Pse ideja e “Open Balkan” meriton te rivlerësohet?

Ideja e “Open Balkan” është parë në përgjithësi me tone negative, por konsideroj që meriton rivlerësim në kontekstin që një strukturë e tillë mund të jetë e dobishme në disa aspekte.

0
66

Ideja e “Open Balkan” me të cilën synohet që të vendosen raporte ekonomike dhe politike mes shteteve pjesëmarrëse në rajonin e Ballkanit përbën një temë relevante kohët e fundit. Kjo ide, ndonëse me synime vizionare, është portretizuar si një nismë e cila dëshiron ta “rikthejë” Jugosllavinë në një formë dhe që i kontribuon në masë të veçantë interesave të Serbisë. Në këtë kontekst, shteti i Kosovës ka patur një qëndrim kundër kësaj nisme të cilës i është bashkuar edhe vetë shteti i Shqipërisë. Megjithatë, mund të konsiderojmë që një qëndrim i tillë meriton të rishikohet.

Së pari, një nismë e tij e tillë është e natyrshme si në aspektin gjeografik dhe ekonomik. Pra, bëhet fjalë për një nismë regjionale dhe shtetet pjesëmarrëse gravitojnë drejt njëri-tjetrit në mënyrë të natyrshme. Në ndërlidhje me këtë, edhe interesat ekonomike të shteteve (duke qenë gjeografikisht afër) janë të ndërthurur. Më konkretisht, tingëllon më pragmatike që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë tregti me njëri-tjetrin se të pretendojnë për çdo lloj shkëmbimi tregtar me shtetet e Bashkimit Evropian duke patur parasysh edhe raportet tanimë negativisht shproporcionale të tregtisë. Vetë shteti i Kosovës ka një bilanc të theksuar negativ tregtar dhe është vështirë të pretendohet që kjo mund të rregullohet përmes tregtisë me shtetet e Bashkimit Evropian. Si rezultat, të paktën në një kontekst tërësisht ekonomik, ideja e “Open Balkan” mund të rezultojë si racionale.

 Së dyti, formimi i institucioneve në përgjithësi shërben si faktor për bashkëpunim mes shteteve.  Qasja e liberalizmit në marrëdhënie ndërkombëtare mbështetet në atë që shtetet jo vetëm që mund të bashkëpunojnë por edhe duhet të bashkëpunojnë. Në ndërlidhje me këtë, formimi i institucioneve është i dobishëm sepse ndikon në rritje të prosperitetit për aktorët e përfshirë dhe njëkohësisht bën edhe minimizimin e konfliktit. Për më tepër, liberalët shohin edhe shkëmbimin ekonomik me tone pozitive pasi që shtetet kanë prirje që t’i rregullojnë raportet kur janë ekonomikisht të ndërvarura nga njëri-tjetri. Në këtë kontekst, edhe ideja e “Open Balkan” për bashkëpunim rajonal ka shpresë për sukses pasi, të paktën në bazë të teorisë liberale, ekziston një lloj shprese te institucionalizimi dhe bashkëpunimi racional.

Së treti, Kosova dhe Serbia vetëm se janë në proces të dialogut dhe aspirojnë t’i tejkalojnë dallimet dhe në afat të gjatë një nismë e tillë mund të jetë e paevitueshme. Kosova dhe Serbia, ndonëse me histori të gjatë konflikti, vazhdojnë të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve përmes procesit të dialogut. Nga kjo mund të konkludojmë që një nismë e tillë ndoshta mund të ishte një lloj hapi i mirë para njohjes së përbashkët mes dy shteteve. Vetë Bashkimi Evropian u krijua në rrethana relativisht të njëjta dhe ka funksionuar në përgjithësi mirë si strukturë. Më saktë, BE është formuar nga shtete të cilat ishin paraprakisht në konflikt me njëri-tjetrin por që më pas u bashkuan për të krijuar një strukturë të fuqishme të bazuar në idenë e ndërvarësisë por njëkohësisht edhe të unitetit. Në këtë kontekst, nuk ka dëshmi se pse “Open Balkan” nuk mund të veprojë në këtë mënyrë për shtetet e rajonit të Ballkanit në afat të gjatë.

Ideja e “Open Balkan” është parë në përgjithësi me tone negative, por konsideroj që meriton rivlerësim në kontekstin që një strukturë e tillë mund të jetë e dobishme në disa aspekte. Një nismë e tillë thekson ndërvarësinë e shteteve në përgjithësi e me theks të veçantë ndërvarësinë ekonomike të tyre, duke bërë që shtetet e Ballkanit të intensifikojnë tregtinë me njëri-tjetrin e jo me shtetet tjera dukshëm më të fuqishme në Evropë. Po ashtu, Kosova dhe Serbia janë duke punuar për të përmirësuar raportet dhe bashkëpunimi në këtë nismë është i dobishëm edhe në këtë drejtim. Së fundmi, një ide e tillë nuk e zëvendëson nevojën për integrim në Bashkim Evropian por thekson realitetin e paevitueshëm të shteteve të Ballkanit për bashkëpunim eventual.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE