Posta e politizuar

Nuk kisha menduar asnjëherë nëse marrëdhëniet Kosovë-Serbi funksionojnë sa i përket shërbimeve postare derisa nuk u ballafaqova me situatën kur duhej të dërgoja diçka me postë në një qytet të Serbisë për një mik timin, i cili për shkaqe objektive nuk mund ta bënte vetë këtë.

0
621

Nuk kisha menduar asnjëherë nëse marrëdhëniet Kosovë-Serbi funksionojnë sa i përket shërbimeve postare derisa nuk u ballafaqova me situatën kur duhej të dërgoja diçka me postë në një qytet të Serbisë për një mik timin, i cili për shkaqe objektive nuk mund ta bënte vetë këtë.

Kur e pyeta shërbimin për konsumatorë në Postën e Kosovës nëse mund të dërgoja një letër në Serbi, përgjigjja që mora ishte se më e preferueshme do të ishte që të shkoja në ndonjë vendbanim serb (për shembull në Graçanicë, Mitrovicë të Veriut, Shillovë etj) dhe ta kryeja këtë shërbim përmes Postës së Serbisë. E stepur nga kjo përgjigje, këmbëngula të informohesha nëse Posta e Kosovës do ta pranonte letrën e një klienti të saj që kishte për destinacion Serbinë. Më thanë se, në parim, Posta e Kosovës i pranon të gjitha letrat e klientëve pavarësisht se për ku janë të destinuara, por nuk mund të garantojnë që ato do të mbërrijnë në vendin e duhur. Prandaj nuk dihet se çka ndodh me ato dërgesa, a kthehen prapë te dërguesi, a përfundojnë në dorë të dikujt krejt të panjohur apo asgjësohen fare. Një punonjëse në postë më tha se deri tani nuk kishin pasur ndonjë kërkesë të ngjashme për të dërguar diçka në Serbi. Po sikur dikush të tentojë të dërgojë ndonjë dokument të rëndësishëm në këtë formë kaq të pasigurt?!

Pasiguria dhe frika më ndoqi edhe kur vendosa të shkoj në Graçanicë për të kryer këtë shërbim për mikun tim. Nuk ndihesha e sigurtë të shkoja vet kështu që më shoqëroi një shoqe e cila e flet serbishten shumë më rrjedhshëm se unë. Po mendoja që nëse unë do të flisja me zyrtarët e Postës së Serbisë në serbisht, menjëherë do të më diktonin që jam shqiptare. Kisha dyshime nëse do të pranonin të ma kryenin këtë shërbim, apo nëse dikush tjetër që pret në radhë mund të më provokonte me ndonjë fjalë. Mbase nuk ishte normale krejt kjo që më sillej mua në kokë, por më duhet ta pranoj që nuk ndihesha mirë të shkoja në një institucion të Serbisë, që shumë herë nga autoritetet e Prishtinës është quajtur “paralel”.

Komunikimi i shoqes sime me zyrtarët e Postës së Serbisë – siç edhe e kisha menduar – doli të jetë shumë i lehtë. Zyrtarja që e pranoi dërgesën na tha se letra do të mbërrinte në destinacion më së largu deri të nesërmen dhe ashtu ndodhi. Aty takova edhe një shqiptar tjetër që kishte ardhur për të rimbushur llogarinë e tij në operatorin mobil serb 064, që mbase i duhej të komunikonte me familjarët e tij në Serbi. Kam shumë dëshirë ta dij nëse ka edhe të tjerë që kanë kaluar nëpër përvoja të ngjashme!

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, në Serbi jetojnë mbi 61 mijë shqiptarë, të përqëndruar kryesisht në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Por shqiptarë ka edhe në Beograd, Nish e qytete tjera të mëdha. Prandaj edhe shumë shqiptarë të Kosovës mund të kenë nevojë që shërbimet postare me Serbinë të funksionojnë normalisht si me çdo vend tjetër të botës.
Nëse nesër do të më duhet prapë një shërbim i tillë në Postën e Serbisë në Graçanicë, unë nuk do të kem nevojë ta marr shoqen time me vete. Tani jam në gjendje të komunikoj vet me zyrtarët e postës, pa frikë. Por mund ta imagjinoj se sa vështirë do ta kishte një shqiptar që nuk komunikon fare në serbisht të kryente një shërbim të ngjashëm në Postën e Serbisë. E shumica e të rinjëve shqiptarë sot nuk flasin serbisht.

Por përse duhet të jetë kaq e mundimshme për ne të dërgojmë një copë letër në Serbi? Përse politika duhet të ndërhyjë për çështje kaq të thjeshta dhe kaq të rëndësishme për qytetarët e dy vendeve fqinje? Përse kjo çështje duhet të problematizohet kaq shumë sa që për të një ditë eventualisht të diskutohet edhe në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, kur atë mund ta rregullojnë autoritetet postare të të dyja vendeve me një marrëveshje që do të garantonte shkëmbim letrash apo mallrash përmes dy institucioneve respektive me standarde të njëjta si me vendet tjera. Kjo do të ma lehtësonte jetën mua dhe shumë qytetarëve tjerë që jemi lodhur nga politizimi i gjithçkaje që ka të bëjë me dy popujt.

SHARE