Për patriotizmin dhe politizimin e pandemisë

Kur jemi tashmë tek masat e mbrojtjes epidemiologjike të popullatës, do të krijohej përshtypja që veriu i Kosovës ishte më i mbrojturi në botë sepse aty ishin ndërmarrë masa nga të dyja anët, edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi. Derisa disa masa i përcakton Qeveria në detyrë, masat tjera i përcakton Shtabi i krizave i organeve të përkohshme të vetëqeverisjes lokale. E tërë kjo do të ishte tejet e mirë po të mos ishin këto masa ndonjëherë kontradiktore kështu që derisa masat e njërës lejojnë disa gjëra, në anën tjetër masat tjera të njëjtat ato gjëra i ndalojnë.

0
65

Kjo periudhë e fundit prej më shumë se një muaji për tërë botën ishte kohë kur u vunë në provim shumë gjëra e para së gjithash humaniteti dhe gatishmëria për sakrifikim për të mirën e përgjithshme. Koha kur të gjithë po ballafaqohemi me një armik që nuk e shohim me sy të lirë dhe i cili është kudo rreth nesh por i cili për të sulmuar nuk përdor kurrfarë mjeti konvencional me të cilët është mësuar njerëzimi në historinë e tij të gjithmbarshme. Përgjatë historisë ka pasur shumë epidemi duke filluar nga murtaja, ethet e minjve, murtaja spanjolle, ebola e të tjera, por qartazi asnjë nga këto nuk ka shkaktuar kaq shumë probleme si epidemia e virusit korona. Përveç numrit të madh të viktimave, një goditje e rëndë iu dha ekonomisë botërore nga e cila shumë ekonomi nuk do të mund të rimëkëmben, porse, kur e tërë kjo të kalojë, do të duhet të fillojnë nga fillimi. 

Por, siç e kam cekur shumë herë se tek ne pothuajse asgjë nuk shkon apo nuk kuptohet si gjithkund në botë, kështu është edhe me epideminë e këtij virusi. Nga teoricienët e konspiracioneve e deri tek ata që, edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun, me vetëdije kanë kundërshtuar masat e përcaktuara. E kur jemi tashmë tek masat e mbrojtjes epidemiologjike të popullatës, do të krijohej përshtypja që veriu i Kosovës ishte më i mbrojturi në botë sepse aty ishin ndërmarrë masa nga të dyja anët, edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi. Derisa disa masa i përcakton Qeveria në detyrë, masat tjera i përcakton Shtabi i krizave i organeve të përkohshme të vetëqeverisjes lokale. E tërë kjo do të ishte tejet e mirë po të mos ishin këto masa ndonjëherë kontradiktore kështu që derisa masat e njërës lejojnë disa gjëra, në anën tjetër masat tjera të njëjtat ato gjëra i ndalojnë. Me këtë situatë të përgjithshme nuk kemi pasur nevojë edhe për hutim shtesë, por, në fund të fundit populli shumë shpejt u mësua edhe me një gjendje të tillë.

Derisa epidemia çdo ditë e më tepër po e merr haraçin e vet dhe, si pasojë e papërgatitjes së të gjithë neve që të ballafaqohemi si duhet me këtë, kemi gjithnjë e më shumë të infektuar dhe të vdekur, një nga viktimat më të mëdha është pikërisht Qeveria e Kosovës e përmendur pak më parë e cila në mes të epidemisë ka mbetur pa mbështetjen e Kuvendit të Kosovës. Por duke pasur parasysh situatën komplekse ajo mbeti të funksionojë si Qeveri teknike deri tek zgjedhja e Kuvendit të ri apo deri në zgjedhje. Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, i mbeti besnik parimeve të tij që masat e reciprocitetit të vendosen me çdo çmim. Kjo është heshtur, apo së paku është sulmuar butësisht, sepse ka qenë një lëvizje e imponuar. Por që fati nuk i përcjellë gjithmonë guximtarët dëshmi është edhe pranimi i donacionit nga Serbia në formë të testeve epidemiologjike. Hapi ishte i guximshëm dhe i përgjegjshëm, por duket se këtë nuk do t’ia falin edhe pse për secilin njeri normal ky është një gjest humaniteti dhe përpjekje që të dëshmohet se edhe këtu jetojnë njerëz normal. Një mijë teste duket se kanë më shumë peshë se të gjithë të infektuarit dhe të vdekurit; ato teste dhe fushata e gjithmbarshme rreth tyre janë provë që disa mendësi ende mbijetojnë dhe që disa mënyra të mendimit edhe kanë strehë tek ne. Është dëshpërues fakti që edhe në këto kohë dhe sprova të vështira dikush ka kohë që të merret me politikanizëm. Në vend që po ata që janë kundër testeve nga Serbia për shembull të merrnin pjesë në organizatat vullnetare apo në donacione, ata merren me diçka që në thelb nuk është normale, e mbi të gjitha nuk është humane dhe njerëzore. Sikur po harrohet që çdo pajisje mjekësore që merret nga shtetet tjera kalon nëpër kontroll para se të përdoret dhe që nëse vërehet çfarëdo dëmi ajo nuk hyn në përdorim. Ekzistojnë procedura që respektohen kudo në botë, por është e qartë që këtu nuk bëhet fjalë për komente profesionale porse për vjelje klasike të poenave patriotik.   

Në një nga blogjet e mia të mëparshëm kam folur për patriotizmin dhe kufijtë e shprehjes së tij. Atëherë pata thënë që ai nuk i njeh ata kufij dhe që individë të caktuar madje edhe me vetëdije do të plasojnë gjëra të tilla në dëm të popullit të vet. E pranoj që atëherë e thashë atë pa pasur një konfirmim praktik për këtë, thjesht, nuk kam qenë i sigurt për një gjë të tillë. Por tani, pas shfaqjeve të tilla të disa politikanëve me orientime patriotike, unë jam plotësisht i sigurt në këtë qëndrim. Me gjithë këtë histori për epideminë, me vëmendje të pamjaftueshme kanë kaluar disa gjëra që na përkasin të gjithë neve, ndoshta jo tani, por gjithsesi kur e tërë kjo të kalojë. Janë emëruar të dërguar të rinj për dialog, ka rënë Qeveria në Prishtinë, po zëvendësohen ministra, këshilltarë dhe të gjithë ata që madje as në këto momente nuk janë patriotik sa duhet; ekonomitë e botës po bien e me këtë edhe shanset tona për investimet e tyre tek ne, policia në vend që të ndjek kriminelët, po i ndjek qytetarët që nuk i respektojnë masat e ndërmarra e shumë gjëra të tjera, e para së gjithash njerëzit po na vdesin. Dhe derisa e tërë kjo po ndodh për disa megjithatë është më e rëndësishme që tek populli i frikësuar të krijojnë për veten figurën e patriotit. Të nderuar zotërinj patriotë, në botën normale të gjithë janë bërë bashkë që nga e gjithë kjo të dalin fitues, madje edhe sikur Pirro, me sa më pak viktima. Do të doja të shoh reagim ndaj qëndrimit të tyre nga ata që në këtë betejë kanë humbur dikë të dashur – jam thellësisht i bindur se ai reagim gjithsesi nuk do të jetë i këndshëm. Kush dëshiron që tani të jetë një partiot i tillë le të jetë i gatshëm së pari të sakrifikojë veten e jo jetët e të tjerëve. Sinqerisht shpresoj që edhe ne, serbët dhe shqiptarët, e kemi kuptuar që jeta është megjithatë më e rëndësishme se vdekja. Kush nuk e ka kuptuar këtë tani e ka një problem serioz, e me të edhe të gjithë ne së bashku.   

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE