Pluralizmi politik në raportin mes Kosovës dhe Serbisë

Pjesëmarrja e koalicionit “Sloboda” jo vetëm që i kontribuon pluralizmit në Kosovë duke rritur në një mënyrë edhe legjitimitetin e zgjedhjeve, por edhe përmirëson perceptimin e faktorit ndërkombëtar sa i përket zhvillimeve në raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

0
846

Teksa në Kosovë ekziston një atmosferë parazgjedhore, kjo gjendje nuk ka ndikuar vetëm në skenën politike por edhe ne të gjithë popullatën. Në këtë atmosferë nuk preken vetëm shqiptarët e Kosovës dhe partitë e tyre por edhe komunitetet tjera. Në Kosovë ndikim të veçantë ka komuniteti serb dhe partitë e tyre. Situata në masë të madhe ndikohet edhe nga marrëdhëniet historike por edhe aktuale mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo vlen sidomos në këtë periudhë në të cilën ekzistojnë pritje nga instanca të ndryshme për rregullim marrëdhëniesh mes shtetesh që pritet të konkretizohen nga ana e dialogut. Një zhvillim relevant në këtë periudhë është edhe pjesëmarrja në zgjedhje e koalicionit “Sloboda” i cili është ndërtuar kryesisht nga partitë “Partia Progresive Demokratike” dhe “Partia e Re”, por edhe nga grupe dhe individë nga komuniteti serb. Ndonëse prania e këtij koalicioni në zgjedhjet në Kosovë është perceptuar nga Lista Serbe si një lloj konkurrence apo legjitimim i shtetit të Kosovës, mund të konsiderohet se një parti e tillë  ka gjasë të hapë rrugën drejt një pluralizmi politik të dobishëm për shtetin e Kosovës.

Fillimisht, pjesëmarrja e Koalicionit “Sloboda” (“Liria”) ka dashur të nënkuptojë lirinë e të shprehurit, lirinë e veprimit dhe lirinë në përgjithësi për komunitetin serb në Republikën e Kosovës. Ky koalicion, i cili në një mënyrë tanimë sfidon Listën Serbe, nënkupton edhe mundësi të shtuar për diversitet idesh për komunitetin serb në Kosovë. Kjo përfshirje e këtyre partive dhe individëve në këtë koalicion jep edhe një mundësi shtesë për participim të shtuar politik në Republikën e Kosovës nga ana e komunitet serb. Më pas, shikuar nga një prizëm i demokracisë, ky diversitet idesh që mund të prodhohet nga ky koalicion mund të jetë shumë pozitiv sa i përket një elementi të rëndësishëm të demokracisë: atij të pluralizimit politik. Ky pluralizëm përfshin jo vetëm praninë e ideve brenda komuniteti serb por edhe praninë e më shumë partive dhe njëkohësisht pikëpamjeve edhe brenda spektrit partiak në Republikën e Kosovës duke i shërbyer nivelit të demokracisë në Republikën e Kosovës.

Pjesëmarrja e koalicionit “Sloboda” jo vetëm që i kontribuon pluralizmit në Kosovë duke rritur në një mënyrë edhe legjitimitetin e zgjedhjeve, por edhe përmirëson perceptimin e faktorit ndërkombëtar sa i përket zhvillimeve në raportin mes Kosovës dhe Serbisë. Në rrethanat në të cilat ekziston pothuajse një konsensus në faktorin ndërkombëtar për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, një përfaqësim i tillë i  serbëve në Kosovë mund të konsiderohet si një hap shumë pozitiv në përpjekjet për normalizim marrëdhëniesh mes shtetesh. Hyrja e një koalicioni të tillë në zgjedhje nga ana e komunitetit serb paraqet edhe një pranim nga ana e tyre për legjitimitetin e zgjedhjeve të organizuara nga ana e shtetit të Kosovës dhe përpjekje për integrim të mëtejshëm në strukturat qeverisëse të shtetit të Kosovës. Ndonëse këtu luan rol edhe reagimi i shtetit serb për këtë situatë, ky koalicion në zgjedhjet kosovare mund të ndikojë (dhe duhet të ndikojë) pozitivisht në intensifikimin e përpjekjeve për progres në procesin e dialogut.

Përfundimisht, derisa raporti mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë i tensionuar, përpjekjet për hapa pozitivë janë gjithmonë të mirëpritura. Një hap i tillë pozitiv mund të konsiderohet pjesëmarrja e koalicionit “Sloboda” në zgjedhjet nacionale në Kosovë. Ky koalicion mund të themi se i kontribuon elementit të pluralizmit politik dhe përmirëson përceptimin e jashtëm për raportin mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse lëvizjet e tilla duhet të kenë në një mënyrë edhe miratimin e shtetit serb, janë dëshmi që të paktën një pjesë e elementeve udhëheqëse nga ana e serbëve në një mënyrë pranojnë legjitimitetin e pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe janë të gatshëm për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive.