Qasja ndaj dialogut me Serbinë si burim legjitimiteti për qeveritë kosovare

Tani, me krijimin e qeverisë së re të udhëhequr nga LDK, siç pritej, duket se do rivazhdojë një kurs shumë më tradicional në marrëdhënie ndërkombëtare duke ristabilizuar raportin me SHBA-të dhe duke qenë përsëri konstruktive edhe me BE-në, sa i përket përpjekjeve në procesin e dialogut. Siç pritej, LDK po tregohet më e matur dhe më konservative edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

0
587

Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës jo vetëm që mund të perceptohet si një proces shumë i rëndësishëm për normalizim marrëdhëniesh mes dy shteteve por njëkohësisht është shndërruar edhe në një lloj burimi legjitimiteti për qeveritë e Kosovës, të paktën shikuar nga ana e mekanizmave ndërkombëtarë. Ndonëse gjatë viteve nuk është se kemi ndonjë tregues për legjitimitetin e qeverive kundrejt popullit të Kosovës (siç edhe kuptohet në mënyrë tradicionale fjala legjitimitet) si rezultat i sjelljes në procesin e dialogut, kemi të dhëna empirike apo të paktën mund të bëjmë interpretime që sjellja e qeverisë në procesin e dialogut ka ndikuar në fakt në mënyrën se si faktori ndërkombëtar ka perceptuar qeverinë e caktuar. Thënë më thjeshtë, sjellja e cila nuk është parë si mjaftueshëm konstruktive në këtë proces nga një qeveri e caktuar ka bërë që ajo qeveri të ndërpresë mandatin para kohe. Këtë e shohim duke analizuar dy qeveritë e fundit në Kosovë dhe duke projektuar edhe sjelljen e qeverisë së re të sapokrijuar nga koalicioni i LDK-së, AAK-së, NISMA-s, Listës Srpska dhe përfaqësuesve të komuniteteve pakicë. Para se të shqyrtojmë rastet në fjalë ne nuk mund të themi asnjëherë që kemi patur një lidhje shkakore ku procesi i dialogut ka ndikuar direkt që një qeveri të shkarkohet por ekziston një tendencë që sjellja jo konstruktive e qeverive ndaj faktorit ndërkombëtar lidhur me këtë proces të bëjë që ato qeveri të kenë një mandat të parakohshëm.

Kur flasim për qeverinë paraprake të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e cila me gjasë do të mbahet mend për rezistencën e fuqishme lidhur me mbajtjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë, ky veprim u perceptua të jetë jokonstruktiv për nevojat e dialogut pasi që efektivisht kishte arritur të bllokonte tërë procesin. Duke mos vlerësuar nëse ky veprim ishte apo jo i drejtë, duhet theksuar që shpejt z. Haradinaj thirret në Hagë dhe më pas detyrohet të japë dorëheqje. Në këtë mënyrë, kushtëzimi i ofruar nga Haradinaj duket se ishte i destinuar të dështonte pasi që qëndrimi i tij i prerë nuk do të pranohej nga faktori ndërkombëtar dhe se një zgjidhje do të duhej të arrihej sa i përket procesit të dialogut me Serbinë. Pra, në një mënyrë apo tjetër, z. Haradinaj nuk e kishte dhe nuk do të mund të haste në përkrahje mbi një vendim që nuk kontribuonte për nevojat e procesit të dialogut.

Qeveria Kurti, edhe pse jetëshkurtër, u përballë me një involvim dhe presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar të karakterizuar me një pjesëmarrje të rënduar të SHBA-së në këtë proces. Ndonëse përsëri nuk kemi ndonjë lidhje shkakore mes përfundimit të mandatit, qeverisja e z. Kurti është karakterizuar me një qasje refuzuese ndaj heqjes së plotë të tarifës pa kushtëzime dhe po ashtu me një qëndrim shumë jotradicional dhe të pabindur ndaj SHBA-së sa i përket edhe përpjekjeve për arritje të marrëveshjes me Serbinë. Vlen të theksohet se një qëndrim i tillë nuk mbahej nga ana e LDK-së si partner në qeverisje. Është interesante se në këtë rast SHBA, përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett, e përkrahu mocionin e mosbesimit dhe në këtë mënyrë u rrëzua edhe qeveria Kurti e cila u shqua nga qasja jobashkëpunuese me emisarin e posaçëm të presidentit, Donald Trump, për dialogun, Richard Grenell.

Tani, me krijimin e qeverisë së re të udhëhequr nga LDK, siç pritej, duket se do rivazhdojë një kurs shumë më tradicional në marrëdhënie ndërkombëtare duke ristabilizuar raportin me SHBA-të dhe duke qenë përsëri konstruktive edhe me BE-në, sa i përket përpjekjeve në procesin e dialogut. LDK po tregohet më e matur dhe më konservative edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Megjithatë, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, një gjë duket e sigurt: mënyrë se si perceptohet një qeveri nga faktori ndërkombëtar dhe fati i saj duket se janë të lidhura ngushtë me procesin e dialogut.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.