Përmirësimi i gabimeve nga librat e historisë

0
1223

Së fundmi në Sbunker u diskutua historia që mësohet sot në shkollat e Kosovës, mënyrën si nuk lidhet aspak me të vërtetat, por më shumë shërben për të imponuar një vizion të caktuar për të kaluarën e shteteve. Kur historia nuk mësohet si duhet, ekziston rreziku për rikthimin e destabilitetit dhe dhunës. Nxënësit e studentët duhet të trajtohen me më shumë respekt. Një mënyrë për të reaguar është gjetja e mënyrave për ta lehtësuar qasjen në të kuptuarit e kësaj historie. Një uebfaqe e krijuar nga OJQ New Perspektiva, është një reagim i tillë. Faqja është pikë reference përmes të cilës studentët dhe mësimdhënësit mund ta shohin një tjetër narracion të historisë së Kosovës, ku pikëvështrimi përbëhet prej shumë perspektivash.

Historianët evropianë dhe mësimdhënësit e gjysmës së fundit të shekullit të njëzetë, e panë të nevojshëm ndryshimin e mënyrës si e mësojmë historinë. Historia nuk ishte më një grup faktesh që duheshin memorizuar, por një lëmi të cilën duhet hulumtuar, interpretuar, si shkencë shoqërore. Disa prej nesh madje e përafruam shumë me antropologjinë.

Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 rrëzoi edhe muret që e ngulfatnin mësimin e hapur të historisë në ish-shtetet e Traktatit të Varshavës. Në Europë, koncepti i multi-perspektivave u fut në diskursin e të mësuarit të historisë në vitet 1970. Pas vitit 1989, përdorimi i tij u rrit mjaft, pasiqë historia u desh të rishkruhej e të mësohej ndryshe, duke qenë se shumë shtete evropiane u bënë etnikisht më diverse, dhe për shkak se pësuan shumë zhvillime shoqërore. Diskursi i ri politik njohu faktin që nxënësit duhet të përvetësojnë shkathtësitë e analizës, interpretimit dhe sintetizimit të fakteve të marra prej burimeve të ndryshme. Gjithashtu, dukshëm u rrit edhe pranimi i faktit që historia deri më atëherë, në vend se të ishte përfshirëse, ishte mësuar nga një perspektivë mono-kulturore, etnocentrike, përjashtuese, mbështetur mbi supozimin që narrativa kombëtare gjithnjë i përshtatej grupit më të madh kombëtar, gjuhësor apo kulturor. Shkollat tani duhej t’i përgatisnin të rinjtë për një jetë me diversitet etnik, kulturor, gjuhësor e fetar.

Shtetet e Ballkanit, pas rënies së ish-Jugosllavisë dhe krijimit të shteteve të reja të pavarura, të cilat deklarojnë se janë demokraci, ndaluan rrënimin e mureve, dhe filluan ndërtimin e mureve të reja, prej identiteteve të reja, mure të cilat ngulfatën përvojat e ngjashme dhe fatin e përbashkët historik të atyre ish-bashkëqytetarëve. U shkruan tekste të reja shkollore, dhe kështu historia i kontribuoi zhvillimit të historisë kombëtare, e cila nuk kishte mbështetje në hulumtim të vërtetë, burime apo fakte. Historia u bë tepër e politizuar.

Ky rindërtim i historisë bëri që Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian të shprehin shqetësime të rënda për këtë proces, i cili kërcënonte stabilitetin e brishtë të këtyre shteteve të Ballkanit. Në fillim të këtij viti, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznicks, në raportin e tij mbi Kosovën, theksoi paragjykimet dhe nacionalizmin nëpër tekste shkollore, dhe mungesën e mirëkuptimit ndërkulturor. Ai i bëri thirrje qeverisë së Kosovës t’i rishikojë metodat e mësimdhënies dhe metodologjinë.

Mësimdhënës nga dy bashkësitë etnike në Kosovë kanë pakënaqësi rreth mënyrës me të cilën janë të detyruar t’ua mësojnë historinë të rinjve, si pasojë e narrativës që figuron në librat shkollore. Këto tekste shkollore prezantojnë vetëm një perspektivë të historisë të cilën e trajtojnë. Lëkura më rrënqethej kur flisja me njërin nga mësimdhënësit, i cili më thoshte: “Njerëzit që nuk mësojnë nga gabimet e historisë, janë të dënuar që t’i përsërisin ato. Fatkeqësisht, ne jemi duke i helmuar fëmijët. Ky helm i urrejtjes duhet të ndalet. Nuk është çudi për politikanët të nxisin luftëra, por është e çuditshme kur atë e bëjnë akademikët (autorët e librave shkollorë)”.

Disa mësimdhënës provojnë t’i mësojnë nxënësit edhe jashtë këtyre kufijve të imponuar, por nuk e kanë të lehtë, meqë nxënësit në fund testohen sipas materialit të teksteve shkollore. Shumë nga mësimdhënësit edhe vet kanë pasur përvoja të vështira nga konfliktet më të fundit, dhe ato të mëparshme. Kjo vërehet në nuancat e ndjeshmërisë dhe emocioneve. Ata janë të detyruar ta mbrojnë historinë e vendit të tyre, dhe si pasojë nuk janë në gjendje t’ua hapin mendjet nxënësve.

Media sociale iu ofron nxënësve e studentëve një sasi të madhe të materialit historik, të dëmshëm dhe të dobishëm. Ata, pastaj, në bazë të këtij materiali po i sfidojnë librat shkollorë dhe po ju bëjnë më shumë pyetje mësimdhënësve të tyre. Sado që kjo është mirë, fakti që bëhet në këtë mënyrë të rastësishme është dëm. Edhe më shqetësues është fakti që studentët nuk janë mësuar ta dallojnë interpretimin nga fakti, të deshifrojnë e kontrollojnë atë çka lexojnë. Nuk janë të pajisur me shkathtësi të mendimit kritik përmes një metodologjie multi-perspektivëshe. Shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësi ta mësojnë historinë si studim i sjelljes njerzore, që më pas do t’i bënte qytetarë më demokratikë e të civilizuar.

_________

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Sbunker dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Parandalimi i ekstremizmit përmes Programit për Mendimin Kritik” që implementohet nga Sbunker, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim -ATRC.

 

 

https://sbunker.net/op-ed/89240/permiresimi-i-gabimeve-nga-librat-e-historise/