Qeveria harton platformën për bisedimet me Serbinë

0
201

Qeveria e Kosovës ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë. Kjo platformë do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim në formë të rezolutës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se hartimi i platformës ka pasuar takimet e shumta me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe debatet e organizuara në lidhje me negociatat me Serbinë, ku kanë marrë pjesë edhe partitë politike.

Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Si rezultat final, platforma synon që Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e BE-së, të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, dhe e cila për Kosovën do të ratifikohej nga Kuvendi si organi më i lartë.

Përmes marrëveshjes finale me Serbinë, e cila do të nënkuptonte normalizimin e raporteve, Kosova mëton të sigurojë heqjen e barrierave të krijuara për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat, strukturat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

Haradinaj tha se është me rëndësi që në Kuvendin e Kosovës janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike, andaj aty, sipas tij, mund të zhvillohet debati gjithëpërfshirës rreth kësaj platforme, përfshi edhe opozitën.

“Ne vetëm e sponsorizojmë platformën, kurse Kuvendit i mbetet më pastaj që të vendosë”, tha ai.

“Ashtu siç do të vendos Kuvendi, ne do ta respektojmë. Andaj, iu lutem deputetëve që t’i përgjigjen kohës, etapës në të cilën ndodhemi, sepse ky dialog është shterrë dhe nuk po prodhon efekte, nuk po jep rezultate, kështu që duhet të kalojmë në fazën finale dhe ne duhet të insistojmë për këtë”, tha Haradinaj.

Po në lidhje me dialogun me Serbinë, një nga marrëveshjet që vazhdon të zvarritet sa i përket zbatimit është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj, tha se Kosova është në proces e sipër të hartimit të statutit të këtij Asociacioni.

“Marrëveshja e Brukselit e ka paraparë që në fund të procesit, vlerësimin rreth harmonizimit të statutit me kushtetutën do ta jap Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, theksoi ai, duke konfirmuar se në fund të procesit do të jetë edhe një vlerësim i Kushtetueses para se ky organ të themelohet.

Kohë më parë, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës kishin paralajmëruar se do të formojnë njëanshëm Asociacionin, nëse një hap tutje drejt formimit të tij nuk e ndërmerr Qeveria e Kosovës.

Por, Haradinaj tha se ka kaluar koha e ultimatumit, ngase puna në draftimin e statutit tashmë ka filluar tashmë.

Gjatë ditës, Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës ka konfirmuar se ka hequr dorë nga shpallja e njëanshme e Asociacionit / Bashkësisë së komunave me shumicë serbe për datën 20 prill, siç ishte paralajmëruar para pak ditësh.

Përfaqësuesit e Listës kanë zhvilluar sot një takim me Ekipin Drejtues për statutin e Asociacionit, të cilin e ka formuar Qeveria e Kosovës.

Në këtë takim, Igor Simiq, tha se Lista mbetet e hapur për bisedime dhe zgjidhje kur është në pyetje formimi i Asociacionit, ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Kur kemi pritur pesë vjet, do të presim edhe tre muaj e gjysmë”, ka thënë Simiq, ngjashëm siç kishte deklaruar një ditë më parë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Ekipi drejtues për statutin do të punojë duke u mbështetur në marrëveshjen e Brukselit.

(evropaelire.org, 19/04/2018)

comments

SHARE