Prometeu i sokakut tonë

E vetmja gjë e mirë nga e tërë kjo është ajo se tani e dimë që tek të gjitha palët ka të tillë që gjërat i shikojnë normalisht, vetëm se ata janë të paktë në numër. E mbi të gjitha, është gjë e mirë që veprimet e pushtetit kanë treguar se të gjitha ato rrëfimet për pajtim dhe bashkëpunim kanë qenë rrëfime boshe sepse po të mos jetë ashtu, asgjë nga këto nuk do të kishin ndodhur.

0
162

Qysh para një shekulli, një shkrimtar serb, Radoje Domanović, e shkroi tregimin Deti i vdekur, në të cilin mund të thuhet se në mënyrën më të mirë e përshkroi mjedisin në të cilin jetoi. Por që çështja të jetë edhe më absurde, edhe pas më shumë se një shekulli nuk kanë ndryshuar edhe aq shumë gjërat. Ende njerëzit me dhunti konsiderohen të çuditshëm dhe vendosen në shtyllë të turpit qoftë edhe nëse vetëm tentojnë të ndryshojnë disa gjëra. Një mjedis që e mban veten në një gjoja mirëqenie ndonjëherë mund të jetë i rrezikshëm për ata që i kanë parë të metat dhe gabimet e atyre që e imponojnë atë iluzion si mënyrë të vetme të kundrimit të realitetit.   

Se e tërë kjo është e saktë, së paku për mendimin tim personal, u bindëm kur para më shumë se dy muajsh në afat prej 24 orësh u shkarkua këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, zoti Shkëlzen Gashi, për një arsye të vetme, e ajo është se gjatë një interviste, në disa fjali tha që ka edhe pjesëtarë të dikurshëm të UÇK-së që kanë kryer krime. Duhet të kuptojmë se nuk ka përmendur asnjë emër, asnjë krim konkret, asnjë vend në Kosovë, nga aspekti juridik një deklaratë krejtësisht e padëmshme. Por që e keqja nuk fle dhe që i ka shërbëtorët e vet në çdo vend provë është e tërë ajo që pasoi pas kësaj. Duke filluar me spin, montim, nxjerrje nga konteksti, interpretime të shtrembëruara të tërë asaj që është thënë e deri tek cenimi i sigurisë personale. Edhe pse dikujt mund t’i duket e çuditshme që unë si serb etnik po merrem me diçka që mund të jetë çështje e brendshme e popullit shqiptar në Kosovë, më duhet të them se kjo është një çështje që na përket të gjithë neve.   

Pozitat e lëkundura të atyre që e gjetën veten në këtë deklaratë, e duhet të pranoni se nuk është një numër i vogël sosh, ishin një arsye e mjaftueshme që dikush sikur zoti Gashi automatikisht të vendoset në listën e tradhtarëve. Natyrisht, një skenar të tillë e kemi parë shumë herë tek të gjithë popujt e Ballkanit, kështu që një qasje e tillë nuk është aspak e huaj dhe e panjohur për neve. Nga dikush që ishte njeri i besueshëm i kryeministrit Kurti, brenda natës u shndërrua në viktimë të po atij sistemi. Janë dy gjëra që ne, por edhe zoti Gashi, i mësuam nga kjo e ato janë që sinqeriteti nuk shpaguhet në politikë, por edhe që nuk ka miqësi kur bëhet fjalë për politikën. 

Nuk mundem, por edhe nuk guxoj të mos e përmend që kam pasur rastin, edhe pse vetëm një herë, të marrë pjesë në një debat lidhur me historinë e Kosovës, në të cilin kam shkëmbyer mendime me zotërinë e lartpërmendur. Edhe atëherë ishte e qartë se mënyra e të menduarit dhe analiza normale e ngjarjeve dhe gjërave nga e kaluara të cilën e posedon zoti Gashi janë shumë larg nga ajo që shoqëria jonë është e gatshme të pranojë, gjë e cila edhe tani u dëshmua në praktikë. Fundja, kaherë dihet që politikani duhet të ketë dy mendime, një për vete e tjetrin për publik. I pari mund të jetë i sinqertë, por i dyti duhet të jetë i pranueshëm. Për fat të keq, zoti Gashi pati vetëm një mendim, atë të sinqertë. 

Pa synuar që zotin Gashi ta bëjmë një hero, edhe pse është e qartë se ngadalë po shkon atyre hapave, ne duhet të kuptojmë se nganjeherë fakti që nuk flasim të njëjtën gjuhë nuk do të thotë që nuk duhet të pajtohemi për diçka. Mes tjerash, tek ne është një thënie popullore Rri shtrembër e fol drejt – ndoshta ai ka qenë gabimisht i ulur në kolltukun e këshilltarit, por megjithatë ka folur drejt që për fat të keq i kushtoi me largim nga ai kolltuk. 

Në fund, e vetmja gjë e mirë nga e tërë kjo është ajo se tani e dimë që tek të gjitha palët ka të tillë që gjërat i shikojnë normalisht, vetëm se ata janë të paktë në numër. E mbi të gjitha, është gjë e mirë që veprimet e pushtetit kanë treguar se të gjitha ato rrëfimet për pajtim dhe bashkëpunim kanë qenë rrëfime boshe sepse po të mos jetë ashtu, asgjë nga këto nuk do të kishin ndodhur. Dikur Prometeun e kryqëzuan perënditë sepse i dha popullit zjarrin, kurse Prometetë e ditëve të sotme po i kryqëzon “populli”. Këtu qartazi diçka nuk është në rregull.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE