Për një “grusht” votash

Premtime, premtime, dhe vetëm premtime... A do të bie peshku prapë ne grep? A do të besojnë përsëri qytetarët dhe a kanë arsye për diçka të tillë? Disa premtojnë se do t’i heqin vizat për qytetarët dhe që Serbia do ta njohë Kosovën, të tjerë përmendin bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, të tretët i referohen mbështetjes së Beogradit...

0
86

Çfarë na pret në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, më 14 shkurt? Vjedhje e votave, shitje e votave, premtime pretencioze të liderëve politikë, konflikte midis serbëve e serbëve, shqiptarëve me shqiptarët? Truket e lira dhe të shtrenjta parazgjedhore, të gjitha me qëllim që të arrihet tek votat, në fakt deri tek fuqia politike dhe financiare. Kush do të festojë më 15 shkurt?

Preja është e madhe dhe shumë mirë e njohur për të gjithë, kështu që as nuk është çudi që në garën zgjedhore do të marrin pjesë 28 subjekte politike me 1079 kandidatë politik. Derisa po i shkruaj këta rreshta po e fitoj përshtypjen sikur bëhet fjalë për ndonjë shtet me shumë banorë si India, Kina, Pakistani, Brazili e jo për një Kosovë të vogël. Interesim për zgjedhje tregoi edhe diaspora, gjë të cilën e konfirmoi Burim Ahmetaj, drejtori ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Ai e theksoi që janë miratuar madje 127,000 aplikime, derisa miratimin e presin edhe rreth 11,000 sosh. Paj ky është vërtetë një numër shumë i madh i të interesuarve. Vetëm se imponohet pyetja se çka i shtyu këta gastarbajterë që t’ia japin dikujt mbështetjen? Nuk besoj se bëhet fjalë për zgjim të vetëdijes nacionale apo ndonjë ideologjie.

Nëse ka “teori” për vjedhjen e votave në Amerikë dhe në vendet tjera të zhvilluara, pse ato të mos ekzistonin edhe në Kosovë. Ajo që është interesante është se gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, votat janë shitur publikisht. Pse të mos pritet kjo edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, por në një formë pak më të mbështjellur. Një nga shpalljet e cila u bë atëherë në faqen e internetit për shpallje të vogla dhe të mëdha në Kosovë thoshte „Shes nëntë vota apo i ndërroj me karrige të Golf 2“. Një tjetër votë shitej për 100 deri 200 euro, kurse çmimet rriteshin me përfshirjen e votave të anëtarëve të familjes. Tek disa individë, çmimet rriteshin varësisht se për cilën parti bëhej fjalë. Ky është një tregues i qartë se në çfarë mjedisi po jetojmë, se sa është e përçmuar shoqëria jonë.

Edhe një gjë interesante, partitë politike serbe janë konkurrente me njëra-tjetrën dhe e njëjta gjë vlen edhe për subjektet politike shqiptare në Kosovë. Një numër i paracaktuar i anëtarëve të parlamentit ka prishur këtë garë ndëretnike, të paktën kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Mirëpo, fara e urrejtjes filloi të mbijë brenda kombit, serbët ndaj serbëve, shqiptarët ndaj shqiptarëve. I veti kundër të vetit, derisa të mos përfundojnë zgjedhjet. Do të ketë mënyra të ndryshme të provokimit, bindjeve, njollosjeve dhe gënjeshtrave, sepse investimi është i madh.

Premtime, premtime, dhe vetëm premtime… A do të bie peshku prapë ne grep? A do të besojnë përsëri qytetarët dhe a kanë arsye për diçka të tillë? Disa premtojnë se do t’i heqin vizat për qytetarët dhe që Serbia do ta njohë Kosovën, të tjerë përmendin bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, të tretët i referohen mbështetjes së Beogradit… Përkrah të gjitha këtyre, politikanët premtojnë paga më të mëdha, standard më të mirë, vaksinim të një përqindjeje të madhe të popullatës, mbështetje më të fuqishme të BE-së dhe SHBA-së, luftë për ardhmëri më të mirë dhe unitet.  

Prapëseprapë një numër i konsiderueshëm do të dalë në zgjedhje, familjarët dhe miqtë e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre janë të lidhur me politikën, njerëz që ende besojnë në premtime, ata të cilët ende besojnë në ndonjë ideologji politike, por edhe ata që nuk besojnë por janë të detyruar, të shantazhuar. “Uria më e madhe e shtyen kah grepi edhe peshkun më të mençur”. Jemi të vetëdijshëm që në Kosovë ka shumë njerëz që me vetëdije e gëlltisin pikërisht atë grep, grep politik. Lufta për ekzistencë dhe jetë më të mirë i vë në sprovë shumë njerëz të zakonshëm. Ata shkelin mbi dinjitetin e vet apo i lejojnë të tjerët që të shkelin mbi po atë dinjitet të njëjtë. Kur të vijnë zgjedhjet, kjo tablo vetëm sa shkon e bëhet më e shprehur, disi gjithçka shihet.  

Padyshim që do të ketë arsye që disa politikanë të gëzohen pas zgjedhjeve. Personat që kanë marrë ndonjë lloj ndihme dhe premtime para zgjedhjeve do të harrohen shpejt. Një numër i vogël i tyre do t’i arrijë qëllimet e tyre të vogla. Më duket se të gjitha zgjedhjet janë të ngjashme me njëra-tjetrën. E kështu deri në pafundësi, asgjë kruciale nuk do të ndodhë. Madje edhe kur politikanët me ambicie të mëdha përpiqen të bëjnë diçka, këtu janë fuqitë e mëdha që t’i qetësojnë ata, t’i shantazhojnë apo ndoshta t’u premtojnë diçka, ashtu siç politikanët kosovarë e bëjnë këtë me elektoratin. Kjo mbase quhet politikë.   

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE