Pritjet nga Samiti i Parisit

0
66

Autoritete të larta të Kosovës dhe Serbisë pritet të marrin pjesë në takimin e Parisit më 1 korrik, të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Sipas mediave e analistëve, ky takim do ta përcaktojë rrjedhën e dialogut, tashmë të bllokuar, në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe paraqet një shansë për rinisjen e tij.

Jeta Krasniqi, Instituti Demokratik i Kosovës, në një intervistë për Koha.net, ka thënë se në këtë takim palët mund të arrijnë një dakordim të përgjithshëm për hapat e mëtejmë për zhvillimin e negociatave por gjasat që në këtë takim, të ketë dakordim për një zgjidhje eventuale në mes palëve, janë jorealiste.

Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, përcolli Radio Evropa e Lirë, konsideron se pas takimit të Parisit, në rast se ai ndodhë, do të shihet nëse do të rifillojë procesi i dialogut ndërmjet dy vendeve, ndonëse, siç thotë ai, tashmë ekzistojnë dyshime se dialogu mund të vazhdojë në rast se takimi i Parisit dështon. “Nëse dështon këtu (në Paris) do të jemi shumë larg dhe nuk e besoj që Kosova ka energji, por edhe Serbia, t’i hyjnë një procesi shumë të ngadalshëm dhe shumëvjeçar në kërkim të marrëveshjes. Njëfarë dialogu mbase edhe duhet të vazhdojë, por për marrëveshje përmbyllëse, finale, do të jemi shumë larg”, vlerëson Rashiti.

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se edhe në rast se autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë vetëm takohen në Paris, atëherë ky organizim nuk mund të quhet i dështuar. “Por, nëse nuk takohen, atëherë shtyhet për një periudhë tjetër çështja e dialogut. Por, situata në Kosovë nuk duhet dhe nuk guxon të ashpërsohet. Ajo mund të ashpërsohet nëse Serbia detyron serbët të dalin nga institucionet dhe t’i rikrijojnë strukturat paralele.” ka vlerësuar Tahiri.

E përditshmja serbe “Blic”, sipas burimeve të saj, raportoi se Samiti në Paris mund të jetë vendimtar për dialogun mbi të ardhmen e Kosovës, ndërsa sipas planit të Bashkimit Evropian, të cilin po e zbatojnë Gjermania e Franca, të dy palët duhet të nënshkruajnë “Marrëveshje për marrëveshje”, e cila do të përmbajë detyrimin e të dy palëve për respektimin dhe përmbushjen e, në radhë të parë, Marrëveshjes së Brukselit, por edhe anulimin e taksës dhe modelin e zgjidhjes për pranimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare.

Megjithë pritshmëritë për rezultatin e këtij takimi, mediat kanë raportuar se takimi ka gjasa edhe të dështojë për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë.

Për televizionin Prva, presidenti serb, Aleksandar Vučić, vlerësoi se samiti i Parisit është “shumë i rëndësishëm”, megjithatë, siç tha ai, nuk është e sigurtë nëse ai do të mbahet fare. Ngjashëm, agjencia serbe e lajmeve, FoNet, raportoi se edhe ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Dačić, kishte deklaruar se është e pasigurtë nëse më 1 korrik do të mbahet samiti i Parisit ndërmjet zyrtarëve të Serbisë e të Kosovës duke shtuar se ai nuk do të mbahet nëse nuk ka shanse që të arrihet një përmirësim i gjendjes, “nëse nuk heqin taksën”, ka saktësuar ai.

Mediat raportuan po ashtu se Qeveria e Kosovës ka deklaruar se Samiti i Parisit edhe mund të dështojë, por jo për fajin e Kosovës, pasi Serbia po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës. Në një intervistë për Info Magazinën e Klan Kosovës, kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky kushtëzim nuk është i drejtë dhe nuk mund të ndodhë. “Nëse Serbia nuk dëshiron dialog ne nuk mund ta sjellim me zor as në Paris dhe as dikur tjetër… Ne prej fillimit e kemi lënë deren qelë për të hequr taksën për një marrëveshje kornizë ku janë elementet e njohjes reciproke dhe tregtia e lirë” ka vlerësuar kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalës të tij në në Forumin “GloboSec”, ka thënë se nuk mund të arrihet marrëveshje me “gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim e Kosovës në UNESCO e Interpol”. Megjithatë, sipas tij, në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe “Samiti i Parisit do të jetë një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë për vazhdim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes”.

Së fundi, në një intervistë për Gazetën Express, eksperti gjerman i politikave për demokratizim dhe zhvillim që ndërlidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, tha se Samiti i Parisit do të mbahet, pasi që kancealarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emanuel Macron, nuk kanë hequr dorë nga nisma për një takim Kosovë – Serbi në Paris. Sipas Weber, rinisja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë një garanci që po shkohet drejt një finaleje të vërtetë.

Takimi i Parisit, i cili pritet të mbahet më 1 korrik, pason  Samitin e Berlinit, që u mbajt në muajin prill.

SHARE