Profesori nga Londra: Një marrëveshje midis Kosovës e Serbisë do të hapte shumë dyer

0
89

“Një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës, duke supozuar se bazohet në pranimin e plotë të shtetësisë së Kosovës nga Serbia, do ta ndryshonte tërësisht pozitën e Kosovës në skenën botërore” thotë James Ker-Lindsay, profesor në London School of Economics (Fakultetin Ekonomik të Londrës) (LSE) dhe komentues në media për çështje rajonale.

Lindsay mendon se prandaj është më e rëndësishme të përqendrohemi në rezultatin final të pakos si tërësi, sesa në një pjesë të saj, megjithëse kontraverse, siç është “korrigjimi i kufijve”. New Perspektiva kontaktoi James Ker-Lindsayn dhe e pyeti çfarë efekti do të kishte një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë e bazuar në “korrigjimin e kufijve” përsa i përket pranimit nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur dhe nga KB?

Lindsay: Së pari, ndonëse e di që i është dhënë shumë vëmendje “korrigjimit të kufijve” dhe që sigurisht është ide shumë kontraverse, mendoj se është e rëndësishme të theksohet se çfarëdo diskutimi rreth territorit ka kuptim vetëm në kontekstin e një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse në mes Serbisë dhe Kosovës. Çfarëdo “korrigjimi kufijsh”, apo sido që të quhet, do të ndodhë vetëm nëse bazohet në njohjen e plotë dhe finale të Kosovës nga Serbia dhe si pjesë e një pakoje më të gjerë masash. Andaj mendoj se është më e rëndësishme të përqendrohemi në rezultatin final të pakos si tërësi, sesa në një pjesë të saj, ndonëse kontraverse.

Një marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës, duke supozuar se bazohet në pranimin e plotë të shtetësisë së Kosovës nga Serbia, do ta ndryshonte tërësisht pozitën e Kosovës në skenën botërore. Ajo që është më e rendësishmja, do t’ia hapte rrugën Kosovës t’i bashkohet Kombeve të Bashkuara. Natyrisht, është argumenti se Rusia dhe Kina mund të vendosin ta bllokojnë këtë. E kuptoj këtë shqetësim. Megjithatë, mënyra më e lehtë për ta zgjidhur këtë është që çfarëdo marrëveshje të konfirmohet paraprakisht nga Këshilli i Sigurimit. Me fjalë të tjera, marrëveshja hyn në fuqi vetëm nëse e ka pëlqimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe përfshin një zotim për ta lejuar Kosovën t’i bashkohet Kombeve të Bashkuara. Kur të ketë mbështetjen e Serbisë dhe Këshillit të Sigurimit, do të ishte pothuajse e pamundur të imagjinohej se Asambleja e Përgjithshme do ta refuzonte anëtarësimin e Kosovës. Kjo pastaj do t’i hapte rrugën Kosovës që të anëtarësohet në të gjitha institucionet dhe organet tjera të KB-së, si dhe në organizata të tjera si Organizata e Bashkëpunimit Islamik.

Për më shumë, anëtarësimi në KB do të garantonte se pesë mos-njohësit nga BE më në fund do ta pranonin pavarësinë e Kosovës. E pashë një artikull që sugjeronte se pranimi i Kosovës nga Serbia do të ishte sfidë për pesë mos-njohësit, ose do të mund t’i vinte në siklet ato, dhe që mund të nënkuptojë se nuk do ta njihnin Kosovën. Kjo s’mund të jetë më pak e vërtetë. Një marrëveshje në mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte fitore për ta. Ata gjithnjë kanë argumentuar se çështja nuk kishte të bënte me ndarje. Ajo kishte të bënte me ndarjen e njëanshme. Ekziston një dallim thelbësor. Nëse Beogradi dhe Prishtina do të pajtoheshin që Kosova mund të shkojë rrugës së vet, dhe se kjo çimentohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, pesë mos-njohësit nuk do të kishin absolutisht asnjë arsye për të mos e njohur Kosovën. Për ta theksuar këtë pikë, vlen ta sjellim ndërmend se secili prej tyre e ka njohur secilin shtet tjetër që i është bashkuar KB-së, përfshirë Sudanin Jugor, i cili u pavarësua pas shkëputjes nga Sudani në korrikun e 2011-ës. Sigurisht, njohja nga ana e tyre do t’i jepte fund vështirësive aktuale me hyrjen në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Përderisa anëtarësimi në BE do të mbetej një rrugë e gjatë për shkak të numrit të madh të çështjeve tjera që duhet të adresohen, mund ta paramendoj që procesi i hyrjes në NATO do të fillonte relativisht shpejt. Andaj, nuk kam dyshim që një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë do ta ndryshonte tërësisht pozitën e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtar dhe do të hapte shumë dyer të reja.

New Perspektiva: Si përshtatet Kosova në modelin tuaj të stigmatizimit të shteteve individuale de facto që ndryshojnë me kalimin e kohës?

Lindsay: Sipas historikut, argumenti im për stigmatizimin e shteteve de facto është se komuniteti ndërkombëtar ka prirje t’i refuzojë shpalljet e njëanshme të pavarësisë. Kjo e vendos një territor që kërkon pavarësi pa pajtimin e shtetit prej të cilit shkëputet (‘parent’ state) në disavantazh sa i përket ndërveprimit me komunitetin ndërkombëtar. Ato shpesh trajtohen si inferiore ndaj shteteve që janë të anëtarësuara në KB. (Më duhet të vë në dukje se përkufizimet “shpallje e njëanshme e pavarësisë/unilateral declaration of independence” dhe “parent state” janë përkufizime të përdorura në literaturën standarde ligjore mbi këto tema. Nuk duhet të lexohen si gjykim vlere apo si fyerje.) Sidoqoftë, provat tregojnë se shtetet që kanë shpallur njëanshëm pavarësinë mund të arrijnë një shkallë të pranimit ndërkombëtar me kalimin e kohës. Kjo bazohet në një numër faktorësh, siç janë qëndrimet aktuale ndërkombëtare rreth shkëputjes, kushtet lokale në vendet e tjera (si psh nëse ato vetë ballafaqohen me ndonjë kontest separatist), dhe sjellja e shteteve de facto në fjalë. Mendoj se Kosova përshtatet shumë mirë me këtë model. Në fakt, modeli është bazuar kryesisht në punën time rreth Kosovës dhe Qipros Veriore. Kosova ka treguar se është e mundur të arrihet një shkallë e lartë e pranimit ndërkombëtar në rrethanat e duhura. Sidoqoftë, nuk ekziston as edhe një rast i vetëm i një territori që e ka shpallur pavarësinë njëanshëm dhe më pas është anëtarësuar në KB pa pranimin përfundimtar nga shteti prej të cilit shkëputet. (Bangladeshi është shembulli më i afërt, por as ai nuk hyri në KB deri pasi u njoh nga Pakistani).

James Ker-Lindsay është Profesor-Vizitor në Fakultetin e Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) dhe bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit. Ai ka botuar më shumë se dhjetë libra për çështjet e lidhura me konfliktin, paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore, përfshirë librin “Kosova: Rruga deri te shtetësia e kontestuar në Ballkan’ (I.B. Tauris). Përveç punës së tij akademike, ai është komentues i rregulltë në media mbi çështje rajonale dhe ka shërbyer si konsulent apo këshilltar për një numër qeverish dhe organizatash ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Kombet e Bashkuara.

Kjo intervistë është dhënë për New-Perspektiva.

comments

SHARE