Sipas policisë, i kthyeri në Berkovë nuk dyshon se sulmi ishte kryer nga fqinjët

Pas sulmit me armë mbi shtëpinë e tij në fillim të vitit 2016, Radivoje Živković i kishte thënë Policisë së Kosovës se raportet e tij me fqinjët në fshatin Berkovë janë shumë të mira dhe se nuk kishte ndonjë dyshim të bazuar për ta raportuar. Ndërkohë, pas hetimeve të organeve të rendit, prokuroria themelore e Pejës ka hedhur poshtë kallëzimet penale të parashtruara nga policia.

0
481

Ende nuk dihet se kush i ka shkrepur plumbat që qëlluan shtëpinë e një të kthyeri në komunën e Klinës në fillim të vitit të 2016. Pas hetimeve të kryera nga Policia e Kosovës, rasti është dorëzuar në Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të rënda në Pejë, kundër kryesit të panjohur. Ndërkohë Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të policisë.

Incidenti me armë kishte ndodhur në fshatin Berkovë, në janar të vitit të kaluar, kur nga plumbat e shkrepur është qëlluar shtëpia e familjes së Radivoje Živković-it. Plumbat kishin dëmtuar kabllon e cila furnizonte me rrymë shtëpinë e familjes Živković, pa shkaktuar lëndime në njerëz. Për pasojë, me orë të tëra ata kishin mbetur pa rrymë. Njësitë policore të rajonit të Pejës kanë dalë menjëherë në vendngjarje. Por që nga ajo kohë, ende nuk është arritur të identifikohet autori i sulmit me armë.

Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, Xhevat Ibra ka treguar për “New Perspektiva” se si është proceduar më tej rasti.  Sipas tij, stacioni policor i Klinës është njoftuar përmes telefonit  se në fshatin Berkovë të kësaj komune është sulmuar me armë zjarri shtëpia e Radivoje Živković-it. “Njësitë relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer shikimin e vendit të ngjarjes dhe lidhur me rastin është bashkëkoordinuar puna policore me prokurorin e shtetit dhe nën kompetencën e tij janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore”, ka thënë Ibra.

Policia thotë se raportet ndëretnike janë të mira

Ibra ka shtuar se sipas deklaratës që familja i ka dhënë policisë, pronari serb nuk ka pasur ndonjë dyshim të bazuar se sulmi është shkaktuar nga fqinjët.  “Sipas viktimës, raportet e tij me fqinjët  dhe ato ndëretnike janë shumë të mira dhe nuk kishte ndonjë dyshim të bazuar për ta raportuar”, ka theksuar Ibra. “Rasti është dorëzuar kundër kryesit të panjohur (NN) në Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të rënda, Pejë”, ka shtuar më tej zëdhënësi i policisë. Por prokuroria, pasi ka shqyrtuar shkresën e lëndës e ka hedhur poshtë kallëzimin penal. Në një përgjigje me shkrim për “New Perspektiva”, Prokuroria e Pejës thotë se lidhur me rastin e ndodhur në vitin 2016 në komunën e Klinës, “kjo Prokurori pas shqyrtimit të shkresës ka hedhur poshtë kallëzimet penale të parashtruara nga policia”.

Ndaj këtij incidenti dhe disa të tjerëve që kishin pasuar ato ditë pati reaguar Ministria për Komunitete dhe Kthim, e cila fushëveprim ka rikthimin e të zhvendosurve, të cilët në periudha të ndryshme janë larguar nga Kosova. Më 30 janar 2016, ishte regjistruar edhe një incident para portës kryesore të manastirit të Deçanit, me ç’rast ishin arrestuar katër shqiptarë të armatosur të Kosovës. Atyre u ishin gjetur një pushkë me 20 plumba, një pistoletë, si dhe literaturë me përmbajtje islamike.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtić, vlerësoi se arrestimi i këtyre personave para Manastirit të Deçanit dhe sulmi i armatosur kundër të kthyerve në fshatin Berkovë në Komunën e Klinës tregonte se gjendja e sigurisë në Kosovë ishte mjaft e paqëndrueshme.

“Tensionet e muajve të fundit që po zgjasin kanë ndikim negativ edhe në situatën e sigurisë e cila aktualisht është shumë shqetësuese. Dy incidente në afat shumë të shkurtër kohor paralajmërojnë se është momenti që niveli i sigurisë dhe i mbrojtjes të ngrihet në një nivel më të lartë, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i dhunës, por edhe, ajo që është edhe më shqetësuese, përhapja e ideve të radikalizmit islamik”, tha ministri Jevtić.

“Unë mendoj se është koha që mjediset e të kthyerve të kenë mbrojtje më të mirë sepse pikërisht sulmi mbi shtëpitë e të kthyerve Pantić dhe Živković e tregojnë këtë. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima, megjithëse në të dyja shtëpitë ka pasur njerëz”, ka shtuar ai. Sipas ministrit të Listës Serbe, këto incidente tregojnë se “e tërë shoqëria kosovare është në problem”, dhe se “kundër kësaj dukurie duhet të luftojmë me forca të përbashkëta, sepse unë sinqerisht besoj se shumica prej nesh synon një shoqëri demokratike në të cilën siguria është e garantuar për çdo banor të Kosovës”.

Ibra: Zbulueshmëria e rasteve afër 70 për qind

Por zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se incidentet e raportuara nuk janë të motivuara etnikisht kundër minoritetit serb, i cili jeton në Kosovë. I pyetur se çfarë masash ka ndërmarrë policia e Kosovës për të garantuar ambient të sigurt në ato fshatra në mënyrë që të shmangen edhe konfliktet e mundshme ndëretnike, zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhevat Ibra ka theksuar se raste ndëretnike nuk kanë pasur të raportuara në këtë zonë.

“Shikuar në përqindje rastet e raportuara nga komuniteti serb, zbulueshmëria arrin  afër 70 për qind të ndriçimit të incidenteve”, është shprehur Ibra.

Sipas të dhënave të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në komunën e Klinës aktualisht jetojnë rreth 100 serbë.

comments

SHARE