Policia nuk ka mundur të kontaktojë me viktimën pas incidentit në Ropotovë

Përkundër dyshimeve, policia ende nuk ka arrestuar asnjë person në lidhje me sulmin e kryer kundër Trajko Petrovićit në shtëpinë e tij në 2016-n, kur përveç lëndimeve trupore që i shkaktuan, i kishin vjedhur edhe 400 euro. Që nga shkuarja e Petrovićit në Serbi për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, policia e Kosovës thotë se nuk ka arritur ta kontaktojë atë.

0
1326

Trajko Petrović (75) nga fshati Ropotovë i komunë së Gjilanit ishte rrahur dhe grabitur në shtëpinë e tij në nëntor të vitit 2016 nga persona deri më tani të paidentifikuar. Por që nga shkuarja e tij në Serbi për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, Policia e Kosovës, e cila ka zhvilluar hetimet përkitazi me këtë rast, nuk ka mundur të vë kontakt me viktimën. Rrjedhimisht, deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar. Pas sulmit, autorët kishin ikur nga vendi i ngjarjes derisa Petrović  ishte gjetur brenda shtëpisë me duar të lidhura dhe nofull të thyer. Policia e Kosovës ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për zbardhjen e rastit. Në drejtorinë Rajonale të Gjilanit kanë thënë se viktima kishte qenë në gjumë në kohën kur sulmuesit janë futur me forcë në shtëpinë e tij. Togeri Ismet Hashani ka thënë për “New Perspektiva” se më 11 nëntor 2016, policia e Kosovës, përmes telefonit, është informuar se është kryer një grabitje në shtëpinë e viktimës Trajko Petrović.

“Njësitet patrulluese kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se gjersa viktima ishte duke fjetur në shtëpinë e tij të dyshimtë të panjohur janë futur forcërisht ne shtëpinë e tij ku e kanë sulmuar viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore dhe i kanë grabitur rreth 400 euro”, ka thënë Hashani.

Përkundër dyshimeve, nuk ka asnjë të arrestuar

Ai më tej ka treguar se viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe më pas policia nuk ka mundur të kontaktojë me të. 

“Viktima fillimisht është dërguar për ndihmë në spitalin rajonal të Gjilanit. Nga atëherë ai është dërguar për tretman mjekësor ne Republikën e Serbisë dhe nuk kemi mundur ta kontaktojmë”, ka deklaruar Hashani.

Përkundër dyshimeve, ende nuk ka ndonjë të arrestuar në lidhje me këtë rast.

“Policia e Kosovës ende nuk ka të arrestuar lidhur me këtë rast të rëndë edhe përkundër dyshimeve të bazuara për të dyshuar të mundshëm. Policia e Kosovës është duke hetuar rastin”, ka shtuar Ismet Hashani.

Për incidentin në Ropotovë ka folur edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE). Zyra e këtij misioni në Kosovë ka treguar për “New Perspektiva” se ky rast është diskutuar edhe në mbledhjen e bordit të drejtorëve të Ranillugut, por nuk janë ndërmarrë masa për shqetësimet e adresuara.

“Sipas kryetarit të kuvendit komunal, viktima kishte pësuar lëndime në nofull dhe kishte marrë trajtim mjekësor në Serbi. Incidenti u diskutua në mbledhjen e bordit të drejtorëve të komunës më 11 nëntor 2016, por nuk u morën masa konkrete për adresimin e shqetësimeve të komunitetit”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të OSBE-s. Sipas tyre, që nga incidenti, Petrović, i cili është rikuperuar, nuk ka pasur ndonjë kontakt me policinë e Kosovës.

“Informacioni ynë është se Policia e Kosovës ka pasur një të dyshuar që ka ikur jashtë Kosovës. I dyshuari ishte një person i njohur për viktimën, ndoshta një i afërm. Sipas informatave tona, asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani. Viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe ka marrë trajtim mjekësor”, thonë në OSBE.

Ky nuk është rasti i vetëm  që ka ndodhur në komunën e Ranillugut, ku bënë pjesë edhe Ropotova. Çështja e sigurisë në këtë komunë ka qenë temë diskutimi në takime të ndryshme, ku përfaqësuesë komunal kanë kërkuar ndërmarrjen e masave për më shumë siguri. Kështu, në mbledhjen e dhjetorit të vitit të kaluar të Komitetit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku morën pjesë zëvendëskryetari i komunës, Vladica Aritonović, drejtori i Administratës dhe Personelit, Miloš Tomić, dhe përfaqësuesë të OSBE-së, “të gjithë u pajtuan njëzëri në përfundimin se situata në lidhje me sigurinë nuk është në nivelin që duhet të jetë”.

Kërkohet angazhim më i madh i policisë në zbulimin e rasteve të vjedhjes

Por, nga ana tjetër, nga ky takim, për të cilën ka njoftuar komuna e Ranillugut, është dhënë po ashtu një premtim se në periudhën e ardhshme do të ketë përfshirje maksimale të policisë për të hedhur dritë mbi rastet e vjedhjes që kanë ndodhur muajt e fundit.

Në zgjidhjen e problemeve ekzistuese në territorin e komunës do të angazhohen edhe autoritetet komunale. Zëvendëskryetari i komunës, Vladica Aritonović, ka thënë se së shpejti në të gjithë territorin e Ranillugut do të vendosen kamera të sigurisë të cilat do të përmirësojnë në masë të madhe gjendjen e sigurisë.

Komuna e Ranillugut, e krijuar në një pjesë të territorit të komunës së Kamenicës, ka rreth 4.000 banorë, kryesisht serbë, me 4% shqiptarë. Ajo përbëhet nga 13 fshatra serbe dhe tri lagje të vogla të banuara me shqiptarë. Komuna e ka marrë këtë emërtim për shkak të fshatit më të madh të banuar me serbë, ndërsa administrata komunale nuk është e vendosur në Ranillug por është e shpërndarë në Domorovc dhe Ropotovë.