Qëndrimet e Albin Kurtit ndaj dialogut me Serbinë

1
784

Sipas rezultateve praprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës të cilat u mbajtën në fillim të muajit. Një ndër sfidat kryesore që e pret qeverinë e re të vendit mbetet dialogu me Serbinë, i cili ka stagnuar që nga viti i kaluar kur u vu taksa 100% ndaj mallrave serbe nga kryeministri i deritashëm, Ramush Haradinaj.

Ndonëse në programin e vet zgjedhor, LVV nuk pati ndonjë pikë të veçantë mbi alternativën e saj për dialogun me Serbinë, mediat gjatë gjithë fushatës mbuluan e raportuan intervistat dhe deklarimet e kryetarit të saj, Albin Kurtit, lidhur me këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë, në një artikull ku krahasonte pikëpamjet e kandidatëve për kryeministër rreth qasjes së tyre ndaj dialogut Kosovë – Serbi, raportoi se Kurti, në rast të zgjedhjes, do të kërkonte rishqyrtim të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel

“Ne duhet ta krijojmë një ekip negociator, i cili duhet ta ketë strategjinë përkatëse dhe duhet t’i ketë edhe parimet e dialogut, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kakofonie në këtë aspekt. Por, kjo nuk vjen menjëherë. Ne na nevojitet një komision, ta kemi një komision që e mbyllë shpejt kapitullin e 33 marrëveshjeve të realizuara përgjatë dialogut në vitin 2012 deri në vitin 2017”, citohej se kishte thënë Kurti.

Në një intervistë për gazetën austriake, Der Standard, të cilën e solli në shqip Klan Kosova, Kurti kishte folur edhe për taksën 100% ndaj mallrave serbe. Sipas tij, taksën do ta largojë, por do të kërkojë reciprocitet me Serbinë dhe kompensim të luftës.

“Ne do ta zëvendësojmë taksën me parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i pranojë targat tona dhe dokumentet, në të cilët shkruan Republika e Kosovës. Duam ta sqarojmë fatin e të zhdukurve, pavarësisht kombësisë, të gjinden edhe serbët edhe romët. Duhet të formohen ekipet e përbashkëta të hetuesve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të analizonin varrezat masive”, ka deklaruar Kurti. Sipas tij, Serbia i detyrohet Kosovës edhe për kompensim të luftës, një fond pensioni dhe 1.200 artefakte.

Kurti po ashtu kishte deklaruar, në po të njëjtën intervistë, se nëse do të bëhet kryeministër, që në javën e parë do të fillojë dialog me serbët në Kosovë. Ndërkaq, i pyetur se pse Prishtina duhet të nënshkruajë një marrëveshje me Beogradin, Kurti u përgjigj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE.

Në një intervistë për Kohën Ditore, Kurti e diskutoi më gjerë idenë e reciprocitetit me Serbinë.  Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka bërë fushatë për bojkotimin e mallrave të Serbisë, Kurti ka thënë se tarifa 100 për qind nuk ka qenë politikë e tyre.

“Ne mendojmë që duke vënë reciprocitetin e plotë me Serbinë, edhe zmbrapsen trysnitë ndërkombëtare dhe akuzat që na bëhen në arenën politike, diplomatike, evropiane e botërore. Por në të njëjtën kohë, edhe i tregojmë Serbisë se nuk është punë çmimi, por dinjiteti dhe integriteti”, citohet se ka thënë Kurti.

Përveç tjerash, Kurti kishte diskutuar në këtë intervistë edhe për idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës, si alternativë e shumëpërfolur gjatë këtij viti për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Sipas liderit të LVV-së, kjo ide nuk ka vdekur, por është shprehur i bindur se projekti ka dështuar.

Pas zgjedhjeve të parakohshme, në një intervistë për emisionin “Opinion” të TV Klan të Shqipërisë, Albin Kurti, ripërsëriti qëndrimet e tij rreth dialogut me Serbinë duke deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve dhe diskutimet mbi harta kanë marrë fund me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet.

“Oferta ime për Serbinë është lista e kërkesave për borxhin që na e ka për obligimet e luftës. Serbia duhet ta shohë veten në pasqyrë dhe jo shqiptarët me dylbi. Vuçiç thotë që nuk mund ta njoh Kosovën me këto kufij. Dhe së dyti, me thoni çfarë kërkoni dhe ne jemi gati t’ja u japim. Këto kushtëzime ne nuk i pranojmë. Zgjidhje territoriale me lapsa e harta në dore, kjo ide merr fund me ne. Jo harta me president republike. Jo marrëveshje pa dialog. Jo dialog për kufij. Këto janë qëndrimet e mia. Vuçiç duhet ta kuptoje njëherë e mire çdo të thotë ardhja e VV në pushtet. Dhe ai besoj e di shume mirë”, tha Kurti.

Në po të njëjtën intervistë, Kurti deklaroi se ai do ta udhëheqë dialogun me Serbinë duke krijuar një ekip negociator bashkë me opozitën, por pa përfshirjen e presidentit, Hashim Thaçi.

Unë si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës nuk do të jem arrogant ndaj opozitës, do të krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, të na ndajë e të na përçajë,” ka thënë Kurti.