Përfshirja e Rusisë: Ndërmjetësuesit vs. Palët negociatore

Roli i Rusisë në marrëveshjen finale, për ironi, mund të mos jetë krejtësisht pozitiv për Serbinë. Por gjithsesi do të jetë krejtësisht negativ për Kosovën. Kjo sepse pala ndërmjetësuese do të jetë më e fuqishme si e kundërvënë ndaj dy palëve që janë në përpjekje për marrëveshje.

0
142

Aleksandr Bocan-Harčenko, ambasador i Rusisë në Beograd, së fundi paralajmëroi futjen e vendit të tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nëse do të merrnin ftesë për një gjë të tillë nga Serbia. Rusia brenda këtij procesi ka qenë një mundësi e paralajmëruar qysh në kohën kur përmendej pëshpëritshëm futja e SHBA-ve. Ideja bazike ishte se SHBA-ja do të ishte fund e krye pro-kosovare, ndërkohë që Rusia do ta balansonte rolin e ndërmjetësve duke u vënë si kundërpeshë në favor të Serbisë. Me fjalë të tjera, Kosova do ta kishte SHBA-në ndërsa Serbia do ta kishte Rusinë.

Por, siç ndodh rëndom, çështjet pështjellohen deri në atë masë sa nuk njihen më. Po, Rusia ka raporte historikisht të mira me Serbinë, e ashtu edhe Kosova me SHBA-të. Mirëpo, synimi i nje zgjidhjeje te shpejte duket se ka vendosur raporte të reja forcash. Kemi në një anë ndërmjetësit, SHBA-në dhe Rusinë bashkë, dhe në tjetrën Serbinë e Kosovën bashkë. Si? Ambasadori rus deklaroi se nuk ishte kundër idesë së korrigjimit të kufijve (në baza etnike) nëse një gjë e tillë nuk do të kundërshtohej nga Serbia dhe Kosova. Kush tjetër ka/kishte një pozicion të tillë? SHBA-ja. Përkundër që ideja e çfarëdo njohjeje të Kosovës kundërshtohet ashpër në Serbi, dhe përkundër që ideja e korrigjimit të kufijve kundërshtohet ashpër në Kosovë, SHBA-ja dhe Rusia janë mendjehapura për zgjidhjen finale.

Në fakt, miqësia me SHBA-të i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë Kosovës me një presion të jashtëzakonshëm që shkon deri në shantazh. Dy qeveritë e fundit, Haradinaj dhe Kurti, u rrëzuan pikërisht pasi nuk po e hiqnin tarifën doganore ndaj mallrave të importuara nga Serbia – e që ishte kushti i kësaj të fundit për t’iu kthyer negociatave. Pra, dy qeveritë e fundit të Kosovës, i rrëzoi SHBA-ja për shkak të pozicioneve në raport me dialogun me Serbinë.

Kjo na çon në një pyetje tjetër. Pse Serbia nuk e ka ftuar aleatin e saj të moçëm, Rusinë, që të bëhej pjesë e negociatave? Nuk dihet. Megjithatë, na lejohet të hamendësojmë se e bëri një gjë të tillë që t’i shmangej presionit (sado i madh, a i vogël të ishte) që do të mund të vinte pikërisht nga Rusia. Presioni amerikan për Serbinë ishte i njohur, i shmangshëm e i parashikueshëm. Presioni eventual rus mund të mos jetë.

Pra, roli i Rusisë në marrëveshjen finale për ironi mund të mos jetë krejtësisht pozitiv për Serbinë. Por gjithsesi do të jetë krejtësisht negativ për Kosovën. Kjo sepse pala ndërmjetësuese do të jetë më e fuqishme si e kundërvënë ndaj dy palëve që janë në përpjekje për marrëveshje.

Daniel Serwer, eksperti amerikan për Ballkanin, madje deklaroi se SHBA-ja mund t’i bënte presion Prishtinës që ta lejonte futjen e Rusisë në negociata. E pse? – mund të pyes me të drejtë dikush. Përgjigja ndodhet pikërisht në rreshtat e mësipërm dhe në të kuptuarit e rolit të ndërmjetësuesit/ndërmjetësuesve. Ndoshta ndërmjetësuesit nuk janë thjesht ndërmjetësues, por edhe palë me interesat e tyre në të, e që në këtë fazë mund të jenë të kundërvëna pikërisht me palët negociatore. E ndoshta, e kundërta ekzakte e situatës së dhënë është e vërtetë: ndërmjetësuesit (SHBA-Rusi) janë palë negociate ndërsa Kosova me Serbinë thjesht ndërmjetësojnë.

Për fat të keq, nuk duket që Serbia është e gatshme për marrëveshje finale. Ashtu siç nuk duket e gatshme as Kosova. Arritja e një marrëveshjeje finale tash do të rrezikonte seriozisht stabilitetin politik të të dyja vendeve, duke i mundësuar kapital të madh politik forcave populiste nacionaliste.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE