Proces i destabilizimit dhe përhapjes së frikës 

Natyrisht, të gjitha këto vendime, nga Interpoli deri tek vendosja e taksës kanë lënë e edhe do të lënë gjurmë të madhe në tërë popullsinë e Kosovës. Përderisa serbët festonin, shqiptarët qenë të provokuar me këtë vendim. Tani, derisa serbët kanë frikë nga mungesa e gjërave themelore ushqimore, disa shqiptarë madje edhe kanë djegur produktet serbe, për çka më vonë edhe ishin arrestuar. Poenta është se të gjitha këto përplasje politike në përgjithësi nuk i kontribuojnë asaj që mbase të gjithë e dëshirojmë, e kjo është paqja dhe një jetë normale.

0
308

Edhe kur mendoni se banorët e Kosovës do të presin ca ditë më të mira, që do ta bëjnë bashkë një periudhë në paqe dhe stabilitet, ja ku janë politikanët që do t’ju bindin për të kundërtën. Si? Do ta gjejnë ndonjë mënyrë, mos u bëni merak. Në fakt, ndoshta as nuk keni kohë që të mendoni për stabilitetin, sepse pothuajse çdo ditë ka ndonjë rrëfim i ri dhe preokupim që t’ju “argëtojë”. Ditët e kaluara nuk sollën asgjë tjetër pos një sasie të jshtëzakonshme të pesimizmit, kur bëhet fjalë për paqe në këto hapësira. Nga procesi i normalizimit dhe stabilitetit, situata në Kosovë këto ditë është shëndrruar në diçka që mund të quhet vetëm proces i destabilizimit. 

Diplomacia është një lloj i çuditshëm i luftës, ka nevojë për shumë mund por, para së gjithash, edhe vullnet të shteteve të fuqishme që të mund të arrini diçka. Serbia këtë javë ia doli që të  arrijë “sukses të madh në diplomaci”. Jo, nuk bëhet fjalë për tërheqjet e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve për të cilat është vështirë të thuhet se ku gjenden në hartë. Fjala është për votimin për hyrjen e Kosovës në Interpol. Me vetë faktin që Serbia korri një fitore në këtë luftë diplomatike e dimë që Kosova nuk e fitoi një vend në këtë organizatë. Derisa politikanët serbë festonin, apostrofonin në mënyra të ndryshme politikanët e Kosovës, por edhe të shteteve të tjera sikur presidentin e Austrisë, Sebastian Kurtz-in, pritej reagimi i Prishtinës. Të gjithë supozonim se do të ketë një reagim, sepse gjëra të këtilla diplomatike nuk kalojnë pa reagime…

Në vend që “të kthejnë goditjen” në mënyrë diplomatike, autoritetet në Prishtinë morën vendimin i cili i godet para së gjithash qytetarët të cilët Kosova i konsideron si qytetarë të saj. Në fakt, taksat për të gjitha mallrat e importuara në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë ngritur 100%. Vetëm disa ditë më parë, Kosova i ngriti taksat 10%, që edhe ashtu ishte tepër dhe në kundërshtim para së gjithash me marrëveshjen e CEFTA-s, por edhe të marrëveshjes së para-anëtarësimit midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Sikur e tërë kjo të mos ishte e mjaftueshme, njësitë ROSU vetëm një ditë pas shpalljes së taksave të reja hynë në veri të Kosovës për të arrestuar të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanović-it. Sepse ja, 10 muaj pas vrasjes së Ivanović-it, koha e duhur për një aksion të tillë është pikërisht tash. Nuk them assesi që kjo është diçka e keqe, nëse dikush i ka gjetur të dyshuarit ata duhet të paraburgosen dhe t’i dorëzohen drejtësisë sa më parë dhe kjo nuk është aspak diçka që duhet të vihet në pyetje. Çështja është vetëm te momenti kohor në të cilin e tërë kjo po ndodh.   

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, sipas zakonit të vet, bën thirrje për paqe dhe përgjigjje të padhunshme të serbëve të Kosovës e gjatë kësaj thirrë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë të Serbisë, mbledhje me ambasadorë dhe të gjitha këto me fjalinë që “për Serbinë kurrë nuk ka qenë më rëndë”.

Nuk është kjo situata e parë për ne e që për të gjithë ne së bashku të mos jetë e qartë se bëhet fjalë për një lojë politike dhe që ne jemi vetëm viktima të saj. Kur them ne, mendoj para së gjithash në serbët e Kosovës. Së pari, ngritja 100% e taksës për mallrat serbe ndikon negativisht para së gjithash tek serbët e Kosovës sepse ato mallra janë pothuajse të vetmet të qasshme. Edhe pse jemi të vetëdijshëm se ky veprim i Prishtinës nuk paraqet asgjë tjetër pos një shantazh Beogradit që të ndryshojë politikën e vet me qëllim të një jete më të mirë të popullatës në Kosovë. Nga ana tjetër, është e drejtë të shtrohet pyetja se a mendojnë ndonjëherë për serbët si qytetarë të vet dhe në këtë rast sa do t’i bëj dëm po këtyre qytetarëve? Sipas të gjitha gjasave jo, gjë që edhe është normale, sepse as serbët në numër të madh nuk e konsiderojnë veten qytetarë të Kosovës përkundër dokumenteve që i posedojnë. Por përkundër mungesës së ndjenjës reciproke të përkatësisë, autoritetet kosovare janë ato që me këmbëngulje insistojnë se i duan serbët e Kosovës në kuadër të Kosovës si shtet, e si u bë që ai pushtet bëri diçka që ndikon ekskluzivisht në mënyrë negative te një pjesë e popullatës së vet? Por këtu përgjigjja është, natyrisht, e qartë, askush nuk do t’ia di për njerëzit derisa diçka mund të sjell poena politik. Qoftë kjo Serbia apo Kosova, loja është e njohur, lojtarët gjithashtu, qëllimi është ngritja edhe për ndonjë nivel më lartë në shkallën politike kurse viktimat, nga cilado anë që të shikoni, do të jenë askush tjetër përveç serbëve të Kosovës.   

Po atyre serbëve, ky 23 nëntor ua kujtoi verën e vitit 2011, kur filluan barrikadat në veri të Kosovës. Situata e ndërlidhur, sikurse atëbotë, me kalimin e mallrave serbe në Kosovë. Tani, pas grindjeve politike, pasuan edhe protestat e qeta të serbëve të veriut e mandej edhe dorëheqjet e kryetarëve të komunave nga veriu i Kosovës. A do të vendosin politikanët serbë të Kosovës që t’i radikalizojnë këto protesta në qoftë se nuk ndryshohet ky vendim, këtë mbetet ta shohim. Një gjë është e sigurt, askush nuk dëshiron të dalë prapë në barrikada dhe rrugë të bllokuara. Askush nuk e dëshiron edhe një 2011-ësh, kur kemi qenë të shkëputur nga bota dhe kur u deshtën muaj të tërë  që prapë t’i shfrytëzojmë rrugët dhe transportin si njerëz normal.   

Derisa ende presim që të ndryshojë diçka përkitazi me vendimin e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj thotë që taksat do të mbeten në fuqi derisa Serbia të mos e pranojë Kosovën. 

Natyrisht, të gjitha këto vendime, nga Interpoli deri tek vendosja e taksës kanë lënë e edhe do të lënë gjurmë të madhe në tërë popullsinë e Kosovës. Përderisa serbët festonin, shqiptarët qenë të provokuar me këtë vendim. Tani, derisa serbët kanë frikë nga mungesa e gjërave themelore ushqimore, disa shqiptarë madje edhe kanë djegur produktet serbe, për çka më vonë edhe ishin arrestuar. Poenta është se të gjitha këto përplasje politike në përgjithësi nuk i kontribuojnë asaj që mbase të gjithë e dëshirojmë, e kjo është paqja dhe një jetë normale.

Derisa presim të shohim se ku do të na shpiejnë roller-coaster-ët politik dhe çfarë vendimi do të sjellin vetëm një ditë më vonë, serbëve të Kosovës për të satën herë nuk u mbetet shumë sepse zgjedhjet janë gjithnjë e më të pakta dhe vendimet që varen prej tyre pothuajse nuk ekzistojnë. Për kushedi të satën herë, po ata serbë janë viktima të përplasjeve politike midis Serbisë dhe Kosovës, diku midis Beogradit dhe Prishtinës, midis asgjës. Një gjë u bë e qartë këto ditë, po për këta serbë u teprua shumë. Mjaft më me thirrje për luftë, bllokada, ushtri e polici, trena, luftë për ta, luftë për votat e tyre, demarkim, ndërhyrje të ROSU-s, thirrje për paqe dhe mosdhunë, Kosovë e Serbi… mjaft më me të gjitha e bile edhe tepër. Derisa këta njerëz tashmë dy dekada nuk e kanë bërë një muaj të plotë të qetë, duket që politikanët gjithnjë e më pak duan t’ia dijnë për këtë dhe vetëm po i shfrytëzojnë si podium për lojë dhe përplasje me palën tjetër. Po ata serbë këto ditë gjithnjë e më shumë po flasin se veriu i Kosovës është shndërruar në gjithçka tjetër vetëm jo në vend për jetesë. Në këtë proces konstant të destabilizimit dhe të përhapjes së frikës nga ana e Serbisë dhe Kosovës, mbetet pyetja se çka do të bëjnë të dyja palët kur gjithnjë e më shumë serbë do t’i lëshojnë vendbanimet e tyre në Kosovë, kush do të jetë atëherë viktima kryesore për ta dhe për kë do të grinden. Por sipas të gjitha gjasave, politikanët tanë nuk e çajnë kokën për këtë derisa të kenë një arsye të re që të bëjnë ndonjë skandal të ri i cili do t’iu sjellë edhe ndonjë poen politik.

SHARE