Qasja e amerikanëve në dialogun Kosovë-Serbi

Që nga lufta e Kosovës taktika e amerikanëve për të ndihmuar Kosovën mund të ketë ndryshuar, por synimi kryesor strategjik i tyre mbetet i palëkundur. SHBA duan një Kosovë stabile dhe të qëndrueshme. Një Kosovë e pavarur dhe sovrane është pjesë integrale e recetës gjeopolitike për paqe dhe siguri në gjithë rajonin. Por si mund të përmblidhet vala e fundit e interferimit amerikan në Kosovë?

0
270

Roli i SHBA për Kosovën dhe interesat e saj strategjike mbetet shumë i fuqishëm. SHBA e kanë ndihmuar Kosovën gjatë gjithë rrugëtimit të saj: në çlirim nga Serbia, në shpallje të pavarësisë dhe në konsolidim të brendshëm e të jashtëm shtetëror. Gjatë kohës sa Obama ishte në krye të SHBA, përfshirja amerikane në Kosovë karakterizohej me një intensitet jo shumë të lartë.

Megjithatë, SHBA janë rikthyer furishëm në çështjet e Kosovës. Duket se po marrin sërish primatin e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për kontestin Kosovë-Serbi. SHBA po e vërejnë një vakum të krijuar nga shpejtësia e kërmillit me të cilën ka lëvizur BE-ja që afër një dekadë. Nën udhëheqjen e Donald Trump, SHBA janë vënë në një përpjekje për të siguruar një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën dhe Serbinë.

Që nga lufta e Kosovës taktika e amerikanëve për të ndihmuar Kosovën mund të ketë ndryshuar, por synimi kryesor strategjik i tyre mbetet i palëkundur. SHBA duan një Kosovë stabile dhe të qëndrueshme. Një Kosovë e pavarur dhe sovrane është pjesë integrale e recetës gjeopolitike për paqe dhe siguri në gjithë rajonin. Por si mund të përmblidhet vala e fundit e interferimit amerikan në Kosovë? Qasja e fundit amerikane mund të zbërthehet në tri pika.

Pika e parë është vizita e Robert Palmerit në Kosovë para disa muajve. Në takimet e tij me politikanët e Kosovës, Palmer ishte i prerë duke thënë se dialogu duhet të fillojë shumë shpejtë. Ai kishte thënë se një marrëveshje që zgjidhë problemin Kosovë-Serbi është i mundur, por kishte shtuar se Kosova duhet ta bindë Serbinë. Procesi i bindjes përfshinë dy hapa. I pari është ulja në tavolinë me Serbinë. I dyti dhe i fundit është bërja e një oferte që balancon interesat e dy palëve. Fitoret e plota janë të pamundshme në këtë situatë.

Pika e dytë e aktivitetit amerikan është letra e Presidentit Trump për Presidentin Thaçi. Nga letra e Presidentit Trump dhe zhvillimet ne Bruksel mund të nxirren katër konkluza të mëdha:

  1. SHBA kërkojnë zgjidhje të shpejtë (jo vonesa);

2. SHBA kërkojnë zgjidhje që baraspeshon interesat e Kosovës dhe Serbisë (jo fitore të plotë që kënaqë vetëm njërën palë)

3. Dialogu po zhvendoset nga BE tek SHBA (Rusia do të kyçej gradualisht më vonë)

4. Në letër nuk përmendet as integriteti territorial i Serbisë, as i Kosovës. Kjo tregon fleksibilitetin e SHBA-së në këto negociata. Për herë të parë SHBA janë të gatshme të ndryshojnë radikalisht formatin e dialogut.

Pika e tretë është komunikata e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në lidhje me taksën dhe hapat që duhet ndërmarrë për nisjen e dialogut. Në këtë komunikatë SHBA rikonfirmojnë qëndrimet e parashtruara në letrën që Presidenti Trump i dërgoi Presidentit Thaçi më 14 dhjetor.

Në komunikatë kërkohet unifikim politik dhe kyçje e menjëhershme në përgatitjet e fundit për dialog me Serbinë. Komunikata u kushton vëmendje edhe opinioneve të komentatorëve të ndryshëm nëpër mediume publike që thonë se “Kosova nuk do të përballej me pasoja nëse nuk i harmonizon veprimet me ShBA-të. Kjo është ndër herat e ralla ku SHBA u drejtohen edhe elementeve të shoqërisë civile dhe shpalos rëndësinë që mediumet dhe opinionbërësit kanë në proceset politike.

Në deklaratën e saj, Ambasada amerikane ishte e qartë në përcjelljen e mesazhit dhe tha se Kosova do të përballej me pasoja nëse nuk do të suspendonte taksën mbi produktet serbe dhe nëse do të braktiste përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky mesazh është i përzier me nuanca kërcënimi se në rast se lidershipi kosovar është arsyeja e dështimit të dialogut, është Kosova ajo që do të paguajë faturën.

Nga SHBA kërkohet një riaktualizim i momentumit të përshtatshëm për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë. Në komunikatë përmendet edhe rëndësia e arritjes së një uniteti të brendshëm politik.  SHBA kërkojnë heqjen e taksës. Kërkojnë fillimin e shpejtë të dialogut dhe pa vonesa. Rekomandojnë unitet të brendshëm politik dhe konsensus për këta dy hapa.

SHBA nuk po kërkojnë unitet rreth taksës, por konsensus të institucioneve për heqjen e saj. Nuk po kërkohet unitet politik për bllokim të dialogut, por për nisjen e tij. SHBA, në letrën e tyre të fundit, përkujtuan në mënyrë implicite se suksesi në Rambuje dhe Vienë ishte bërë i mundur edhe për shkak të unitetit politik në Kosovë. Mungesa e koherencës së brendshme e dobëson pozicionin e Kosovës jashtë. SHBA janë të mendimit se kontradiktat e brendshme ia ulin Kosovës produktivitetin e jashtëm. SHBA paralajmërojnë se Kosova do të vuajë pasojat nëse nuk arrin që t’i pajtojë antagonizmat e thellë të cilët janë zhvilluar viteve të fundit, sidomos që nga bllokada që ishte krijuar nga PDK-ja dhe VLAN-i.

Konsensusi është bërë vështirë i arritshëm për shkak të monopolizimit të procesit të dialogut nga ana e Presidentit Thaçi dhe për shkak të populizmit të disa partive politike kosovare. Letra e Presidentit Thaçi për Presidentin Trump ku shprehet gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me amerikanët nuk mjafton. Nevojitet një angazhim më i madh i tij për të lejuar përfshirjen e të tjerëve që po ndihen të tëhuajsuar nga procesi.

Pozicioni i fundit amerikan në raport me Kosovën mund të përmblidhet kështu: institucionet dhe partitë politike të braktisin pozicionet e ngurta dhe të krijojnë ura komunikimi, gjë që e përgatitë Kosovën për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ky unifikim më pas duhet rezultojë me heqjen e taksës dhe përfshirjen në negociata për gjetjen e një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse që do të normalizonte me Serbinë. Në kontekstin aktual ky është i vetmi lexim valid i qasjes amerikane në raport me Kosovën. 

SHARE