Qeveria e re – mundësi e re për normalizimin

Liderët e qeverisë në formim mund të thonë se Dialogu me Serbinë është poshtë në listën e prioriteteve të qytetarëve të Kosovës. Mund të jetë kështu por kjo nuk është as politikë, as strategji.

0
619

Kosova është në prag të një qeverie të re, e treta kjo brenda pak më shumë se 12 muajve. Kosova ende nuk njihet nga shumë shtete të botës, përfshirë dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit të KB-së, Rusia dhe Kina. Nuk njihet as nga fqinji verior i saj, Serbia. Kjo situatë nuk është në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Qeverisë së re i duhet një politikë e qartë  dhe e pjekur për ta rregulluar këtë problem.

Liderët e qeverisë në formim mund të thonë se Dialogu me Serbinë është poshtë në listën e prioriteteve të qytetarëve të Kosovës. Mund të jetë kështu por kjo nuk është as politikë, as strategji. Qeveria duhet të shqyrtojë se cilët janë objektivat dhe pritjet e saj në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si do t’ua shpjegojë ato qytetarëve të saj. Ata kanë të drejtë të dinë se si t’i lexojnë arritjet, objektivat koherent të qeverisë së tyre. Atyre duhet t’u thuhet se çfarë lloj marrëdhëniesh dhe zgjidhjesh janë të mundura.

Normalizimi i marrëdhënieve nuk është poshte në listën e prioriteteve të BE-së e as të SHBA-së. Menjëherë pas zgjedhjeve, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Miroslav Lajčak, tha se BE-ja pret qe autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me synim të vazhdimit të takimeve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Presidenti i ri i Amerikës, Joe Biden, e ka bërë shumë të qartë se, ndryshe nga paraardhësi i tij, administrata e tij do të bashkëpunojë me BE-në. Ai ka thënë se pret me padurim të punojë me qeverinë e Kosovës drejt rrugës së saj për në Evropë.

Ne të gjithë mund të argumentojmë se BE-ja ka qenë jokonsekuente dhe nuk ka treguar respekt në politikën e saj në lidhje me Kosovën, veçanërisht me dështimin për t’i dhënë vendit  liberalizimin e vizave. Kjo nuk i ofron vetëbesim një kombi aspirues. Më e rëndësishmja, pesë nga vendet anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën. Kosovarët kanë të drejtë të mos kenë besim dhe të shohin hipokrizinë e palës evropiane.

Albin Kurti ka thënë qartë se ai do të udhëhiqet nga populli pasi ata janë përfituesit. Një nga synimet thelbësore të procesit të lehtësimit nga BE është përmirësimi i jetës së njerëzve; ata janë përfituesit e tij. Kurti shpesh ka thënë se ai nuk e sheh komunitetin serb në Kosovë ashtu si bashkëkombësit përtej kufirit; ata janë qytetarë të Kosovës. Ai flet për angazhim në një dialog me serbët e Kosovës që do të fokusohet në zhvillim. Nëse është ashtu, ai duhet t’i shoqëroj fjalët e tij me veprim të njëmendtë dhe çdo angazhim për komunikim me atë komunitet të jetë shprehimisht i dukshëm. Nuk është kjo shumë e vështirë. Mund të fillojë duke shqyrtuar problemet në përdorimin korrekt të gjuhës serbe si gjuhë të dytë zyrtare.

Serbët e Kosovës shumë herë besojnë se nuk dëgjohet zëri i tyre, askush nuk i dëgjon. Beogradi ua imponon politikat. Qeveria e re duhet t’i shohë me kujdes pjesëtarët e këtij komuniteti dhe t’ua shpjegojë qytetarëve të Kosovës pa mëdyshje se çfarë dëshiron ajo të arrijë.

Kurti thotë me ngulm se nuk duhet të ketë kompensim për Serbinë. Kjo na kthen përsëri në pikën se marrëveshja nuk mund të jetë jep çdo gjë e mos merr asgjë. Sidoqoftë, mund të ketë dhënie dhe vlerësim, nëse qeveria është e përgatitur të ngritet mbi politikën. Marrëveshja për krijimin e një studimi fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit mund të shikohet në mënyrë të arsyeshme. Liqenet ndërkufitare shpesh administrohen së bashku në bazë të marrëveshjeve të përbashkëta, p.sh. Liqeni i Prespës, Liqenet e Mëdha në Amerikën e Veriut, Liqeni i Konstancës në kufirin zviceran, gjerman dhe austriak. Askush nuk mund të pretendojë pronësi të plotë dhe duhet shikuar më parë menaxhimin e përbashkët të resurseve për përfitim sa më të frytshëm për qytetarët e tyre. Mund të gjendet një kompromis i arsyeshëm që është jopolitik.

Qeveria e re duhet të tregojë pjekuri dhe të ngrihet mbi politikat e normalizimit, t’u japë një mesazh të qartë të gjithë qytetarëve sa i përket asaj se cila është politika e saj, jo ta bëjë atë politikë të deklaratave apo sloganeve, por të fazave, hapave ku kompromiset e arsyeshme mund të jenë të matura. Ajo duhet ta bëjë këtë si në nivel ndërshtetëror ashtu edhe në atë ndërkomunitar. Duhet t’u tregojë anëtarëve të BE-së se është e përkushtuar për një të ardhme euro-atlantike dhe të zbatojë reformat e kërkuara. BE-ja duhet të japë liberalizimin e vizave siç ua ka dhënë të gjitha shteteve të Ballkanit dhe më gjerë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos e bëjë këtë kur edhe Parlamenti Evropian e mbështetë këtë. Duhet të ketë aty dhënje dhe marrje.

Kjo është një mundësi për të bërë një fillim të ri në procesin e normalizimit.