Propozimi i Moschopoulos-it për Marrëveshjen historike Kosovë-Serbi

Sipas Dimitris A. Moschopoulos, dy elementet kryesore në një “marrëveshje historike” midis serbëve dhe shqiptarëve do të ishin njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia dhe akordimi nga ana e Kosovës i një statusi të jashtëzakonshëm për trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe në territorin e saj

0
170

Në një studim të publikuar muajin e kaluar në Athinë, ish-shefi i zyrës ndërlidhëse greke në Prishtinë, Dimitris A. Moschopoulos ka propozuar elementet  kryesore të një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi. Studimi rreth 30 faqësh titullohet, “Kërkimi i një Marrëveshjeje Historike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë – Nga paqartësitë në qartësi”. Aty theksohet se me marrëveshje Serbia duhet ta pranojë faktin se ekziston shteti i Kosovës, ndërkaq pala kosovare t’i akordojë status të jashtëzakonshëm trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë.

Në një bisedë për New Perspektiva-n, Moschopoulos ka folur për motivin që e shtyri ta hartojë këtë analizë, e cila ka thënë se vjen pas përvojës së gjatë në Kosovë. Si pjesëtar i shërbimit diplomatik të Greqisë, Moschopoulos ka qenë udhëheqës i zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë në vitet 2008-2014. Po ashtu ka qenë lehtësues i Bashkimit Evropian (2010-2014) për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore (Religious and Cultural Heritage – RCH) të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë. Ndërkaq prej vitit 2014-2016, Moschopoulos ka qenë i angazhuar si këshilltar i institucioneve të Kosovës për trashëgiminë kulturore, i kontraktuar nga UNDP.

“E gjithë kjo përvojë më ka zgjuar një interes të fortë dhe të qëndrueshëm për Kosovën dhe trashëgiminë fetare e kulturore serbe, si dhe një përkushtim të fortë për mirëqenien e Kosovës dhe gjithë popullit të saj. Kjo përbën motivin tim për të shkruar këtë analizë”, thotë Moschopoulos.

Studimin e tij, diplomati grek e ka shtruar mbi nismën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, për dialog të brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Ajo që më shtyri ta shkruaj ishin deklaratat e Presidentit Vučić se ishte i etur të kërkojë një marrëveshje historike midis serbëve dhe shqiptarëve, përmes së cilës Serbia nuk do të përpiqet të marrë atë që nuk i përket asaj dhe nuk do të heqë dorë nga ajo që i takon asaj – pra një marrëveshje në të cilën të dyja palët do të humbin diçka dhe do të fitojnë diçka. Dokumenti im identifikon ato që unë besoj se janë pasuria më e rëndësishme e secilës palë në çështjen e Kosovës – shtetësia për Kosovën, RCH për Serbinë”, thotë Moschopoulos.

Në studimin e tij, Moschopoulos shkruan se “një analizë e parimeve të vendosura nga Vučić për të udhëhequr negociatat ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, domethënë (a) se Serbia nuk e lakmon atë që nuk i takon dhe nuk do të heqë dorë prej asaj që i përket, dhe (b) se mbrojtja e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë është me rëndësi primare për Serbinë,  çon në përfundimin se marrëveshja e parashikuar duhet të përmbajë (a) pranimin nga Serbia se ajo nuk e posedon shtetësinë e Kosovës, e cila me të drejtë i përket Kosovës dhe (b) se Kosova i jep status të veçantë trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në territorin e vet”.

Moschopoulos thotë se askush nuk ka kërkuar prej tij që të dalë me një propozim të tillë.

“Askush nuk më kërkoi që ta hartojë këtë studim, dhe pikëpamjet që unë shpreh janë të miat; ato nuk kanë për qëllim të pasqyrojnë pikëpamjet e ndonjë qeverie apo institucioni. Këtë e them edhe në shkrim. Kam ndjenjën se Presidenti Vučić është i sinqertë dhe vepron me vullnet të mirë në përpjekjet e tij për të arritur një marrëveshje. E pashë si detyrim të flisja dhe të kontribuoja në debat”, thotë Moschopoulos në bisedë për New Perspektiva-n.

Në studim, autori sugjeron që Kosova ta avancojë autonominë për “trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe”, përtej asaj çfarë ofron Plani Ahtisaari duke propozuar status “të jashtëzakonshëm”.  Diplomati grek nuk e fsheh faktin se studimi i tij bazohet në Planin e Ahtisaarit.

“Ne e kemi përjetuar Planin e Ahtisarit në praktikë për disa vite, sidomos sa i përket trashëgimisë fetare e kulturore serbe, dhe kemi pasur mundësi të vlerësojmë meritat e shumta të këtij plani. Në të njëjtën kohë kemi qenë në gjendje të identifikojmë disa mangësi në Plan dhe, më e rëndësishmja, në mënyrën se si është zbatuar (ose nuk është zbatuar) pas përfundimit të pavarësisë së ashtuquajtur të mbikëqyrur të Kosovës”, thotë Moschopoulos. Sipas tij, dallimi më i madh midis Planit të Ahtisarit dhe propozimit që ai bën në dokument është se në një marrëveshje historike midis serbëve dhe shqiptarëve dispozitat e Planit do të bëhen më të forta dhe do të arrijnë një status të ngritur, në të njëjtin nivel me shtetësinë e Kosovës. Ai thotë se është logjike që pasuritë mbi të cilat palët do të bazojnë marrëveshjen e tyre të jenë ligjërisht të barabarta.

“Trashëgimia kulturore serbe do të jetë po aq e pakundërshtueshme sa shtetësia e Kosovës. Dhe gjithçka do të sanksionohej me dokumente të duhura ndërkombëtare ligjore, pra marrëveshjet ndërkombëtare, që gjithashtu do të çojnë në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Unë jap vetëm idenë e përgjithshme, ndërkaq detajet e procedurave që duhet ndjekur, u takon juristëve ndërkombëtarë që t’i përcaktojnë”, thotë diplomati grek.

Por ky propozim, a mund të interpretohet sikur një lloj eksterritorialiteti për Kishën Serbe?

“Në analizën time flas për nevojën që Kosova të pranojë pa kushte ‘jashtëzakonshmërinë e trashëgimisë serbe brenda kuadrit të saj ligjor’. Dhe e bëj absolutisht të qartë se ‘propozimi im nuk duhet të interpretohet në asnjë mënyrë sikur nënkupton ndonjë lloj statusi eksterritorial për pikat serbe në Kosovë’”, ka thënë Moschopoulos. Më tej, në studimin e tij, në faqen 23, Moschopoulos shkruan se “eksterritorialiteti do të ishte padyshim i dëmshëm për të dyja palët; me të drejtë ai ishte përjashtuar si ide gjatë negociatave të Vjenës që çuan në Planin Gjithëpërfshirës për Statusin dhe duhet të përjashtohet edhe nga debati tani”.

Moschopoulos thotë se nuk ka pasur konsulta paraprake me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, dhe nuk e di nëse ata e mbështesin propozimin e tij. Megjithatë ai ndihet i privilegjuar që për disa  vite ka pasur bashkëpunim të afërt me Kishën serbe dhe të gjithë klerikët, në të gjitha nivelet.

“I njoh pikëpamjet e tyre dhe ata i dinë të miat. Kam vlerësim shumë të lartë për ta. Por kur është fjala për këtë propozim, ata nuk kanë ditur asgjë për të dhe nuk kam marrë ndonjë reagim specifik. Natyrisht që qëndrimi i Kishës për Kosovën dihet dhe është përsëritur në nivelin më të lartë në kontekstin e dialogut të brendshëm serb të nisur nga Presidenti Vučić. Unë nuk kam asnjë iluzion për mënyrën se si Kisha do të reagojë ndaj propozimit tim se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur nga Serbia”, thotë Moschopoulos, filozof i doktoruar në universitetin Paris I të Francës.

“Kam respekt shumë të madh për Kishën dhe klerin, dhe njëkohësisht jam i bindur se propozimi im shërben për interesat më të mira të Kishës, si dhe interesat më të mira të serbëve, shqiptarëve dhe rajonit”, thotë Moschopoulos dhe shton se “si grek, kam një interes të shtuar në rajon, për paqe, stabilitet, fqinjësi të mirë dhe prosperitet në fqinjësinë tonë”.

Në fund, Moschopoulos përmbledh elementet bazë të cilat do ta bënin marrëveshjen historike dhe të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë: “Për mendimin tim, elementet kryesore të një marrëveshjeje historike dhe realiste, një marrëveshje që duhet të kënaqë interesat legjitime të secilës palë janë (a) Serbia e njeh shtetësinë e Kosovës, do të thotë, e njeh Kosovën si shtet të pavarur nga Serbia dhe që ka të drejtën e anëtarësimit në OKB, dhe (b) Kosova i akordon një status të jashtëzakonshëm trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në territorin e saj.”

Por cilat janë gjasat që ky propozim të pranohet nga të dyja palët?

“Unë vërtet nuk e di! Unë thjesht kam menduar se ishte detyrë e imja të propozoja idenë e përgjithshme të një marrëveshjeje që unë e konsideroj të drejtë dhe realiste për të dyja palët”, thotë Moschopoulos.

Megjithatë, Moschopoulos, shteti i të cilit është një nga pesë vendet e fundit të BE-së që nuk e ka njohur Kosovës, shprehë besimin se një marrëveshje ndërmjet dy palëve është e mundur. Një zgjidhje e pranueshme, sipas tij, do t’i ndihmonte vendet të integroheshin në BE. Ai ka rikujtuar se vet BE-ja me strategjinë e fundit të zgjerimit ua ka bërë të qartë palëve se “duhet të arrijnë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve”.

comments

SHARE