Me politikë mbi rininë

Derisa politikanët tashmë po krijojnë rrëfime të reja për të cilat ia vlen konfrontimi dhe në mënyrë konstante takohen nëpër evente ndërkombëtare, henbollistet nuk e patën këtë shans. Ai iu mor atyre për shkak të mbrojtjes së njëfarë politike, për shkak të një drame tjetër politike. Me politikë prapë iu mësy rinisë, sportit, iu mësy tërë asaj ku nuk e ka vendin.

0
188

Para afro një muaji u njoftua dhe duhej të luhej ndeshja midis reprezentacioneve të të rejave të Kosovës dhe Serbisë. Edhepse kjo nuk do të ishte hera e parë që do të takoheshin reprezentacionet tona juniore, ky ishte lajm që gjithsesi zgjoi kërshëri të madhe. Derisa bëheshin përgatitjet për ndeshje, edhepse personalisht prisja që diçka do të ndryshohej në momentin e fundit, unë i gëzohesha kësaj ngjarjeje. Shumëkush qysh tani do ta dënojë këtë gëzim dhe qëndrim timin, por unë e kam parë këtë si rast që të takohen të rinjtë nga hapësirat tona, të luajnë një lojë me një disponim fer, por mbi të gjitha që të njihen me njëri-tjetrin dhe t’i rrënojnë stereotipet dhe paragjykimet e imponuara nga politikanët dhe mediat. Ishte ky edhe një hap kah pajtimi dhe kjo ndoshta në një nga mënyrat më të mira, duke bashkuar rininë dhe sportin.   

Zhvillimi i ndeshjes u aprovua edhepse u zhvendos në sallën sportive në Kovilovo, me kusht të mospërdorimit të shenjave dhe simboleve shtetërore dhe pa praninë e medias. Edhepse në kushte të tilla, ajo që mund të pasonte pas asaj ndeshjeje do të ishte më shumë se sport. Do të ishte, siç e thashë më herët, një hap para drejt tejkalimit të të gjitha kaoseve në të cilat jetojmë çdo ditë dhe dhe për t’iu dëshmuar junioreve nga të dyja anët që mundet edhe ndryshe. Që mundet pa politikë, pa paragjykime, stereotipe, gjykime. Që mundet në mënyrë sportive. 

Por, siç ndodh zakonisht tek ne, madje edhe kur shpresoni dhe besoni se diçka mund të bëhet ndryshe dhe më mirë, ata ju bëjnë që të ndryshoni mendjen. Ata? Po, po, politikanët, si zakonisht. Në ditën kur duhej të zhvillohej ndeshja, Ministri i punëve të brendshme të Republikës së Serbisë vendosi të shtyejë ndeshjen, siç tha, për “arsye të sigurisë“.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se këto „arsye të sigurisë“ kanë mundur të parashiheshin shumë kohë më herët dhe ndeshja, nëse veç ishte problematike, ka mundur të anulohej më heret. Por jo. Kjo është edhe një cilësi dalluese e politikanëve serbë – krijimi i padurueshëm i dramës në secilin moment të mundshëm. Kështu qe edhe kësaj here. Ndeshja midis Kosovës dhe Serbisë u shty sepse një grup i caktuar i tifozëve protestoi kundër mbajtjes së saj. Kurse shteti i Serbisë, qartazi, nuk deshi që t’u kundërvihej. Sepse, prapëseprapë, siç thotë Ministri, nuk ia vlente që të dërgohej policia kundër njerëzve që angazhohen për të njëjtën gjë për të cilën angazhohet edhe Serbia. Në fund të fundit, mund të themi lirisht që është më shumë sesa e qartë që Serbia këtë ndeshje as që e deshi ndonjëherë, sepse po ta donte, atë tashmë do ta kishim të zhvilluar. Por meqë Serbia e ka ditur këtë që nga fillimi, përse atëherë i gjithë ky mashtrim dhe ardhja e hendbollisteve kosovare në Serbi dhe për çfarë arsye u bënë tërë ato përgatitje rreth kësaj ndeshjeje? Do të thosha që kjo është më shumë një pyetje retorike, kurse drama si zakonisht është përgjigjja. 

Në fund të fundit, poenta e këtij teksti nuk është politika, porse mënyra se si politikanët ia dolën të shkatërronin, për të satën herë, një përpjekje për normalizimin e jetës së përditshme midis njerëzve që jetojnë në Serbi dhe Kosovë. Në vend që pas ndeshjes të bënim një hap para, ne u kthyem shumë hapa prapa. Në vend të shpirtit sportiv dhe suksesit, pësuam edhe një humbje. Në vend që të flasim për pajtimin, po flasim për atë se si e kemi ndaluar ndeshjen me “të ashtuquajturën Kosovë”. Dhe sot, politikanët tashmë kanë harruar se çka kanë bërë, por a e kanë harruar hendbollistet? Nuk besoj, sepse as unë nuk e kam harruar. Junioret e Serbisë janë diskualifikuar automatikisht, kurse ato kosovare kaluan tutje. Dhe mund të merrni me mend se si ndihen ato vajza? Kë do ta akuzojnë hendbollistet serbe për këtë diskualifikim? A do të thonë që politika serbe është fajtore, siç edhe është rasti? A do ta bëjnë këtë apo është më lehtë për to të mendojnë për shortin e keq dhe të fajësojnë palën tjetër që bëjnë gara? Nga ana tjetër, kë do ta fajësojnë hendbollistet kosovare që nuk patën as rastin që të luajnë ashtu siç u ishte thënë se do ta kenë? Palën serbe, sipas të gjitha gjasave. Dhe prapë, në vend që të kishim përparuar, vetëm që jemi kthyer prapa. Në marrëdhënie, jetën e përbashkët, sport, në shpirtin sportiv. Ikëm nga hapat që shpiejnë kah pajtimi dhe u kthyem mbrapa, dhe sigurisht kemi marrë me vete vetëm gjykime për palën tjetër.   

Derisa politikanët tashmë po krijojnë rrëfime të reja për të cilat ia vlen konfrontimi dhe në mënyrë konstante takohen nëpër evente ndërkombëtare, henbollistet nuk e patën këtë shans. Ai iu mor atyre për shkak të mbrojtjes së njëfarë politike, për shkak të një drame tjetër politike. Me politikë prapë iu mësy rinisë, sportit, iu mësy tërë asaj ku nuk e ka vendin. Tërë asaj që politika nuk do të guxonte të prekte. Nëse po kjo rini do të na rritet në urrejtje, ajo që na pret në të ardhmen është gjithçka tjetër vetëm se jo jeta të cilën do ta dëshironim. Do të ishte gjithçka, vetëm jo ardhmëri në paqe dhe bashkëjetesë.

  

comments

SHARE