Qëndrimet e qytetarëve të veriut të Kosovës mbi ndikimin e BE-së në procesin e normalizimit

Ajo çka fillimisht preokupon vëmendjen është se vetëm përmendja e BE-së tek madje 43.7% të qytetarëve shkakton perceptim negativ, 39.7% nuk kanë kurrfarë qëndrimi, ndërsa vetëm 16.6% kanë qëndrim pozitiv për BE-në dhe gjithçka që ajo përfaqëson. Por raporti gjithashtu thotë se "asociacioni negativ ndaj BE-së ka rënë për rreth 16% krahasuar me hulumtimin e vitit të kaluar dhe rreth 7% në lidhje me hulumtimin e vitit 2016."

0
102

Kah fundi i muajit shtator, në ambientet e OJQ-së Aktiv, u mbajt një diskutim me panel rreth temës së hulumtimit mbi analizat e trendeve në veri të Kosovës. Vetë procesi i hulumtimit  mbulonte një gamë të gjerë veprimtarish shoqërore të komunitetit, por ajo që më së shumti tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve është qëndrimi i qytetarëve rreth ndikimit të BE-së dhe institucioneve të saj në proceset që po zhvillohen si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Ky lloj hulumtimi po bëhet qe 3 vite dhe, nëse krahasohen rezultatet e tij, vërehet një ndryshim i madh në disa nga qëndrimet e qytetarëve, por përkitazi me disa qëndrime pikëpamjet e qytetarëve kanë mbetur të pandryshuara. Anketa përfshiu vetëm 4 komuna në veri të Kosovës, dhe me rreth 800 të anketuar, megjithatë, paraqet një tregues të caktuar të qëndrimit të qytetarëve lidhur me çështjet e përmendura më lartë.

Ajo çka fillimisht preokupon vëmendjen është se vetëm përmendja e BE-së tek madje 43.7% të qytetarëve shkakton perceptim negativ, 39.7% nuk kanë kurrfarë qëndrimi, ndërsa vetëm 16.6% kanë qëndrim pozitiv për BE-në dhe gjithçka që ajo përfaqëson. Mund të themi se këto rezultate janë tejet alarmante nëse e kemi parasysh që pikërisht institucionet e BE-së e kanë për detyrë që në cilësinë e ndërmjetësuesit të përpiqen që t’i kontribuojnë normalizimit të marëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Natyrisht, përqindjet e paraqitura variojnë në varësi nga grupmoshat e të anketuarve si dhe nga niveli i arsimimit i të njëjtëve, por nuk ka dallime të mëdha në përqindje kështu që mund të themi që, për sa i përket kësaj çështjeje, qëndrimi i qytetarëve është me një shpërndarje tejet të barabartë. Por raporti gjithashtu thotë se “asociacioni negativ ndaj BE-së ka rënë për rreth 16% krahasuar me hulumtimin e vitit të kaluar dhe rreth 7% në lidhje me hulumtimin e vitit 2016.”

Po ashtu, qëndrimi i të anketuarve përkitazi me çështjen e ardhmërisë evropiane të Kosovës është mjaft i qartë, kështu që madje 77.9% besojnë se Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e BE-së me të drejta të plota, derisa vetëm 22,1% prej tyre besojnë se Kosova do të bëhet anëtare e BE-së dhe këtë brenda rreth 13 viteve mesatarisht, varësisht nga qëndrimi i të anketuarve. Një qëndrim i tillë i të anketuarve është deri në një masë i kushtëzuar nga situata aktuale politike kështu që nuk mund të merret si qëndrim final, por edhe fakti se bëhet fjalë për popullatën e përkatësisë etnike serbe tek e cila është i shprehur pesimizmi përkitazi me rrugëtimin evropian të Kosovës. Si konfirmim i kësaj është edhe e dhëna se madje 70.8 % e të anketuarve janë deklaruar që BE-ja gjatë negociatave të Beogradit dhe Prishtinës është vënë në anën e Prishtinës e me vetë këtë fakt rezultati është i kuptueshëm. Lidhur me këtë çështje, vetëm 27,5% kanë thënë që BE-ja është neutrale, kurse një përqindje minore prej 1,7% konsiderojnë se BE-ja është në anën e Beogradit gjatë negociatave të përmendura. Sipas raportit, “vit pas viti, ka një trend në rritje të numrit të respondentëve të cilët e shohin rolin e BE-së në procesin negociator midis Beogradit dhe Prishtinës si neutral. Gjegjësisht, në vitin 2016 kjo përqindje ishte 13%, në 2017 21%, ndërsa këtë vit është 27%.

Nga e tërë kjo mund të konkludohet se qëndrimi i popullatës ndaj BE-së është ende tejet negativ kështu që është i kuptueshëm qëndrimi se madje 49.1% thanë se hyrja e Kosovës në BE do të kishte një ndikim shumë negativ për ta, ndërsa vetëm 13.9% konsiderojnë se kjo ngjarje do të përmirësonte në mënyrë domethënëse situatën në Kosovë. Megjithatë, një përqindje e madhe e qytetarëve shprehën një qëndrim mjaft neutral për këtë çështje, kështu që madje 37% e qytetarëve thanë se asgjë nuk do të ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme nëse Kosova do të bëhej anëtare e bashkësisë së popujve evropian.

Që qëndrimi negativ ndaj BE-së të konfirmohet edhe më, dëshmon edhe përqindja prej 55,3% e të anketuarve që janë absolutisht kundër hyrjes së Kosovës në BE, 32,4% prej tyre nuk ka kurrfarë qëndrimi lidhur me këtë çështje, vetëm 5,4% do të ishin të gatshëm të mbështesnin këtë veprim, kurse vetëm 7% të tyre absolutisht e mbështesin hyrjen e Kosovës në BE. 

Si përfundim, nga të dhënat e përmendura mund të konkludojmë se qëndrimi i qytetarëve ndaj BE-së është tejet negativ, por nuk do të hynim në analiza më të thella sepse ka shumë arsye për një qëndrim të tillë dhe secila prej tyre ka anën e saj pozitive dhe negative. Natyrisht, 800 të anketuar janë një mostër goxha e qartë, por për rezultate më të sakta dhe më të përpikta është e nevojshme të bëhen hulumtime me një mostër shumë më të madhe dhe që ky lloj hulumtimi të bëhet për disa vite me radhë. Duhet theksuar se ky hulumtim është kryer një herë në vit për tri vitet e fundit dhe se në disa rezultate vërehen përmirësime por në disa të tjera vërehet qëndrim edhe më i keq ndaj BE-së. Rezultatet e këtij hulumtimi janë publike dhe si të tilla mund të shërbejnë si bazë për krijimin e një politike të mëtejshme të qasjes së BE-së ndaj veriut të Kosovës si një pjesë për shumëçka specifike e Kosovës.

comments

SHARE