Përqafimi serbo-shqiptar

Kur kam shkruar për herë të fundit këtu për Kosovën (Sallata serbo-shqiptare), me të madhe po zhvillohej një grindje në linjën Beograd-Prishtinë. Që atëherë ka kaluar pothuajse një vit dhe sikur asgjë nuk ka ndryshuar: politikanët nga të dyja anët vazhdojnë të sillen sikur janë në fazën e hershme të pubertetit.

0
233

Ekscesi më i fundit i cili flet në favor të kësaj është arrestimi i fatkeqit Marko “Aco, serb” Đurić-it. Secili që pak më seriozisht e ndjekë politikën, do të vërejë qartazi se kjo është edhe një tallje me qytetarët në mënyrë që të zhvendoset fokusi nga esenca, e ajo është se politikanët tanë nuk dinë se si të zgjidhin problemin e Kosovës.

Si është situata momentale në jug (apo më në jug) të Serbisë?

Përshtypja ime është se është duke u zhvilluar procesi i pavarësisë “zvarritëse” të Kosovës. Me dekada Serbia në mënyrë konstante mban një qëndrim pasiv, assesi të ndërmarrë iniciativën. Në mbledhje me palën shqiptare po shkohet vetëm kur këtë e kërkon dikush prej nesh. Sikur me gjithë dëshirë do të donim që disi problemin ta fusnim nën tepih dhe të mos merremi me të. Megjithkëtë, fuqitë botërore nuk po na e lejojnë këtë dhe kërkojnë që kjo nyje përfundimisht të zgjidhet.

Si të nxirret më shumë për serbët e Kosovës me një qasje që është më e ndryshme se ajo e gjertanishmja?

Qeveria e Serbisë do të duhej të insistonte para së gjithash në krijimin e kushteve për kthim të serbëve në Kosovë. Edhe pse Kosova po përpiqet shumë që t’i ngjajë një shteti serioz, duket qartë se kjo po shkon disi shumë ngadalshëm dhe këtu duhet të fitohen pikë në negociata. Duhet të shtrohen çështjet e sigurisë së serbëve të kthyer, pronës private dhe trashëgimisë kulturore. Pse serbët nuk po e ndiejnë veten të sigurtë në tokën ku kanë lindur? Pse nuk mund të kenë në posedim pronën e tyre në vendin e lindjes? Pse kishat dhe përmendoret serbe janë cak i sulmeve të vandalëve?

Këto janë pyetje në të cilat përfaqësuesit e Kosovës nuk do të mund lehtazi të gjejnë përgjigjje, e nuk do të ishte për ta njëlloj, sepse po mundohen me mish e me shpirt të vendosin një rregull dhe rend. Në të njëjtën kohë, këto edhe janë disa nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat me kujdes të madh e ndjekin procesin dhe që sipas të gjitha gjasave do t’i mbështesnin kërkesat tona të këtij lloji.

Kur të ishin zgjidhur këto çështje, do të thotë kur Serbia do të merrte nga Kosova garanci dhe prova të forta në terren se po punohet në mënyrë aktive për përmirësimin e kushteve themelore të jetesës për serbët, kthimi për shumë prej tyre përfundimisht do të bëhej një opsion. Mirëpo, që një kosovar, momentalisht i stacionuar në Nish, Beograd apo ndonjë qytet tjetër jashtë Kosovës, të shqyrtonte kthimin, ndoshta një pyetje edhe më e rëndësishme është – a është e mundur që në Kosovë të punohet dhe të fitohet?

Sipas disa burimeve, partneri kryesor tregtar i Kosovës është pikërisht Serbia. Kosova më së shumti mallra ka “importuar” nga Serbia (të gjithë janë larg pas nesh, përfshirë edhe Shqipëria), kurse në të njëjtën kohë më së shumti mallra ka “eksportuar” po ashtu në Serbi. Ekonomia e Serbisë është dukshëm më e fuqishme se ajo e Kosovës, kështu që Kosova shumë më tepër pranon mall nga Serbia se sa që dërgon mall të vetin atje. 

Pra, që tani potenciali ekonomik, me gjithë tensionet, titujt negativ në media, po shfaqet ngadalë. Pikërisht kjo është edhe një letër në të cilën do të duhej që Serbia të luajë në mënyrë më serioze. 

Serbia me Kosovën do të duhej të iniconte forcimin e lidhjeve ekonomike në nivele të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është thjeshtësimi maksimal i burokracisë dhe procedurave doganore në vendkalimet administrative dhe këtë nga të dyja anët. Tutje, duhet të mendohet edhe për zonat e lira ekonomike, të cilat do të vendoseshin afër vendkalimeve administrative. Do të ishte e shkëlqyeshme sikur edhe qeveria e Kosovës edhe ajo e Serbisë të themelonin një fond të veçantë me të cilin do të ndihmonin krijimin e firmave dhe start-up-eve multietnike, me një ndihmë të veçantë për serbët e kthyer. 

Këto ide nuk janë edhe gjithaq të reja, vetëm se politikanët tanë nuk e kuptojnë rëndësinë e tyre. Idenë për zonat e lira ekonomike tashmë e ka përmendur Behxhet Pacoli, Ministri aktual i punëve të jashtme i Kosovës (do të doja të kishte qenë fjala për ndonjë nga politikanët tanë, por për fat të keq nuk ishte ashtu). Ajo që në veçanti ishte interesante në deklaratën e tij ishte “relativizimi i kufijve,” që në fakt do të thotë zbutje e mëtutjeshme dhe heqje e procedurave kufitare në kalime, e kjo pikërisht shkon në favorin tonë (përndryshe, mediat gabimisht e theksuan si “revitalizim” në vend të “relativizimit”). Sa i përket firmave multietnike, edhe aty ka shembuj të shkëlqyeshëm, por tani për tani të rrallë, dhe mbështeten nga ana e sektorit joqeveritar në vend të institucioneve qeveritare (shih videon):


Po t’ia dilnim të negocionim tërë këtë pako ekonomike, nuk ka dilemë se do të krijoheshin kushte tejet të mira për njerëzit tanë në Kosovë. Firmave të mëdha siç janë NIS-i dhe Telekomi do t’u hapeshin dyert për tregje të reja kurse njerëzit e rëndomtë, individët, do të kishin stimuj që të nisin biznese vetanake dhe kështu të sigurojnë ekzistencën në Kosovë për veten dhe më të afërmit e tyre. A nuk do të ishte e shkëlqyeshme sikur firma për IT e Nishit Frame, e cila ka zyret e saj në Nish dhe Beograd, të hapë zyre në Prishtinë? Sa do të kishte qenë me rëndësi puer njerëzit tanë sikur MTS-ja të bënte biznes të rregullt në tërë territorin e Kosovës dhe të kishte sinjalin e vet e jo vetëm në disa enklava të caktuara? Pra na duhet një përqafim ekonomik serbo-shqiptar: jo pse e duam njëri-tjetrin por për shkak se, sado që nuk duam ta pranojmë këtë, jo vetëm që jemi të kthyer kah njëri-tjetri, por edhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. 

Potenciali për negociata serioze ekziston, por jo me një Marko Đurić, i cili me vetëdije shkakton tensione, as me Vučić-in, i cili i teledirigjon ato veprime. As pala kosovare nuk është hiq më e mirë. Njerëz të rritur që sillen sikur të ishin fëmijë në cep të pubertetit nuk kanë çka të kërkojnë në këto rrëfime kaq serioze. Ndoshta një sjellje e tillë sjellë vota në zgjedhje, por nuk jep asgjë të mirë gjatë negociatave.

Shpresoj vetëm që diktatorin tonë udhëtimi në Njujork për biseda për Kosovën ta ketë kthjellur, kështu që tani është koha e duhur që të shqyrtojë ndryshimin e strategjisë. Në kuadër të kësaj, do të duhej përfundimisht të ndryshojmë se si i shohim bisedimet me shqiptarët: në vend të animit sportiv, ku flasim se kush e mundi kë dhe me çfarë rezultati (adoleshenti Marko Đurić tha një herë që kemi fituar me 5:0), do të duhej që negociatat t’i shohim si arritje e marrëveshjes ku të dyja palët fitojnë. Vetëm në këtë mënyrë është e mundshme që serbëve në Kosovë t’u sigurohen kushte normale për jetesë dhe mundësia që përsëri të ndihen si në vendin e tyre, ashtu siç edhe do të duhej të ishte. 

(Autori është deputet i “Dosta je bilo” nga Nishi 2016-2018. Inxhinier i diplomuar i informatikës. Artikulli ribotohet nga juznevesti.com me lejen e autorit.)

comments

SHARE