit serb nga Kosova i cili jep një deklaratë që nuk dëshiron të shkojë në mitingun e presidentit të Serbisë sepse ky nuk është vullneti i tij. Por nëse jeni të punësuar në institucionet lokale dhe eprorët Tuaj duan t’ju shohin Ju në miting, është e qartë që nuk keni zgjedhje.

Mirëpo, përgatitjet kolektive për shkuarje kolektive në miting nuk janë e vetmja gjë. Në të vërtetë, përgatiten dhe pajisen edhe vendet të cilat do të vizitohen nga ana e presidentit. Si shembull po e marrim një fshat në komunën e Leposaviqit (me qëllim të ruajtjes së privatësisë së banorëve të fshatit, nuk po ia them emrin). Pra, ditën e parë kur është paralajmëruar ardhja e presidentit serb në Kosovë, vizita u paralajmërua pikërisht në këtë fshat. E deshën ata Vučić-in apo jo, për banorët e një fshati të zakonshëm të Leposaviqit kjo ishte shumë me rëndësi. Shpejt pas paralajmërimit të ardhjes së presidentit, pasoi edhe mbledhja në fshat me njerëzit udhëheqës të komunës me qëllim të dakordimit rreth pritjes dhe tubimit të njerëzve, ashtu siç politikanëve u pëlqen të thonë, “në numër sa më të madh”. I erdhi radha edhe takimit të paralajmëruar. U mblodhën banorët e atij fshati lokal, natyrisht në numër sa më të madh, duke i pritur të gjitha informatat rreth organizimit të vizitës së presidentit Vučić. Mirëpo, çdo gjë mbeti vetëm me këtë paralajmërim. Siç e shpjeguan këtë politikanët lokal, presidenti megjithatë nuk do të arrijë të ndalojë në fshat për shkak të obligimeve të shumta që i ka gjatë vizitës. Por, heqja dorë nga vizita e presidentit Vučić nuk është ajo që më së shumti i zhgënjeu banorët e këtij fshati. Ishte kjo një gjë krejtësisht tjetër. Në fakt, entuziazmi i shkaktuar me ardhjen e presidentit Vučić fshihej në shpresën e njerëzve që jetojnë në këtë fshat se me një rast të tillë do të asfaltohet rruga e cila përbën një nga problemet më të mëdha për të gjithë ata që jetojnë në këtë fshat. Bëhet fjalë për një fshat edhe jo gjithaq të vogël, si me sipërfaqe ashtu edhe sa i përket numrit të banorëve, ku ende nuk është asfaltuar rruga, kurse disa pjesë të fshatit kohët e fundit po bëhen gjithnjë e më pak të qasshme. Me këtë rast, menduan banorët, meqenëse presidenti po vjen, ndoshta dikush, në mes të kësaj përgatitjeje të madhe, do të vendoste t’ua ndërtojë rrugën. Kështu edhe kjo mbledhje pëfundoi me pyetje nëse do të bëhet rruga edhe pse presidenti nuk po vjen. Natyrisht, politikanët lokal premtuan, sikur edhe çdoherë më parë, se edhe rruga do të bëhet. Dikur. Mbase kur të përfundojnë të gjitha ato përgatitje për ardhjen e presidentit. 

Por, në këtë shembull pamë për kushedi të satën herë se cilat janë prioritetet e serbëve që jetojnë në Kosovë. Para së gjithash, një jetë normale dhe e mirë, por duket se politikanët aspak nuk e çajnë kokën për këtë derisa nuk vjen deri tek fushata zgjedhore apo vizita e presidentit kështu që koha është për një “pastrim me themel”. Derisa serbëve të Kosovës u intereson para së gjithash nëse dikush do t’ua shtrojë rrugën apo do t’ua sigurojë kushtet themelore jetësore, politikanët janë të fokusuar në organizimin e pritjes për presidentin e Serbisë, i cili, sipas të gjitha gjasave, nuk do të zgjidhë asgjë kurse do të premtojë shumë. Si zakonisht.

Ka mbetur që serbët të presin ardhjen e presidentit me shpresën se do të ndryshojë diçka apo bile se do të sjellë një temë të re për bisedë për ditët në vijim. Sigurimi i jetës normale duket se ka mbetur e vetmja gjë që nuk e presin prej tij.   

SHARE