Personifikimi i fuqisë 

Kur veriorëve që angazhohen për ndarje të kufirit ua bëj pyetjen për serbët në jug, ata shpesh e theksojnë argumentin se “ata edhe ashtu e kanë keq”, se “nuk do të shpërngulen hiç më pak nëse mbetet kështu”, se ashtu-kështu së shpejti nuk do të “jenë fare”. Mirëpo, me të njëjtat argumente mund të dëgjohet angazhimi për pavarësinë e tërë Kosovës nga perspektiva e dikujt që është në Serbi. Pra, nëse e shpërfillim komponentin human, gjithçka varet nga ajo se sa në veri ndodhesh, e në jug edhe ashtu është trishtueshëm. A thua si shihet kjo nga Gjermania? 

0
597

Gjatë fjalimit të tij në Mitrovicën e veriut më 9 shtator 2018, presidenti Vučić nuk i njoftoi qytetarët për vazhdimin e negociatave në Bruksel, por as për ndërprerjen e tyre. Ajo që po ashtu qe interesante,  në fjalimin e tij nuk mund të dallohej angazhimi për ndarje të kufirit, por as heqja dorë nga një politikë e tillë. Fakti se, për shkak të arsyeve të sigurisë, nuk iu lejua të vizitojë enklavën serbe në Bajë në zonën e Drenicës, nëse interpretohet në mënyrë simbolike, mund të shihet si paraqitje e demarkimit etnik të kufirit në vepër, demarkim që, në dukje, tashmë veç ekziston në praktikë, kurse me marrëveshje për përcaktimin e kufirit vetëm se do të formalizohej. Dhe me të vërtetë, nëse e shikojmë fotografinë ku Vučić-i, personifikimi i pushtetit dhe fuqisë së Serbisë, ndalohet nga ana e një polici të Kosovës, personifikim i fuqisë së autoriteteve të Kosovës, kjo fotografi në të vërtetë flet më shumë se fjalët. Në qoftë se këtë situatë e nxjerrim nga konteksti i gjithmbarshëm, ajo pa dyshim flet në favor të përcaktimit të kufirit dhe e aktualizon atë në të kaluarën dhe në të tashmen. Vuqiq no pasara.

Mirëpo, çdo analizë jashtë kontekstit është e pavlefshme dhe më e afërt me një lajm të rremë. Kështu që edhe fakti që presidenti Vučić nuk mundi të vizitojë fshatin Bajë nuk do të thotë që nuk ka mundur pa pengesa të udhëtojë për në Graçanicë apo Shtërpcë. Edhe këto janë enklava serbe në Kosovë, por me një numër shumë më të madh të banorëve, me rrugë më të gjera dhe me qasje më të shumta. Këtu konteksti prapë na e kujton veten, sepse e dimë që atë ditë presidenti e kishte të caktuar një fjalim, ashtu që mijëra qytetarë e prisnin në shesh në Mitrovicë dhe që teknikisht do të ishte vështirë e ralizueshme që të shkojë aq larg në jug dhe të kthehet me kohë për të mbajtur fjalimin në veri. E pse nuk e mbajti fjalimin në jug?   

Ky as që ishte opsion. Aq më pak, nëse vërtetë ajo fotografi, ta quajmë “personifikim i fuqisë”, edhe shërbeu që, të paktën simbolikisht të tregojë se ku është kufiri i ardhshëm.  Vizita e tij në veri kishte më shumë rëndësi simbolike, më të rëndësishme se vetë fjalimi. Ajo tregoi se Serbia ka fuqi dhe pushtet në veri, dhe këtë tani askush nuk mund t’ia mohojë, edhe pse për të goxha gjatë po polemizohet. Vizita në të cilën Vučić-i, president i qytetarëve që e pritën në Leshak, Leposaviq, Mitrovicë, shëtitet nëpër veri, kthjellë e ngrysë, është e rëndësishme për forcimin e pozitës negociuese të Serbisë, por edhe është shpatë me dy teha, në qoftë se shërben për argumentimin e përcaktimit të kufirit.

Nëse personifikimi i fuqisë në afërsi të Bajës do të duhej të nënkuptonte se “nga këtu nuk mund të shkojmë më tutje”, kur e kthejmë në kontekstin prej nga është nxjerrë, ajo fotografi në fakt  kuis “provo nga ana tjetër.” Si mjeshtër të rrugëve alternative, kemi shkuar shpesh në Serbi duke  kaluar nëpër shkurret e Kopaonikut, sepse kalimi administrativ në Jarinje ishte i bllokuar. Ajo paarritshmëri e përkohshme vetëm sa e forconte lidhjen tonë me Serbinë. 

Shpresoj që edhe qasja e vështirë tek fshati Bajë, edhe fshati Osojan, edhe në Shtërpcë, edhe në Graçanicë, edhe në enklavat tjera për Serbinë dhe serbët është vetëm e përkohshme. Duke e ndarë kufirin me shqiptarët, do ta ndanim kufirin edhe me ta. Duke i lënë ata “matanë kufirit”, do ta flaknim të drejtën, apo sikur në këtë fotografi, nuk do të na lejohej që edhe më tutje të luftonim për ta, do të na thonin shihni punët tuaja në shtetin tuaj nëse veç ajo pjesë e Kosovës nuk do t’i takonte atij më as në aspektin formal, juridik. Në vend se t’i sigurojmë edhe vetes edhe atyre lirinë e lëvizjes. Në vend se të ndërtojmë marrëdhënie më të mira me ata “të tjerët”, nëse veç nuk kemi marrëdhënie të mira.

Kur veriorëve që angazhohen për ndarje të kufirit ua bëj pyetjen për serbët në jug, ata shpesh e theksojnë argumentin se “ata edhe ashtu e kanë keq”, se “nuk do të shpërngulen hiç më pak nëse mbetet kështu”, se ashtu-kështu së shpejti nuk do të “jenë fare”. Mirëpo, me të njëjtat argumente mund të dëgjohet angazhimi për pavarësinë e tërë Kosovës nga perspektiva e dikujt që është në Serbi. Pra, nëse e shpërfillim komponentin human, gjithçka varet nga ajo se sa në veri ndodhesh, e në jug edhe ashtu është trishtueshëm.

A thua si shihet kjo nga Gjermania? 

SHARE