Për pranim tek …

Gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, Kosova ka qenë temë për të cilën është shkruar dhe folur shumë, dhe, si gjithmonë, shkaku ishte i tillë që të dy palët, edhe ajo serbe edhe ajo shqiptare, është dashur patjetër që sërish të përfshihen, secila në mënyrë të vet.

0
1053

Gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, Kosova ka qenë temë për të cilën është shkruar dhe folur shumë, dhe, si gjithmonë, shkaku ishte i tillë që të dy palët, edhe ajo serbe edhe ajo shqiptare, është dashur patjetër që sërish të përfshihen, secila në mënyrë të vet.

Qeveria në Prishtinë, përmes institucioneve të saja dhe me ndihmën e misionit të UNMIK-ut, ka parashtruar kërkesën për pranim në UNESCO, ashtu që edhe përmes këtij aspekti të rrumbullakësojë përfaqësimin e saj në institucionet ndërkombëtare. Natyrisht kjo është një temë së cilës duhet t’i qasemi me kujdes dhe me seriozitet të madh, gjë që shpresojmë se do të jetë praktikë në të ardhmen. Gjithashtu, kjo është një temë të cilën duhet shikuar nga më shumë këndvështrime dhe atë të paktën tre sosh, sepse në një farë mënyre, shumë palë janë të përfshira në tërë këtë situatë të re të krijuar.

Pala e parë është pala kosovare dhe në një mënyrë më e rëndësishmja në këtë moment, sepse i tërë procesi ka nisur në Prishtinë. Përveç asaj që procesi ka filluar në Prishtinë, pala kosovare është e rëndësishme për arsye se – nëse vjen deri tek një zgjidhje pozitive – ajo do të ketë tërë përgjegjësinë për menaxhimin e ardhshëm të pronës e cila bëhet subjekt i mbrojtjes nga ana e këtij institucioni ndërkombëtar.

Kosova, po ashtu, përmes këtij procesi dëshiron që të ketë përfaqësuesit e saj të rregullt dhe me të drejta të plota në një numër sa më të madh institucionesh, gjë që është plotësisht e kuptueshme shikuar nga këndi i Prishtinës.

Gjithsesi, duhet të pyesim veten se a është Kosova e gatshme që të merret me të gjitha problemet që i sjellë ky anëtarësim, sepse ka shumë probleme që vijnë me të gjitha këto që u përmendën. Manastiret e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë që janë nën mbrojtjen e UNESCO-s janë një tërësi që përveç bukurisë dhe rëndësisë kulturore kanë edhe komponentën e pronësisë e cila është e domosdoshme, e që në këtë moment nuk është e zgjidhur dhe kompletuar në tërësi.

Patjetër duhet të vëmë në pah që edhe aspekti i sigurisë është në pikëpyetje, por për këtë do të flasim ndonjë here tjetër. Siç deklaroi dikur Zëvendësiministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi, për Kosovën në UNESCO lobojnë 15 shtete me ndikim, andaj sipas të gjitha gjasave është e qartë që Kosova herët a vonë do të bëhet anëtare e kësaj organizate. Por, pas këtij pranimi, Kosova duhet patjetër që të punojë në përmirësimin e kushteve në të cilat momentalisht gjenden monumentet kulturore që janë nën mbrojtjen e organizatës së përmendur më lartë, me ndihmën e po atyre shteteve.

Pala tjetër është ajo serbe, e cila në këtë situatë është në vendin e dytë për disa arsye. Këto arsye janë thjesht pamundësia për të ndikuar në vendimet e UNESCO-s për shkak se statuti nuk ofron mundësinë për të vënë veton ndaj çdo propozimi të paraqitur për shqyrtim, por për këtë vendosin shtetet anëtare veç e veç dhe shumica e këtyre vendeve tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe, në një mënyrë edhe vendimi i ardhshëm për këtë tashmë i qartë.
Me vetë këtë, palës serbe iu ka ngushtuar mjaft hapësira manovruese për sa i përket lobimit. Përveç kësaj, pala serbe po përpiqet që në bazën ligjore të arsyetojë qëndrimin e saj ,edhepse shikuar nga aspekti juridik, e nga ana e shteteve që vendosin, qëndrimi i Kosovës është shumë më i drejtë sesa qëndrimi i Serbisë.

Duke u përpjekur që qëndrimin e saj të mbështes në disa ngjarje nga e kaluara, e në këtë mendojmë në ngjarjet e marsit të vitit 2004, Serbia ngadalë u fut në një politikë apasionuese dhe pa qëndrime të qarta dhe të definuara. Brenga e shprehur qartazi për atë se si do të sillet Kosova me pronën e manastireve serbe në Kosovë është e mirëpritur dhe e dobishme, por nuk është argument që mund të jetë vendimtar.

Për Serbinë, siç e ceku Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është plotësisht i papranueshëm, por UNESCO nuk është institucioni i parë në të cilin Kosova pritet të pranohet, veçse rëndësia e institucionit është më e madhe e me këtë edhe tërë këtij rrëfimi po i jepet një vëmendje më e madhe mediale.

Dhe në fund pala e tretë, bashkësia ndërkombëtare, e cila, pavarësisht nga pikëpamjet e dy palëve të përmendura, vetë dhe në mënyrë të pavarur merr vendimet e saj, kështu që edhe ky vendim është në agjendën e të gjitha shteteve anëtare të UNESCO-s, të cilat në përputhje me politikën e tyre të jashtme dhe marrëdhënies me të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë, do të marrin vendimin mbi pranimin e Kosovës.
Thjesht mund të themi se dy fjalë përcaktojnë marrëdhënien e tyre me situatën e re në aspektin e vendimmarrjes e këto janë GATISHMËRIA dhe AFTËSIA.

Fjala e parë përcakton GATISHMËRINË e Kosovës, apo mungesën e saj, që në të ardhmen të menaxhojë me monumentet kulturore që janë nën mbrojtje, si edhe AFTËSINË që kjo punë të kryhet në terren.

Me këto dy fjalë gjithashtu përcaktohet edhe GATISHMËRIA që Serbia edhe më tutje të mos heq dorë nga mbrojtja e të drejtave të saj në lidhje me pronësinë e cila është subjekt i mbrojtjes dhe thjesht AFTËSINË e saj për të mbrojtur të gjitha këto të drejta në territorin mbi të cilin i ka humbur atributet e qeverisjes.

Bashkësia ndërkombëtare do të merr parasysh këto dy aspekte dhe vetëm atëherë do të marrë një vendim në lidhje me tërë këtë. E neve na mbetet të presim dhe të shpresojmë për më të mirën, edhe nëse shikojmë prej cilitdo këndvështrim…