Edhe sulmi në Serbobran ende duke u hetuar

Ditën e njëjtë kur ishte kryer sulmi në fshatin Gorazhdec të Pejës, në dhjetor 2015, në Serbobran të komunës së Istogut, ishte sulmuar me armë zjarri dyqani i një pronari serb. Policia e Kosovës nuk i ka përfunduar ende hetimet për këtë rast, ndërkaq në prokurorinë e shtetit kanë thënë se është ushtruar kallëzim penal ndaj kryerësve të panjohur të veprës penale - shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Përveç se nuk janë zbardhur incidentet, ka vërejtje se aktorët vendorë e ndërkombëtarë asnjëherë nuk kanë publikuar të dhëna të plota për incidentet që mund të jenë ndëretnike.

0
351

Ditën e njëjtë kur ishte kryer sulmi në fshatin Gorazhdec të Pejës, në dhjetor 2015, në Serbobran të komunës së Istogut, ishte sulmuar me armë zjarri dyqani i një pronari serb. Policia e Kosovës nuk i ka përfunduar ende hetimet për këtë rast, ndërkaq në prokurorinë e shtetit kanë thënë se është ushtruar kallëzim penal ndaj kryerësve të panjohur të veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Përveç se nuk janë zbardhur incidentet, ka vërejtje se aktorët vendorë e ndërkombëtarë asnjëherë nuk kanë publikuar të dhëna të plota për incidentet që mund të jenë ndëretnike.

Fundvitin e kaluar, në rajonin e Dukagjinit ndodhën disa incidente, deri më tani të pazbardhura. Fillimisht cak i sulmit ishte fshati Gorazhdec i Pejës, kurse të njëjtën ditë në fshatin Serbobran të Komunës së Istogut, i banuar më shumicë serbe, ishte sulmuar një dyqan, pronë e një serbi. Persona të panjohur rreth orës tetë në mbrëmje kishin shtënë me armë zjarri në dyqanin e Dana Simonović-it. Për shkak se atë ditë kishte pasur mjegull, pronari i lokalit nuk ka arritur t’i identifikojë sulmuesit. Ndërkaq policia kishte dalë në vendngjarje për mbledhjen e provave materiale, duke intervistuar edhe dëshmitarë të rastit. Njësitet përkatëse policore kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në vendin e sulmit dhe ishte thënë se janë duke kryer të gjitha procedurat e shikimit të vendngjarjes. Megjithatë hetimet e deritashme nuk i kanë nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij sulmi dhe as nuk janë zbuluar motivet e tyre. Rasti i Serbobranit po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve DRP – Pejë:

“Rasti është duke u hetuar në vazhdimësi, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit, dhe në lidhje me progresin e hetimeve do të njoftoheni me kohë, pasi që grupet hetimore të caktuara për këto raste nuk kanë përfunduar ende me hetimet”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij departamenti për “New Perspektiva”.

Prokuroria ngre kallëzim penal ndaj kryerësve të panjohur

Ndërkohë, zyrtarë të prokurorisë së shtetit kanë thënë se është ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarve të panjohur të përfshirë në këtë rast.

“Sa i përket rastit tjetër [të Serbobranit, shënimi NP] ju njoftojmë se me datë 15.12.2015 nga ana e hetimeve rajonale në Pejë, është ushtruar kallëzim penal ndaj kryerësve të panjohur të veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 të Kodit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve nga neni 374 të KPRK-së”, ka thënë Ekrem Lutfiu nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. “Janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, ka shtuar më tej ai.

Sipas shifrave që kanë paraqitur media serbe, fshati Serbobran deri para luftës ka pasur 200 banorë, ndërsa tani aty banojnë vetëm rreth 20 serbë. Politikanë serbë në vazhdimësi janë ankuar se bashkëkombësit e tyre po bëhen cak i sulmeve të ndryshme, për të mbjellë frikë dhe pasiguri në mesin e këtij komuniteti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanović, sulmin mbi serbët në fshatin Serbobran të Istogut e kishte cilësuar “si sulm të radhës mbi serbët që jetojnë në Kosovë”. Sipas tij, kjo tregonte që “serbët dhe gjithçka që është serbe janë cak”. Stojanović u ka bërë thirrje për ndihmë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë që të ndikojnë te liderët e Kosovës, duke thënë se beson që “e gjithë kjo është e organizuar dhe që dikush po i koordinon dhe po i mbron këto grupe”.

Mungesa e të dhënave për incidentet me motive etnike

Përveç se nuk janë zbardhur shumica e incidenteve edhe më të rënda se ai në Serbobran, ka vërejtje se aktorët vendorë e ndërkombëtarë asnjëherë nuk kanë publikuar të dhëna të plota për incidentet që mund të jenë me motive etnike. Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), një organizatë joqeveritare me seli në Graçanicë, u ka rekomanduar aktorëve ndërkombëtarë (OSBE-së, UNMIK-ut dhe EULEX-it) t’i publikojnë të dhënat për incidentet me motive etnike dhe të mobilizojnë publikun, politikëbërësit, gjyqësorin dhe vet ndërkombëtarët që të zhvillojnë një strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin e tyre.

Kohë më parë, me rastin e prezantimit të analizës së politikave “Incidentet me motive të mundshme etnike në Kosovë – një histori e shëmtuar që nuk është treguar kurrë”, përgatitur nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), ishte thënë se Kosova ka dështuar në adresimin e krimeve të urrejtjes që kanë në shënjestër anëtarë të grupeve të cenuara. Siç ka raportuar më parë New Perspektiva, autori i kësaj analize, Nenad Maksimović ka theksuar se “policia ka dështuar të parandalojë krimet me motive etnike, gjyqësori t’i dënojë kryerësit e këtyre krimeve, shoqëria civile ka dështuar të ngrejë zërin për këtë çështje, mediet të sjellin raporte hulumtuese dhe rrëfimet e njerëzve që kanë qenë viktima të këtyre rasteve,qeveria ka dështuar që të themelojë një sistem për mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara, ndërsa institucionet ndërkombëtare kanë dështuar për të monitoruar incidentet me motive etnike dhe për t’i vënë në dispozicion të publikut bazat e të dhënave me numrin, llojin dhe vendndodhjen e incidenteve me motive etnike”.

Hulumtimi i bërë nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë tregon se në Kosovë mungojnë statistika të sakta për numrin e incidenteve me motive të mundshme etnike. Drejtori i kësaj organizate, që është edhe autor i hulumtimit, thotë se për shkak të natyrës së ndjeshme, organizatat ndërkombëtare si EULEX-i, OSBE-ja dhe UNMIK-u nuk i ndajnë me publikun informacionet për këto raste. Për më tepër, statistikat e raportuara nga këto organizata, janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Sipas Maksimović-it, ekziston tendenca e zvogëlimit të numrit të krimeve të raportuara. Krimet e urrejtjes, siç thotë ai, nuk drejtohen vetëm kundër një individi, por i dërgojnë porosi tërë komunitetit.

comments

SHARE