Qeveria e Kosovës lë në harresë hartimin e statutit të “Zajednicës”

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë aktgjykimin e saj për çështjen e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, apo siç e quan opozita kosovare “Zajednica”, qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap më tej lidhur më hartimin e statutit për këtë Asociacion.

0
470

Ekzekutivi kosovar ende nuk ka filluar me identifikimin e ekspertëve kushtetues vendor dhe ndërkombëtarë të cilët do të merren jo vetëm me shqyrtimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në hartimin e një kornize nëpër të cilën duhet të kalohet gjatë përpilimit të statutit të ASK-së.

Tesheshi.com ka kontaktuar Bajram Gecajn, këshilltarin e kryeministrit Isa Mustafa i cili ka konfirmuar se ekzekutivi nuk është duke u marrë aktualisht çështje e statutit, pasi ende as nuk janë identifikuar as ekspertët vendorë as ata ndërkombëtarë të cilët do të mund të kontribuonin në këtë drejtim.

“Nuk ka ende një datë të caktuar. Kurdo që të caktohet rrethanat e përshtatshme do të fillohet me hartimin e statutit të Asociacionit. Me sa e di unë ende nuk janë identifikuar as ekspertët”, ka thënë Gecaj, për tesheshi.com.

Serbia kërkon sa më parë të themelohet ASK

Përderisa ekzekutivi kosovar nuk ka një përgjigje se kur mund të fillojë hartimi i stautit të Asociacionit, Serbia vazhdon të insistoj në themelimin sa më të shpejtë të tij.

Zyrtari i fundit serb që ka kërkuar këtë gjë është Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë. Ai ka thënë se edhe statuti i AKS-së do të shkruhet nga ekipi që do ta themelojë këtë mekanizëm, pra serbët e Kosovës.

Opozita: S’e lejojmë hartimin e statutit të “Zajednicës”

E zëdhënësi i partisë më të madhe opozitare, Adonis Tahiri, nga Lëvizja Vetëvendosje jep një përgjigje të njohur për opinionin se opozita nuk do ta lejojë hartimin e statutit të Asociacionit dhe këtë është mirë ta kuptojë qeveria sa më parë.

“Opozita e ka bërë të qartë që pa dorëheqjen e qeverisë nuk mund të ketë zhvillim normal të punës në institucione. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se janë shkelur 23 nene të Kushtetutës me marrëveshjen për ‘Zajednicë’. Përveç, kësaj janë mbajtur shumë protesta kundër asaj marrëveshjeje, me theks të veçantë 28 Nëntori, 9 janari dhe 17 Shkurti. Janë 205.254 qytetarë që kanë nënshkruar peticion kundër marrëveshejve të 25 dhe 26 gushtit 2015. Qeveria duhet ta kuptojë që ato marrevëshje nuk kalojnë, duhet të anulohen, dhe duhet të jep përgjegjësi për dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës. Zgjedhjet e reja janë e vetmja mundësi për të dalur vendi nga kriza”, ka thënë Tahiri për tesheshi.com.

Ndryshe, zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar më 25 gusht të vitit të kaluar për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që ngriti reagimin e opozitës kosovare, doli të mos ketë qenë në harmoni edhe me frymën kushtetuese.

(tesheshi.com, 15/03/2016)

SHARE