Policia thotë se do ta vizitojë familjen Radić për ta njohur me hetimet

Pas sulmit fizik mbi 72 vjeçarin Stevan Radić, Policia e Kosovës kishte ushtruar kallëzim penal ndaj tre të miturve. Ndërkaq prokuroria themelore në Gjakovë ka hedhur poshtë kallëzimin penal pasi, siç thanë, vepra nuk ka të bëjë me motive ndëretnike. Radić ka rrëfyer për “New Perspektiva”, për sulmin që i ka ndodhur vitin e kaluar dhe për vështirësitë e tjera me të cilat ballafaqohen në Rahovec.

0
553

Kapja në flagrancë e tre djemve duke vjedhur arra në pronën e Stevan Radić-it ishte pasuar me një sulm fizik mbi këtë serb 72 veçar nga Rahoveci. Pas raportimit të incidentit, policia e Kosovës zhvilloi hetime, dhe e procedoi rastin te prokuroria themelore e Gjakovës. Kjo e fundit e hodhi poshtë kallëzimin penal pasi, siç thanë, rasti nuk ka të bëjë me vepër penale me motiv etnik.

Në mëngjesin e 12 shtatorit të vitit 2016, Radić, kishte dalë në vreshtën e tij, e cila gjendet disa metra larg shtëpisë ku ai jeton bashkë me gruan. Me të arritur atje, Radić thotë se kishte hasur në tre adoleshentë teksa po vidhnin arra. Radić ka rrëfyer për “New Perspektiva” gjithë çfarë ka ndodhur, përfshirë fjalosjen dhe sulmin që ka pësuar. Ai thotë se nuk kishte pritur të jetë dikush në pronën e tij, aq më tepër shqiptarë, pasi atë ditë ka qenë festë.

“Sapo i pashë duke vjedhur arra, i pyeta: çfarë po bëni këtu, sot është Bajram? Ata ikën menjëherë. Ndërsa unë vazhdova të mbledh ca arra për vete”, nis të rrëfejë ngjarjen Stevan Radić. Kishte menduar se tre të rinjtë ishin larguar me arrat që kishin marrë. Teksa po mblidhte arrat, Radić thotë të jetë sulmuar papritmas nga prapa me një shkop.

“Kam qenë në gjunjë dhe sulmi ka ardhur papritmas, me ç’rast nga goditja u thye edhe shkopi. Jam rrëzuar në vend pasi kam humbur vetëdijen për disa minuta. Nuk kam arritur t’i shoh fytyrat e tyre për t’i identifikuar. Ndoshta menduan se kam vdekur pasi e panë gjakun, se ndoshta do të më kishin goditur ende”, tregon Radić.

Megjithatë, ai ishte ngritur, kishte vendosur arrat në karrocë dore dhe ishte nisur për në shtëpi. Pasi gjatë rrugës gjendet edhe ambulanca, Stevan Radić, thotë se ishte ndalur për të kërkuar ndihmë mjekësore, pas lëndimeve që kishte pësuar në kokë dhe sy. Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës bashkë me të kishin shkuar sërish në vendin ku ishte sulmuar.

“Prej atij momenti nuk e di se çka ka ndodhur më pas dhe si janë zhvilluar hetimet. Policia më ka pyetur se çfarë kanë pasur veshur sulmuesit, por ka qenë e vështirë t’i dalloj, sepse kanë qenë larg.  Nuk mund të dyshoj në dikë. Po t’ua kisha parë fytyrat, do t’u tregoja se kush janë”, thotë Radić.

Policia ushtron kallëzim penal, prokuroria e hedh poshtë

Në Policinë e Kosovës kanë treguar për veprimet që janë ndërmarrë në zbardhjen e këtij rasti. Zëdhënësja e Drejtorisë rajonale të policisë në Gjakovë, Lirije Podrimaj-Beqiraj ka thënë se me datë 12 shtator 2016 në stacionin policor në Rahovec, i dëmtuari Stevan Radić ka raportuar se është sulmuar fizikisht në pronën e tij.

“Policia menjëherë ka marrë masat operative-hetimore për ndriçimin e këtij rasti. Si të dyshuar janë shoqëruar për në stacion policor tre persona të mitur dy prej tyre të moshës 12 vjeçare dhe njëri i moshës 14 vjeçare”, ka thënë rreshterja Podrimaj-Beqiraj. Ajo ka shtuar se, qëllimi i të rinjve ka qenë vetëm të marrin fruta. 

“Policia gjatë intervistimit të personave ka kuptuar që qëllimi i tyre ishte që të merrnin fruta (arra) pa e ditur se e kujt është prona. Megjithatë, policia ka ushtruar kallëzim penal policor kundër tyre edhe pse të dyshuarit kanë mohuar të kenë sulmuar fizikisht viktimën”, ka thënë Podrimaj-Beqiraj, derisa ka shtuar se për statusin e kësaj vepre duhet pyetur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Nga ana e saj, kjo prokurori, e cila mbulon edhe Rahovecin, thotë se kallëzimi penal është hedhur poshtë.

“Lidhur me këtë rast prokurori i çështjes ka hedhur kallëzimin penal ndaj të miturve, ku sipas kallëzimit penal nuk ka të bëj me veprën penale të motivit ndëretnik por kjo vepër është shkaktimi i lëndimeve të lehta trupore nga neni 188 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Elida Tabaku, administratore në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

New Perspektiva (NP) kontaktoi përsëri policinë për ta pyetur përse nuk e kanë njoftuar zotin Radić në lidhje me ecurinë e hetimeve, ashtu siç i kishin premtuar. Përgjigja që morëm nga zëdhënësja Lirie Podrimaj-Beqiraj ishte kjo:

“Ne në përgjithësi bashkëpunojmë me komunitetin me qëllim që situatën e sigurisë dhe problemet rreth saj të zgjidhen në partneritet me të gjithë akterët e mundshëm.

Në rastin konkret dhe në rastet e tjera kur kemi të bëjmë me ndonjë incident qoftë kundërvajtje apo vepër penale ne parimisht gjatë gjithë procedurës hetimore dhe më tutje me aksent të veçantë orientohemi tek viktimat me qëllim të mbajtjes së tyre të informuar dhe përcjelljes së gjendjes së tyre edhe pas incidenteve. Qëllimi është që viktima të përcillet dhe të inkurajohet se ka mbrojtjen e duhur dhe mbështetjen tonë.

Me rastin kur institucionet tjera [prokuroria, në këtë rast, NP] marrin vendime në lidhje me këto çështje është kompetencë e tyre që të njoftojnë me shkrim palët e përfshira në rast sepse në shumë raste palët kanë edhe të drejtë ankimore.

Për rastin konkret zyrtarët policor nga Stacioni Policor në Rahovec për hirë të bashkëpunimit do të vizitojnë këtë familje  dhe do ta njoftojnë lidhur me statusin final të rastit”.

Ndërkaq Prokuroria themelore e Gjakovës na u përgjigj kështu:

“Sipas prokurorit të çështjes  lidhur me rastin e z. Radiç  për shkak të mos sigurimit të mëtejmë të provave  nga ana e Stacionit Policor  dhe për shkak të mos zhvillimit të hetimeve të mëtejme në munges të provave, prokurori ka hudhur kallëzimin penale.

Njoftimi për hudhjen iu është dorëzuar vetëm stacionit policor  me dt. 09,12,2016  e kjo për shkak të mos zhvillimit të mëtejm të hetimeve”.

Radić thotë se ka pasur edhe incidente tjera në të kaluarën

Me gjithë përjashtimin e mundësisë nga organet e rendit që këto sulme të jenë të motivuara etnikisht, Stevan Radić thotë se sulmi fizik nuk është incidenti i vetëm që i ka ndodhur. Ai ka treguar se para dy javësh kishte gjetur një qen të varur në hyrje të arës së tij.

“Këtë e kuptoj si mesazh se një gjë e tillë mund të më ndodhë edhe mua. Para një viti kemi konservuar venën, por dikush ka ardhur dhe na e ka djegur. Nuk po ndihemi të sigurtë dhe kemi shqetësime të mëdha. Pavarësisht atyre që kanë ndodhur unë vetëm dua të mos përsëriten veprimet e tilla në të ardhmen”, thotë Radić.

“Çfarëdo që të ndodhë unë nuk iki nga Kosova. Edhe nëse më mbysin nuk e lë këtë vend”, thotë Radić, i cili në Rahovec jeton vetëm me gruan. Djali i tij gjendet në Jagodinë ndërsa vajza në Kragujevc të Serbisë. Rruga ku gjendet shtëpia e Stevan Radić-it në Rahovec mban emrin e djalit të tij, “Slaven Radić”, i cili kishte ndërruar jetë vite më parë në një aksident trafiku në ish-Jugosllavi. Radić thotë se në të kaluarën cak i sulmit ka qenë edhe varri i djalit të tij. “Nuk e di nëse sulmet e fundit ndërlidhen me djalin tim, edhe pse në të kaluarën ka pasur përpjekje që t’i ndryshohet emri rrugës”, shprehet Radić.


Jetesa e vështirë largon shumë serbë nga Rahoveci

Stevan Radić thotë se as bashkëkombësit e tij nuk po shohin perspektivë në Rahovec. Ai ka treguar se në zonën periferike ku jeton ai 40 shtëpi kanë mbetur të zbrazëta nga 45 gjithsej sa ishin të banuara me serbë. Përveç një pensioni që merr, burim tjetër i të ardhurave të familjes Radić është shitja e rakisë dhe venës. Por Radić ankohet se nuk ka treg për shitjen e tyre. “Këtu nuk po mund të shesim sepse të gjithë prodhojnë raki, ndërsa kur po provojmë t’i dërgojmë në Serbi po na del problem me doganë. Po ashtu nuk kemi as mjetet e duhura për ta prodhuar rakinë”, thotë Radić, shtëpia e të cilit gjendet pak metra tutje kishës ortodokse.

Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët shqiptarë, Radić thotë se ka miq të mirë, të cilët janë të gatshëm ta ndihmojnë çdo herë. Ai ka nostalgji edhe për të kaluarën e përbashkët dhe jetesën në harmoni. 

“Nëse i thërras 10 shqiptarë, ata do vijnë për të më ndihmuar. Kemi jetuar në harmoni, të qetë, si një familje. Nuk e kemi parë njëri-tjetrin me sy të keq. Por pas luftës ndryshuan gjërat. Por as shqiptarët sot në Kosovë nuk jetojnë më mirë”, ka përfunduar Stevan Radić.

comments

SHARE