Për mirëkuptimin ndërkomunitar, me punë praktike

Pesëmbëdhjetë të rinj shqiptarë e serbë po i kalojnë muajt e verës në punë praktike nëpër OJQ të cilat zhvillojnë aktivitete me pjesëtarë të etnive të ndryshme në mënyrë që, me kontakte të drejtëpërdrejta me njëri-tjetrin, të zhvillojnë dhe t’i kontribuojnë mirëkuptimit ndërkomunitar.

0
134

Të rinj shqiptarë e serbë janë përfshirë në një program tremujor që, përmes punës praktike, të kenë mundësi për zhvillim dhe kontribut në mirëkuptimin ndërkomunitar.

“Programi i Bursave për Paqe”, i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), angazhoi pesëmbëdhjetë studentë nga këto dy komunitete në punë praktike nëpër OJQ të cilat si fushë veprimi kanë punën me etni të ndryshme në Kosovë.

Përvoja e deritashme ka treguar se komunikimi ndërmjet pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike rrallëherë është i drejtëpërdrejtë. Politika është ajo që shumë shpesh ndërhyn në këtë mes duke tentuar të ndërmjetësojë në këto marrëdhënie. Nga ana tjetër edhe iniciativat e dalura nga shoqëria civile rrallëherë kapërcejnë rrjedhën e tyre formale.

Dy studentë përfitues të bursës së lartëpërmendur janë Doruntina Mehmeti dhe Dragan Sentic. Doruntina është e angazhuar në OJQ-në “New Social Initiative”, me seli në veri të Mitrovicës,  organizatë kjo që punon në ofrimin e mundësive dhe projekteve të ndryshme që për qëllim kanë gjithëpërfshirjen e qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, për të krijuar mundësi dhe rritur bashkëpunim mes komuniteteve, me theks të veçantë midis komunitetit serb dhe shqiptar. Si studente e fakultetiti juridik, anagazhimin në këtë praktikë ajo e konsideron si shumë te dobishëm, si nga ana personale ashtu edhe ajo profesionale.

“Konsideroj që angazhimi im në këtë praktikë do të pasurojë përvojën time profesionale dhe do më ndihmojë të zhvilloj aspektin e qasjes ndaj komunitetit serb në veçanti, por edhe ndaj komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë. Po ashtu, konsideroj se do të më ndihmojë të kuptoj se si të jap kontributin tim shoqëror në mënyrë që të arrijmë zhvillimin dinamik të komuniteteve, gjithmonë duke zhvilluar fillimisht mekanizmat e drejtësisë tranzicionale dhe te ballafaqimit me të kaluarën”, thotë Doruntina.

Përshtatjen me kolegët e rinj nuk e pati aspak te vështirë ndonëse në fillim e kishte me pak ndrojtje.

“Disa ditë para se të filloj me praktikën, e kam menduar mjaftë shumë pyetjen nëse do të mund të përshtatem në raport kolegial me persona nga komuniteti serb, por që në ditën e parë të praktikës nuk kam hasur në asnjë vështirësi; ambienti në zyrë të organizatës është shumë i këndshëm dhe kolegët, si ata serbë por edhe shqiptarë (pasiqë në NSI punojnë edhe 3 persona nga komuniteti shqiptar), janë shumë të gatshëm të më ndihmojnë në çfarëdo sfide që mund të hasi gjatë punës”, thotë Doruntina. 

Dragan Sentic është një i ri tjetër që nga kjo bursë ka përfituar angazhimin për punë praktike në YIHR, organizatë kjo që ka për mision të promovojë të drejtat universale të njeriut. 

Dragani është student i vitit të tretë në shkollën e lartë ekonomike në Leposaviq. Ishte shumë i lumtur për aplikimin e tij në këtë program. Nga të gjitha ato që praktika në YIHR i ofron, ai zgjedh të përmendë mundësinë që të shoqërohet më shumë me njerëz nga komunitete të ndryshme.

“Kjo praktikë është shumë e rëndësishme për mua. Më ndihmon që unë të bëj shokë dhe të njoh njerëz të rinj”.

Dragani thotë se ndihet mirë me punën dhe me stafin nga organizata, të cilët i konsideron shumë të shoqërueshëm dhe shton: “Nuk e konsideroj problem që të punoj në një ambient ku janë shqiptarët.” 

Të dy këta studentë i konsiderojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë si shumë komplekse.

Për Draganin “marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë një çështje mjaft serioze”. Kurse Doruntina shprehet se “ballafaqimi me të kaluarën fatkeqësisht shihet nga dy perspektiva të ndryshme dhe ekzistojnë tregime dhe qëndrime të ndryshme nga të dyja etnitë, e që konsiderohet të jetë problem i madh në arritjen e pajtimit dhe paqes në periudhën e post-konfliktit. Moskërkim falja nga shteti i Serbisë për krimet dhe masakrat e kryera ne Kosovë, perspektivat e ndryshme dhe mungesa e ndjeshmërise për historitë e njëri-tjetrit nga të dy anët është poashtu një problem tjetër dhe sfidë në procesin e pajtimit”. 

Bashkëpunimi ndëretnik midis te rinjëve serbë dhe shqiptarë do t’i kontribuonte zhvillimit të qëndrueshëm të vetë komuniteteve. Një element shumë i rëndësishem i kësaj praktike pritet të jetë rezultati që do të dalë në fund. Studentët e angazhuar në fund të praktikës do të shkruajnë një projekt hulumtues i cili duhet edhe të trajtojë çështjen e ballafaqimit me të kaluarën. Programi i bursave për paqe do të vazhdojë deri në tetor dhe të gjithë studentët paguhen për punën e tyre praktike.

This article is made possible by the support of YIHR KS as the implementing partner of the United States Agency for International Development (USAID). The content of this article is the sole responsibility of New Perspektiva and does not necessarily reflect the views of the United States Agency for International Development – USAID, the US Government, or the Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS).

SHARE