Presidenti në grahmat e fundit

Në vend se “Kosova nuk mund të pres më!” si argument mbështetës për idenë e ndarjes së vendit, duke ndjellë idenë se bota është para një momenti historik (e në fakt, krejt çka përmendet janë zgjedhjet e majit në Parlamentin Evropian, të cilat pa pikë problemi do t’i fitojnë sërish partitë e qendrës), duhet thënë “Thaçi nuk mund të pres më!”

0
260

“Kosova s’mund të pres më!” thonë avokuesit e ndarjes së Kosovës duke dashur që përmes deklaratash të këtilla të ndjellin përfytyrimin se ata dinë diçka që ne të tjerët s’e dimë, por që nuk mund ta thonë publik. E vetmja gjë nuk mund të thuhet në publik është se i shërbejnë një politikani të dështuar si Hashim Thaçi, që i kishte shtatë vjet kohë ishte kreativ, e të ofronte një ide që mund të pranohej nga pala serbe. Prandaj, Kosova mund të pres. Dhe duhet të pres një lidership më kredibil e të përgjegjshëm në mënyrë e ardhmja e vendit të mos rrezikohej nga thellimi i polarizimeve politike nga një marrëveshje e ngutshme e e papranueshme.

Ideja e ndarjes së Kosovës është rezultat i shtatë viteve negociata pa vizion politik. Thaçi nuk e kuptoi asnjëherë se nuk mjaftonte që si palë negociuese të mbështetej ngushtësisht në alternativat që ofronin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, në këtë rast BE-ja, e prandaj duhej të merrte përgjegjësi e të kontribuonte përmbajtësisht në të. Etja për pushtet e qorroi. Mendoi se si një robot belbëzues me fjalor të ngushtë mund të arrinte rezultate të mira edhe për vendin. Por, dështoi e dështoi e dështoi. Parë nga ky këndshikim, ndarja e Kosovës na del rezultat i memecërisë ndërmjetësuese të BE-së dhe memecërisë analfabete të Thaçit.

Po këtij njeriu iu kundërshtua ashpër në vend “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe” ose siç njihet më gjerësisht “Zajednica”. Njësoj si ndarjen e Kosovës, ai dështoi ta justifikonte në publik asociacionin në fjalë, moszbatimi i të cilës është pasuar nga një varg moszbatimesh të marrëveshjeve tjera nga pala serbe. Nuk duhet të harrojmë se, njësoj siç e mbron sot atë e quan ‘korrigjim kufijsh’, ai e mbronte edhe atë opozita ia quante me zor ‘Zajednicë’. Thaçi sot, sa i përket Zajednicës, është rreshtuar po njëjtë me Lëvizjen Vetëvendosje, që mënyrë krejt të paarsyeshme një gjë tillë e quante “bosnjëzim të Kosovës”.

Por, kjo pjesëmarrje pësore, pasive në negociata, ka krijuar një gjendje deluzore te shoqëria jonë. Askush nuk e kupton domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia në mënyrë bëjmë një hop të madh në subjektivitetin e vendit, kërcimin final drejt të qenit të pavarur. Njerëzit në mënyrë çuditshme i besojnë Thaçit të vitit 2008, kur kishte gënjyer (për t’ia parë sherrin edhe vet, si një politikan jovizionar) se çështja e pavarësisë vendit ishte punë e kryer në mënyrë mos e prishte gëzimin dhe entuziazmin e qytetarëve të vendit.

Dhe, njerëzit në përgjithësi vazhdojnë ta mendojnë Thaçin si një lider makiavelian, si një lider të shkathtë e të zhdërvjelltë. Ama edhe si rrenc. Dhe Thaçit duket se i pëlqen një gjë e tillë. Por, ai harron se këtu nuk është ndonjë skutë private, pazari, qyteti a ku e di, por në publik dhe deklaratat i regjistrohen. Ai që merret si rrenc në sferën publike është i papërfillshëm e i papushtet. Dhe prandaj, Thaçi sot e gjen veten në fundin e tij, duke qenë se nuk ka një diskurs të rregullt politik, dhe përfundimisht do t’i hiqet mbështetja e deritashme ndërkombëtare.

Pra, në vend se “Kosova nuk mund të pres më!” si argument mbështetës për idenë e ndarjes së vendit, duke ndjellë idenë se bota është para një momenti historik (e në fakt, krejt çka përmendet janë zgjedhjet e majit në Parlamentin Evropian, të cilat pa pikë problemi do t’i fitojnë sërish partitë e qendrës), duhet thënë “Thaçi nuk mund të pres më!”

Është presidenti aktual i Kosovës ai që është grahmat e fundit si politikan, dhe që pa ndonjë mëdyshje do të delegjitimohet nga ndërkombëtarët si negociator, funksioni i vetëm që e mban gjallë edhe në skenën e brendshme politike.

SHARE