Përse ndarja u bë opsion në dialogun Kosovë-Serbi?

Që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999, përpjekjet për pajtim, madje edhe ato simbolike, kanë qenë të margjinalizuara, veçanërisht në sytë e publikut. Për shembull, nuk ka pasur ndonjë kërkim-falje zyrtare për krimet e kaluara qoftë nga zyrtarët shtetërorë serbë apo kosovarë, edhe pse kërkim-falje të tilla janë bërë në lidhje me shtetet e tjera post-jugosllave. Përveç kësaj, as kthimi i shumë komuniteteve të zhvendosura dhe riatdhesimi i pronës së tyre në Kosovë nuk mund të cilësohen si histori suksesi. Një prej problemeve kryesore në dialogun teknik dhe politik në Bruksel është fakti se neglizhohet trajtimi i çështjeve të tilla të ndjeshme si pajtimi.

0
224

Që nga viti 2018, zyrtarë nga Serbia dhe Kosova kanë filluar ta përmendin idenë e ndarjes (të ashtuquajtur ndryshe “këmbimi i territoreve” ose “korrigjimi i kufijve”) si një zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë. Pse ndarja papritur u bë një opsion tërheqës për t’u diskutuar në margjinat e dialogut të Brukselit?

Pa dyshim, një përgjigje është se kurrë nuk ishte krejtësisht jashtë tavolinës. Edhe kryeministri i ndjerë serb, Zoran Đinđić, mendonte se ishte opsioni më i mirë për zgjidhjen e konfliktit. Ministri aktual i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Dačić, gjithnjë thoshte se ai mendon që ndarja duhet të diskutohet zyrtarisht, edhe kur e udhëhiqte ekipin serb në dialogun e Brukselit në vitin 2013. Si ide, ndarja ishte gjithmonë një opsion, vetëm se jo në formën e një plani konkret. 

Ideja gjithnjë përfshinte ose një ndarje funksionale/administrative midis serbëve dhe shqiptarëve brenda Kosovës, gjë që rezonon me idenë e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe nga viti 2013, ose një ndarje territoriale, e cila është e dukshme në diskursin e fundit mbi ndarjen, dhe madje mbështetet edhe nga zyrtarë të Kosovës dhe disa zyrtarë nga jashtë. Kryesorja: çfarëdo forme që merr kjo ide, ajo, megjithatë, është ndarje dhe bazohet në ndarje etnike.

Kjo na çon te një pyetje e dytë dhe më e rëndësishme: përse është ndarja zgjidhja e vetme që u bie në mend partive politike të përfshira në dialog? Sigurisht, përgjigja në këtë pyetje është shumë më komplekse sesa ajo e mëparshme. Një pjesë e enigmës qëndron në faktin se situata aktuale në Kosovë është rezultat i konfliktit etnik. Për shumë njerëz, kujtesa e luftës është ende e gjallë, sidomos për shkak se shumë njerëz të prekur nga lufta nuk e kanë parë ende drejtësinë. Kjo është e vërtetë për shumicën e viktimave shqiptare, por është gjithashtu e vërtetë edhe për viktimat serbe dhe viktimat e pakicave të tjera etnike. Udhëheqësit politikë nga Serbia dhe Kosova e instrumentalizojnë këtë kapitull të historisë së tyre të përbashkët, kornizat institucionale e vazhdojnë  atë, gjë që çon në një lidhje afektive me ideologjinë nacionaliste dhe verbërinë për krimet e grupit të vet etnik nga një numër i konsiderueshëm njerëzish në të dyja anët.

Një pjesë tjetër e enigmës qëndron në asimetritë e pushtetit të ngulitura në kornizat institucionale ekzistuese në Kosovë, veçanërisht në komunat e saj veriore. Prania e përditshme e shtetit të Serbisë është ende faktike për shumë serbë që jetojnë veçanërisht në këtë zonë. Serbia manifestohet këtu simbolikisht përmes ekspozimit të flamujve shtetëror të Serbisë, ngritjes së monumenteve të frymëzuara nga historia mesjetare serbe etj. Përgjithësisht, për serbët në Kosovën e veriut në veçanti, është e vështirë të pranojnë çfarëdo besnikërie tjetër ideologjike, përveç asaj ndaj shtetit të Serbisë. Më e rëndësishmja, Serbia është e pranishme në formën e shumë institucioneve, edhe pas integrimit të pjesshëm në sistemin e Kosovës nga 2013 e tutje. Për shumë vetë, korniza institucionale e udhëhequr nga Serbia garanton kushte më të mira të jetesës dhe siguri më të madhe sociale, thjesht sepse ofron më shumë në rrafshin financiar. Kjo është një nga arsyet pse do të ishte shumë e vështirë për serbët në veri të pranonin çmontimin e saj dhe integrimin e tyre në kornizën e Kosovës. Kjo ndarje institucionale gjithashtu e vështirëson bashkëpunimin mes të dy grupeve, pasi nuk ka shumë mundësi punësimi jashtë sektorit shtetëror. Kështu, ndarja si zgjidhje mund të jetë e motivuar edhe nga arsyet praktike në dialog.

E treta, dhe sipas mendimit tim më e rëndësishmja, pjesë e enigmës është pajtimi, ose mungesa e pajtimit. Që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999, përpjekjet për pajtim, madje edhe ato simbolike, kanë qenë të margjinalizuara, veçanërisht në sytë e publikut. Për shembull, nuk ka pasur ndonjë kërkim-falje zyrtare për krimet e kaluara qoftë nga zyrtarët shtetërorë serbë apo kosovarë, edhe pse kërkim-falje të tilla janë bërë në lidhje me shtetet e tjera post-jugosllave. Përveç kësaj, as kthimi i shumë komuniteteve të zhvendosura dhe riatdhesimi i pronës së tyre në Kosovë nuk mund të cilësohen si histori suksesi. Një prej problemeve kryesore në dialogun teknik dhe politik në Bruksel është fakti se neglizhohet trajtimi i çështjeve të tilla të ndjeshme si pajtimi. Në vend të kësaj, dialogu është kryesisht i preokupuar me çështjen e statusit dhe territorialitetin, edhe pse kjo nuk përfshihej në mandatin e dhënë në vitin 2011. Diskursi i ndarjes vetëm e përforcon këtë supozim.

Nëse konsiderojmë se mungesa e pajtimit është kyç në përgjigjen për pyetjen tonë të mëparshme përse ndarja shihet si zgjidhja e vetme, nuk mund t’i ikim parashtrimit të një pyetjeje tjetër: a mund të promovohet dhe arrihet pajtimi nëse më parë nuk ndodhë ndarja? Kjo mund të jetë një nga arsyet pse disa përpjekje për pajtim midis Serbisë dhe Kroacisë, apo Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës kanë qenë deri diku të suksesshme. As literatura akademike nuk pajtohet rreth asaj se a duhet fillimisht të ndahen grupet në mënyrë që të ketë paqe pas një konflikti etnik, apo nëse përpjekjet për paqe duhet të promovohen përmes bashkëjetesës. Në një kuptim, kjo enigmë –  nëse “veza” është e para apo “pula” – përfaqëson logjikën qarkore të çdo procesi të pajtimit. Kjo është një pyetje të cilës nuk mund t’i përgjigjemi lehtë, pasi çdo rast individual është rast në vete, gjë që i bën përgjithësimet shumë të vështira. Por ajo që mund të thuhet është se asnjë ndarje nuk mund të funksionojë nëse të dyja palët e përfshira në konflikt nuk e duan atë në mënyrë të barabartë. Duket se nuk është kështu në rastin e Kosovës. Duke lejuar idenë e ndarjes që t’i diktojë edhe proceset e institucionalizuara siç është dialogu i Brukselit, margjinalizohet çdo zgjidhje alternative dhe injorohet çështja më e rëndësishme – pajtimi mes dy komuniteteve. Pasi që edhe Kosova dhe Serbia po e ndjekin rrugën e integrimit në BE, fokusimi në ndarje në vend se në pajtim duket se e mposht qëllimin e synimit të përbashkët të anëtarësimit në BE.

SHARE