Problemi i të kthyerve nga Siria 

Në Kosovë nga vendluftimet në Siri janë kthyer 110 persona, prej të cilëve 32 gra, 4 luftëtarë dhe 74 fëmijë. Tema e cila ka qenë aktuale para fillimit të vitit shkollor ishte nëse këta fëmijë duhet të vijojnë mësimin në mënyrë të rregullt apo duhet të mësojnë ndaras nga fëmijët e tjerë. Ministria e Arsimit vendosi për këtë opsionin e dytë, pra që fëmijët e të kthyerve nga Siria të trajtohen ndaras nga fëmijët tjerë në shkolla, gjë të cilën unë e konsideroj si thellësisht të gabuar. 

0
70

Vitet e kaluara shpesh kemi mundur të dëgjojmë që një numër i madh i njerëzve të besimit islam nga e gjithë Evropa, e me përqindje më së shumti nga Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina, po vendosin të largohen nga vendet e tyre dhe t’i bashkohen të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) në luftë kundër forcave ushtarake të atyre shteteve, por edhe kundër kryengritësve në ato shtete. Shteti Islamik ishte një Kalifat i vetëshpallur në territorin e Sirisë dhe Irakut, i cili shfrytëzoi ndarjet e brendshme dhe luftën civile në Siri dhe Irak dhe krijoi një para-shtet në territoret e tyre që bazohet në një interpretim ekstrem të ligjit të Sheriatit.

Pas rënies së Shtetit Islamik, problem të madh pothuajse për të gjithë botën paraqesin të kthyerit nga fushëbetejat, d.m.th. luftëtarët që u bashkuan me IS nga vendet e tjera, e që tani duan të kthehen në vendet e tyre me familjet e tyre. Pranimi i pakushtëzuar i të gjithë këtyre njerëzve do të paraqiste një rrezik sigurie për vendet në të cilat ata kthehen, kështu që po bëhet një polemikë e madhe se kush do t’i pranojë këta njerëz. Kemi patur mundësi të dëgjojmë kërcënimin e Presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar kryesisht vendeve të Evropës Perëndimore që t’i pranojnë shtetasit e tyre që morën pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, ose Amerika do t’i lirojë ata. Një nga vendet e para që i pranoi të kthehen shtetasit e saj është Kosova. Në Kosovë janë kthyer 110 persona, prej të cilëve 32 gra, 4 luftëtarë dhe 74 fëmijë. Tema e cila ka qenë aktuale para fillimit të vitit shkollor ishte nëse këta fëmijë duhet të vijojnë mësimin në mënyrë të rregullt apo duhet të mësojnë ndaras nga fëmijët e tjerë.     

Ministria e Arsimit vendosi për këtë opsionin e dytë, pra që fëmijët e të kthyerve nga Siria të trajtohen ndaras nga fëmijët tjerë në shkolla, gjë të cilën unë personalisht e konsideroj si thellësisht të gabuar. Të kuptohemi, unë jam laik, nuk jam as psikolog, as pedagog, por disi më duket se ata fëmijë tashmë kanë qenë mjaft të ndarë nga mjedisi “normal” dhe se duhet të pranohen e sa më shumë që është e mundur të socializohen. Paj nuk kanë fëmijët faj që baballarët e tyre kanë qenë të helmuar me një ideologji të përçudnuar dhe që kanë qenë të detyruar të jetojnë në një rreth të tillë. Konsideroj që do të kishte qenë shumë më produktive që fëmijët e të kthyerve nga vendluftimet të trajtohen si të gjithë fëmijët tjerë me një vëmendje të veçantë për ta dhe trajtim të veçantë por brenda grupit të rregullt. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të ndihen të pranuar dhe si pjesë e shoqërisë kosovare me gjasa shumë më të vogla që kur të rriten të dëshirojnë që ndoshta të shkojnë rrugëve të prindërve të tyre dhe të largohen diku prapë në ndonjë aventurë të përçudnuar dhe të rrezikshme vetëm pse ndihen të papranuar dhe të refuzuar nga shoqëria të cilës i përkasin. 

Fëmijët janë fëmijë, fëmijët nuk luftojnë, fëmijët nuk bëjnë politikë, fëmijët nuk propagandojnë ideologji të çuditshme, fëmijët janë të çiltër, fëmijët janë të gëzueshëm! Në qoftë se që nga fillimi i etiketojmë si të veçantë, të gabuar apo të rrezikshëm, paj edhe do të bëhen të tillë. Pranoni fëmijët si fëmijë, edukoni ata si të gjithë fëmijët tjerë dhe do t’u ndihmoni jo vetëm atyre, por edhe shoqërisë së gjithmbarshme në një të ardhme të afërt. 

Kurse shihni se çka do të bëni me prindërit e tyre, aty gjërat nuk përmirësohen edhe aq lehtë!