Qëndrime të ndryshme të serbëve dhe shqiptarëve për skenarët e dialogut

0
84

Ditë më parë, Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) organizoi konferencën Zëri i Popullit rreth “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilën prezantoi edhe rezultatet e një ankete përkitazi me fazën finale dhe skenarët e Dialogut.

Profesori nga Universiteti i Oxfordit, Anthony Heath, foli për qëllimin e hulumtimit që, sipas tij, ka qenë identifikimi i perceptimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve në lidhje me skenarët rreth ‘finales së madhe’ mes dy vendeve. Grupi i parë i gjetjeve të hulumtimit tregon se shumica e popullsisë së Kosovës është kundër ndërprerjes së dialogut. Gjashtëdhjetë e dy për qind e të anketuarve nuk pajtohen me ndërprerjen e dialogut. Ekziston mbështetje më e ulët mes serbëve për vazhdimin e dialogut dhe një numër i rëndësishëm nga mostra serbe nuk ka pasur opinion në këtë pyetje (27 për qind). Gjashtëdhjetë e tre për qind në mesin e shqiptarëve dhe 54 për qind në mesin e serbëve “nuk pajtohen” ose “disi nuk pajtohen” me ndërprerjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Grupi i dytë i gjetjeve fokusohet te vijat e kuqe të Kosovës lidhur me fazën përfundimtare të dialogut. Mbi 95 për qind e shqiptarëve kundrejt 5 për qind të serbëve janë deklaruar se- Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës; Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës; Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. Tetëdhjetë e katër për qind e serbëve janë që Lugina e Preshevës t’i mbetët Serbisë, derisa vetëm 13 për qind e shqiptarëve ndajnë këtë qëndrim. 91 për qind e shqiptarëve kundër 10 për qind të mostrës serbe, kanë thënë se, komunat veriore – Zveçani, pjesë të Zubin Potokut dhe Leposaviqit – nuk duhet t’i bashkohen Serbisë.

Grupi i tretë i gjetjeve fokusohet në atë nëse Kosova duhet të kërkojë bashkim me Shqipërinë. Dyzet e tre për qind e përkrahin idenë se Kosova duhet ta kërkojë bashkimin, nëse ndodh njohja e shtetësisë nga Serbia, dhe 50 për qind e refuzon këtë ide.

Grupi i katërt dhe i fundit i gjetjeve paraqet perceptimin dhe preferencat e qytetarëve të Kosovës lidhur me tre skenarë alternativë për një marrëveshje eventuale.

Skenari i parë ka të bëjë me status-quon, ku vetëm 15 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin këtë gjendje. Skenari i dytë ka të bëjë me Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes de facto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Vetëm 10 për qind janë përgjigjur me “fuqimisht pajtohen” ose “disi pajtohen” me skenarin e dytë. Dhe skenari i tretë flet për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale dhe anëtarësimit në OKB. Tridhjetë për qind e qytetarëve shqiptarë dhe 27 për qind e serbëve i kanë dhënë mbështetje këtij skenari. 

Sipas hulumtimit, nuk ka përkrahje substanciale nga komuniteti shumicë në Kosovë për ndonjë nga tre skenarët.

“Kjo flet për faktin se për të qenë e pranueshme ndonjë marrëveshje e ‘finales së madhe’ nga shumica e vox populi-t (zërit të popullit) në Kosovë, ajo duhet të sjellë diçka të qëndrueshme, thelbësore dhe funksionale në Kosovë, përndryshe është e destinuar të dështojë”, thuhet në hulumtimin e RIDEA-s. 

Në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi. Ai tha se më tepër se një vit janë duke diskutuar për procesin më të rëndësishëm që kemi si shtet, nga i cili në masë të madhe varet qëndrueshmëria afatgjate e Republikës së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB, NATO dhe Bashkim Evropian.

“Të gjithë e dimë mirë që dialogu me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Ne duam që njëherë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu, i cili ka objektiva të qarta, por edhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se opsioni i ruajtjes së status quo-s në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është mbështetur dhe ende mbështetet nga disa, është treguar i gabuar dhe i paqëndrueshëm.

“Unë mendoj se status quo-ja nuk paraqet as vendnumërim, por është kthim prapa. Në dymbëdhjetë muajt e fundit ka përkeqësim dhe regres në raportet e Kosovës dhe Serbisë. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin. Pra, përvoja e vitit të fundit vetëm sa ka sforcuar bindjen time që ka ardhur koha për ta arritur këtë marrëveshjen historike në mes të dy shteteve”, tha presidenti Thaçi.

Po ashtu i pranishëm në konferencë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se politika kosovare ka mundësi të jetë e unifikuar rreth asaj se çfarë kërkojnë në dialog me Serbinë.

“Ne e dimë se çfarë do Serbia, por a e dimë se çfarë duam ne? Në Kuvend ne mund të arrijmë konsensus për kërkesat tona për Serbinë siç është njohja e pavarësisë, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, reciprocitet, etj., pra janë gjëra që mund të dakordohemi. Këto kërkesa t’i bëjmë në një dokument zyrtar parlamentar e qeveritar për Serbinë si borxhli i yni. Kjo duhet të ndodhë para se të nisë dialogu. Ne duhet të jemi të bashkuar rreth qëllimit tonë për një marrëveshje të qëndrueshme”, tha Kurti.

Për nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, çështja e dialogut me Serbinë nuk mund të zgjidhet me politika të shpejta dhe me inate.

“Legjitimiteti dhe dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur probleme madhore, e jo vetëm dialogun me Serbinë por edhe çështje të tjera”, tha ai.

Ndërsa njëri nga bashkëdrejtuesit e Delegacionit Shtetëror për bisedime me Serbinë, zëvendkryeministri Fatmir Limaj, u shpreh se Qeveria po bënë përpjekje serioze që për herë të parë faktori politik të bashkohet dhe të ndërtohet një konsensus rreth dialogut.

SHARE